Kardiologjia, 2 muaj
radhë për biçikletën

Kardiologjia, 2 muaj <br />radhë për biçikletën
Në Qendrën Universitare Spitalore "Nënë Tereza", ata që vuajnë nga sëmundje të zemrës duhet të presin rreth 2 muaj për të bërë bicikletën. Kjo pasi, kjo aparaturë mund të gjendet vetëm në QSUT, ndërsa në spitalet e rretheve mungon fare. Si pasojë, të gjithë të sëmurët grumbullohen në QSUT, e cila e ka të pamundur të përballojë fluksin për të bërë këtë terapi të thjeshtë, por të rëndësishme.
Procesi i bicikletës për zemrën zgjat përafërsisht 7-10 minuta dhe gjatë gjithë kohës pacienti në fjalë është nën vëzhgimin e kardiologut që ndjek me vëmendje reagimet e zemrës së të sëmurit. Në bazë të grafikut që regjistron zemra e të sëmurit gjatë kohës që zhvillon bicikletën, vendoset edhe diagnoza më e qartë e sëmundjes si terapia më e mirë që duhet të ndjekë i sëmuri. Në të kundërt, pacientit nuk i jepet një kurë specifike, por vetëm disa medikamente të përgjithshme deri në bërjen e bicikletës. Por për këtë, ata janë të detyruar që të presin mesatarisht 2 muaj në radhë. Pacientët e siguruar e marrin falas në QSUT këtë shërbim, ndërkohë që ata të pasiguruarit duhet të paguajnë nga 6-12 mijë lekë të reja për ta marrë atë në privat.

Të sëmurët
Ata thonë se janë të detyruar të presin radhën, pasi nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për ta bërë ekzaminimin në privat. "Unë e kam lënë vizitën në fundin e tetorit dhe ma kanë caktuar pas datës 20 dhjetor. Të shpresojmë që edhe atëherë do ta bëj, se nuk i dihet", - na thotë njëri prej pacientëve, të cilin e takojmë në ambientet e spitalit, ku ka ardhur për të bërë një tjetër kontroll. Sipas tij, ai aktualisht merr medikamenteve, por merr gjëra bazë sa për ta mbajtur nën kontroll, pasi se çfarë ka konkretisht, do të përcaktohet pasi të bëjë bicikletën e zemrës. Thuajse e njëjta situatë është si për ata që janë të siguruar, por edhe për ata që janë të pasiguruar.
Ndërkohë që edhe këtu të bën punë miku. Nëse ke mik të fortë, sigurisht që bicikletën e zemrës mund ta bësh edhe brenda ditës, por përgjithësisht, për shkak të radhës së madhe, edhe ata që fusin miq duhet të presin dy javë deri në një muaj për të bërë këtë ekzaminim. Mjekët thonë se nuk është faji i tyre, por i mbipopullimit të këtij spitali, jo vetëm nga pacientët e rretheve që vijnë me rekomandim nga mjekët e tyre, por edhe të pacientëve që vijnë nga Kosova e Maqedonia.

Ciklorigometria jep diagnozën e saktë
Biçikleta e zemrës, e njohur ndryshe si ciklorigometria është një lloj ekzaminimi që shërben për të parë sesa ka avancuar sëmundja e ngushtimit të enëve të gjakut. Në gjuhën popullore kjo njihet ndryshe edhe si biçikletë e zemrës. Në përqindjen më të madhe të rasteve ajo jep edhe diagnozën e saktë të sëmundjes.
Ndërkohë që para saj të sëmurët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të zemrës, duhet të bëjnë "EKG" e zemrës, që shërben për përcaktimin e një prognoze të saktë të sëmundjes. Më pas duhet bërë një ekokardiogramë. Nëpërmjet kësaj grafie të zemrës, mund të zbulohen shumë detaje dhe shqetësime të këtij organi, që pacienti më parë mund të mos i ketë ndjerë.

shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë