Kaq afër zgjedhjeve a ia vlen të harxhosh energji me protesta politike?

Foto nga protesta e PD

Është zakon në Shqipëri që kur ka një aktivitet politik, siç janë dhe protestat, të analizohen detaje dhe jo thelbi. Shumë retorikë bëhet edhe sot se si policia ushtroi dhunë, se si po shkelen të drejtat e protestuesve e çëshjte të tjera si këto. Sigurisht njerëzit duhet të jenë të lirë të protestojnë kur të duan dhe si të duan. Ky është thelbi i demokracisë.

Megjithatë kur je në ‘mosbindje civile’ duhet të marrësh parasysh edhe trajtime të tilla. Nga vetë fjala mosbindje civile do të thotë që nuk po zbaton ligjet, dhe si përgjigje mund të marrësh kundërpërgjigje dhe të padëshiruara për një shoqëri demokratike.

Ndërsa flitet për detaje, harrohet thelbi. Thelbi i protestave të mosbindjes civile të opozitës është fatki që ajo ka dështuar. Duhet thënë hapur dhe qartë se populli nuk e ka ndjekur Partinë Demokratike në këtë aksion. Edhe sot, numri i protestuesve ishte fare i vogël. Edhe pse, sado vogël të jetë numri i protestuesve duhet respektuar, qoftë edhe një person i vetëm. Por çështja është edhe më e gjerë se kaq. A ja vlen që të harxhosh energji me protesta politike vetëm pesë muaj përpara zgjedhjeve parlamentare?

Duke parë bilancin e protestave që janë zhvilluar në kuadër të mosbidnjes civile, ato janë pa ndonjë rezultat domethënës. Protestat mund të kenë disa objektiva. Si për shembull dobësimin e qeverisë, zmbrapsjen e saj nga një projekt ligj, apo sensibilizmin e njerëzve për disa kauza të caktuara.

Asnjë nga këto objektiva duket sikur protestat e Partisë Demokratike nuk është arritur. Aq më pak është arritur objektivi i qeverisë teknike , dhe duket sikur me këtë forcë që kanë këto protesta nuk do të arrihet asnjëherë.

Në këtë kuptim, është e udhës që Partia Demokratike, nësë kërkon të ketë një rezultat të kënaqshëm në zgjedhjet parlamentare të 2025 duhet të ndryshojë strategji dhe mënyrë sjelljeje. Kjo nuk do të thotë që një parti politike nuk duhet të protestojë, por ta bësh këtë, të harxhosh kaq shumë energji për protesta politike që nuk kanë ndonjë rezutat është një gabim politik.

Ndërkohë që kundërshtari politik, Partia Socialiste, ka filluar tashmë prej shumë kohësh aksionin e saj politik në kudër të zgjedhjeve parlamentare, duket sikur PD ka ngecur në një rrugë që nuk të çon asgjëkundi. Vetëm pesë muaj përpara zgjedhjeve Partia Demokratike ende nuk ka filluar organizimin politik për zgjedhjet parlamentare. Ende nuk ka një vizion të qartë për Shqipërinë që t’ja përcjellë atë shqiptarëve. Madje, ende nuk ka një kandidat për kryeminsitër në garën elektorale të ardhshme.

Protestat e PD kaq afër zgjedhjeve janë pa kuptim, pa efikasitet dhe pa ndonjë bilanc në objektivat e saj. Ato vetëm sa demoralizojnë njerëzit dhe i largojnë ata nga Partia Demokratike. Ndoshta i vetmi synim se përse PD i ka foksuar energjitë e saj te protestat politike është monopoli i opozitës, duke krijuar idenë se ata janë e vetmja opozitë në Shqipëri. Por edhe këtë status, nëse vazhdojnë me këto aksione politike pa kuptim, të cilat janë larg interesave të qytetarëve dhe nga ajo se çfarë pritet nga një forcë politike afër zgjedhjeve, nuk do ta ketë edhe për shumë kohë, në fund.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gripi i shpendëve, vatër në Zall-Herr të Tiranës, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë: Morëm masat, u karantinua zona

Gripi i shpendëve, vatër në Zall-Herr të Tiranës, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë: Morëm masat, u karantinua zona