Karl Paç, ‘dallëndyshja e parë e arkeologjisë shqiptare’, studiuesit: 2 udhëtimet e austriakut në Shqipëri, si e ndërtoi në 1922 muzeun e parë kombëtar në pronën e Toptanasve

“Fillimet e arkeologjisë dhe muzeologjisë shqiptare” si dhe kontributi i studiuesit austriak Karl Paç u diskutuan këtë të martë në një tryezë shkencore në Muzeun Historik Kombëtar. Historian e arkeologë, sollën në vëmendje fazat e para vrojtuese të ekspeditave arkeologjike në vend.

“Fillimet janë më të hershme se Paç. Lidhen me një brez udhëtarësh, që kishin interes në arkeologji, kryesisht anglez si William Martin Leake, i cili ishte konsull pranë Ali Pashës. Misionarët e parë të arkeologjisë vijnë nga Franca të dërguar nga Napoleoni i III-të, i interesuar për fushatën e Cezarit në Iliri në rrethinat e Durrësit, ku bënë dhe gjurmimet e para”, tregon arkeologu Neritan Ceka.

Arkeolog, historian e albanolog, Paç i mundësoi Shqipërisë një qasje më profesionale ndaj arkeologjisë.

“Kurse profesionistët e mirëfilltë siç është Karl Paç dhe kolegu austriak Kamilo Prashniker, vijnë në prag të Luftës së Parë Botërore. Paç vjen në fillimvitet ‘900, dhe është dallëndyshja e parë profesionale, kurse Prashniker ëhstë i pari që bën gërmime sistematike shkencore arkeologjike në Apoloni në vitin 1918. Pra kemi këtë gjeneratë që ishin francez dhe austriakë, por austriakët janë themeluesit e vërtetë të arkeologjisë në Shqipëri”, thotë më tej Ceka.

Studimi i tij u shtri në atë kohë në disa zona të Ballkanit.

“Paç që student ka bërë një studim mbi Strabonin në Ballkan, kryesisht në territorin e Ilirisë të asaj kohe. Në 1895 u bë themeluesi i një instituti të veçantë në Sarajevo, që ishte pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze në atë kohë dhe themeluesi i muzeut në Sarajevo, që është tërësisht me objekte ilire. Ka bërë dhe gërmimet e para në qendrat arkeologjike të Bosnjes dhe në Shqipëri ka qenë dy herë. Njëherë në fillmvitet ‘900 ku bën një udhëtim që fillon nga Berati dhe shkruan dhe librin ‘Sanxhaku i Beratit në Shqipëri dhe shkon në Kaninë, Orikum, Apoloni etj. Dhe është i pari që shkruan një libër mbi ilirët që u botua në vitin 1923. Është një libër që është gjithmonë në përdorim edhe për faktin se një pjesë të objekteve që ai përshkuan aty nuk janë më, janë zhdukur, edhe për shkak të dy luftërave botërore”, tregon Ceka.

Në vendin tonë, shënoi dy rrugëtime me rëndësi, ku pati mundësi të pasuronte literaturën e të çelte të parin muze në pronën e dhuruar nga familja e Toptanasve. 

“Viti 1922 shënon hapjen e Muzeut Kombëtar dhe të Bibliotekës Kombëtare në të njëjtën kohë. Ndërkohë doktor Karl Paç, u thirr nga Vjena nga ish-studentët e tij, nga Xhevat Korça, intelektual i shquar që vdiq në burgjet e komunizmit dhe Karl Gurakuqi, të dy inspektorë që punonin në Ministrinë e Arsimit, duke i kërkuar në mënyrë të veçantë të jepte kontributin e tij për hapjen e një muzeu kombëtar në Shqipëri. Jemi menjëherë pas rithemelimit të shtetit shqiptar pas Kongresit të Lushnjës, dhe kur fillojnë të gjitha institucionet kombëtare të krijohen. Ai ishte i njohur në Shqipëri edhe nga udhëtimi i parë në 1904-ën ku kishte krijuar një sërë grafikash por edhe për punimet për arkeologjinë. Përpos të tjerave ai kishte themeluar edhe Muzeun Arkeologjik të Bosnjes. Të njëjtin koncept ai do të ndiqte edhe në Shqipëri, ku krijoi edhe 3 ekspozita me rëndësi. E para, pasqyronte rezistencën e arbërve nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër perandorisë osmane, trashëgimisë së vjetër ilire dhe një histori të natyrës së Shqipërisë”, thotë historiani Dorian Koçi, dr. i Muzeut Historik.

Edhe pas largimit, Paç, siç rrëfen historiani Dorian Koçi, vijoi të ruajë interesin dhe komunikimin me elitën e vendit.

“Ai vazhdoi dhe mbeti një nga miqtë e Shqipërisë dhe ka pasur një korrespodencë të vazhdueshme me personalitetet e kohës . Ne po përpiqemi së bashku me Arkivën e Shtetit, që të nxjerrim një botim të përbashkët që kjo korrespodencë, së bashku me aktet juridike të kohës të jetë e dokumentuar”, thotë Koçi.

Sa i përket zbulimeve arkeologjike të gjetura në atë periudhë, institucionet vendase premtojnë t’i gjurmojnë.

“Objektet e zbuluara në atë kohë, për shembull ato të gjetura në Apoloni ndodhen në muzeumet e Vjenës. Duhet të kemi parasysh edhe kontekstin, sepse ishte Lufta e Parë Botërore dhe pjesa  më e madhe nxirreshin jashtë. Ne jemi duke u munduar së bashku me Arkivën e Shtetit të krijojmë një hartë gjurmimi nga viti 1922 deri në ditët e sotme se ku ka qenë një objekt i caktuar”, shton Koçi.

Janë të shumta artefaktet me prejardhje shqiptare sipas historianit që gjenden në muzeumet e huaja, dhe siç thekson, origjina e tyre njihet dhe është e dokumentuar edhe nga muzeu.

M.Q./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Logjika politike e guerriles së senatorëve të Sali Berishës

Ylli Pata: Logjika politike e guerriles së senatorëve të Sali Berishës