Kapja e biznesmenit Çekaj, Ndreu: Priten zhvillime të tjera nga dita në ditë

Deputeti socialist, Pjerin Ndreu, ka folur për kapjen e biznesmenit Arbër Çekaj në emisionin “Repolitix’, të gazetarit Denis Minga, në Report Tv. Ndreu vlerësoi punën e policisë shqiptare, duke thënë se është shumë e rëndësishme që policia jonë tashmë është pjesë e operacioneve të mëdha ndërkombëtare.

Deputeti theksoi se nuk e dinte se do të arrestohej sot pronari i kompanisë ‘Arbi Garden’, që solli në Shqipëri sasinë prej 613 kg kokaine, duke shtuar se me operacione të tilla nuk mund të bëhen pazare.

Jo, nuk e dinim që do të arrestohej Arbër Çekaj. Janë operacione me të cilët nuk mund të bëhet pazare. Fakti që është kapur një person që akuzohet për një sasi të jashtëzakonshme kokaine më gëzon, është një hap para në goditjen e krimit të organizuar.

Pjerin Ndreu, deputet i PS

Lidhur me deklaratën e ministrit Fatmir Xhafaj, se policia po zhvillon dhe një tjetër operacion në Spanjë, ligjvënësi i majtë deklaroi se nuk ka informacion që ky aksion të ketë lidhje me kapjen e 1 tonë kokaine. Ndërsa paralajmëroi se do të ketë zhvillime të tjera nga dita në ditë.

Nuk e di. Mund të kemi zhvillime të tjera nga dita në ditë. E rëndësishme është se policia shqiptare tashmë është partnere me disa operacione të rëndësishme ndërkombëtare. Rastet e trafikut të drogës janë raste që ndërkombëtarizojnë si fenomen. Implikohen disa shtete në trafikun e drogës dhe kjo kërkon bashkëpunimin e disa policive, që duhet të kenë kredencialet e duhura që të marrin pjesë. Policia shqiptare ishte pjesë e këtij operacioni dhe kjo duhet vlerësuar.

Pjerin Ndreu, deputet i PS

Kemi pasur agjentë në gjermani apo kemi çuar informacion?
Nuk mund të bëj deduksione të këtij lloji. Kanë shkëmbyer informacion, të dhëna, gjykime, janë konsultuar për shumë gjëra, sepse dhe policitë e huaja kanë pasur nevojë të marrin të dhëna nga ne. Mund të lindë dhe nevoja e dërgimit të personelit nga Shqipëria për ta njohur personin e kërkuar. Ne tashmë jemi pjesë e operacioneve kaq të rëndësishme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:04
Gazetari Rusta: Dy policë shqiptarë prej 3 javësh në Gjermani, lokalizuan Arbër Çekajn

Vendndodhja e Arbër Çekajt në Gjermani është lokalizuar nga dy ekspertë të Policisë shqiptare, të cilët kanë shkuar atje tre javë më parë. Një fakt të tillë e bëri publik gazetari i Report Tv, Arsen Rusta në emisionin “Repolitix”. 

Dy oficerë të policisë shqiptare kanë qenë në Gjermani prej tre javësh për të identifikuar Arbër Çekajn. Zbulimi i vendndodhjes është bërë përmes gjurmimit të komunikimeve elektronike të Çekajt. Është survejuar ditë pas dite, por policia nuk ka pasur mandat për të ndërhyrë në banesë. Në momentin që ka dalë nga banesa është prangosur. 

Arsen Rusta, gazetar i Report Tv

Arbër Çekaj deklaroi vetëm dy ditë pas kapjes së sasisë së drogës në kapanonin e Arbi-Garden se do kthehej shumë shpejt në Shqipëri për të sqaruar akuzat. 

Por udhëtimin në kthim ai nuk e bëri kurrë. Ndërsa tashmë rrugëtimi i tij drejt vendlindjes do bëhet përmes ekstradimit si njeriu i dyshuar që porositi sasinë rekord të kokainës nga Kolumbia. 

Ora 21:32
Pjerin Ndreu: Politika e çorientuar, ja kush do e vështirësojë ekstradimin e Arbër Çekajt

Deputeti i PS, Pjerin Ndreu, e ka cilësuar të vështirë ekstradimin e biznesmenit Arbër Çekaj nga Gjermania.

Në emisionin ‘Repolitix’, në Report Tv, Ndreu deklaroi se është pikërisht politika që ndikon negativisht në këtë proces, pasi duke hedhur akuza të shumta dhe përmendur shpesh emrin e personi që do të ekstradohet, i jep mundësinë atij që të fitojë azil në vendin ku është kapur.

Sipas tij, në çdo vend të botës ka banda dhe lidhje politike me krimin, por në vendin tonë sipas tij, politika është e çorientuar në luftën antikrim.

Nuk ndodh që një shtet të ketë zero banda. Edhe lidhje politike me krimin ka në të gjithë botën. Grupet kriminale kanë vënë në vështirësi edhe qeveri jashtëzakonisht të forta. Është një industri e organizuar që shpeshherë kalon dy-tre hapa para se organizimi shtetëror, policor, për shkak të fitimit marramendës nga aktivitetet e tyre të paligjshme.

Në përplasjen mes dy palëve shpesh ka pasur humbje të shtetit, si dhe korruptim apo implikim të tyre me krimin. Shqipëria është një rast tranzitor, që duhet parë me vëmendje, pasi ka një politikë të çorientuar në luftën antikrim. Politika majtas dhe djathtas duhet të jetë më e ftilluar në luftën ndaj krimit. Këtu njëra palë mezi pret të dështojë pala tjetër, për ta përdorur si alibi për ta goditur politikisht.

Ka një problem tjetër shumë serioz, ekstradimi i tij do të jetë i vështirë, sepse ka ndodhur dhe më parë. Kur një personi politika ja përmend emrin shumë, ai fiton azil në vendin ku është kapur. Ne influencojmë negativisht,duke vështirësuar procesin e ekstradimit. Politika ndikon. Ne jemi në një situatë pozitive tani, po ecim me ritmin e duhur, po vazhduam të ecim kështu rezultatet do jenë dhe më të mira dhe historia e krimit do vijë duke rënë.

Pjerin Ndreu, deputet i PS

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rama në Londër: Nismë ligjore për rikthimin e emrit të shqiptarëve të regjistruar si kosovarë në Britani

Rama në Londër: Nismë ligjore për rikthimin e emrit të shqiptarëve të regjistruar si kosovarë në Britani