Karta e shëndetit, institucionet
nisin regjistrimin e personave

Karta e shëndetit, institucionet<br />nisin regjistrimin e personave
TIRANE- Pacientët tashmë nuk do të kenë nevojë për librezë shëndeti, por në vend të saj do të vendoset karta e shëndetit. kështu, pacientët të cilët janë edhe përfitues nga skema e sigurimeve shëndetësore, historikun e sëmundjes së tyre do ta kenë të hedhur në një sistem i cili do të jetë i disponueshëm për mjekët, ndërkohë që do të pajisen me kartën e shëndetit. Tek skeda e të sëmurëve do të përfshihet numri i vizitave tek mjeku i familjes, sëmundshmëria kronike, trajtimi në vazhdimësi dhe çdo informacion tjetër i nevojshëm.

Kjo kartë do ti bëjë të mundur mjekut të ketë më shumë informacion për historikun e sëmundjes së pacientit dhe trajtimit që i është bërë edhe në institucione të tjera shëndetësore, ndërkohë që do të kenë edhe më shumë mundësi për “t’u marrë me pacientin” se sa për plotësimin e dokumentacioneve. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave i cili ka përcaktuar edhe të gjitha institucionet të cilat do të përpilojnë dhe japin informacione mbi personat e siguruar.

Kjo kartë shëndeti do të bëjë të mundur lidhjen me anë të numrit të kartës së identitet me personin përfitues, duke ofruar mundësi për shkëmbim të të dhënave mes institucioneve të tjera në sistem. Po kështu me disponimin e saj do të jetë e panevojshme paraqitja e pacientit pranë degëve të fondit për të rinovuar librezën sa herë ajo konsumohet. Një tjetër risi është edhe informimi nga sistemi elektronik i mjekut të familjes për statusin e personit përfitues si dhe krijimin e lehtësirave për saktësimin dhe identifikimin e përfituesit, si dhe informacionin përkatës për shërbimet e përfituara që ka pasur ky pacient. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024