Kasem Trebeshina, shkrimtar e dramaturg, që shumëkush e cilëson si disidenti i vetëm shqiptar, të tjerë e akuzojnë si themelues i Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpuntor i tij...është një personazh tejet i lakuar e kontravers. Si rrjedhojë e debateve të shumta ku është përfshirë, emri i tij tashmë tërheq vëmendjen në çdo rrethanë. Kështu ndodhi edhe me këtë dokument, një letër e daktiloshkruar dhe e firmosur prej tij në 19 janar 1945, menjëherë pas çlirimit të vendit, kohë kur Trebeshina ishte zv.Komisari i Brigadës XII-të, thënë ndryshe sekretari i Partisë aty.
Letra e tij i drejtohet Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare dhe është një raport mujor që Trebeshina bën mbi gjendjen e Brigadës së XII ku ai është zv.Komisar. Raporti i tij është i hollësishëm, një skaner i kësaj brigade, duke kërkuar me ngulm defektet, njerëzit e dobët, ata që s’kanë formimin e duhur partiak, analfabetët dhe fshatarët që sundojnë e që janë kthyer sipas tij në pengesë për të përparuar në vijën partiake... Trebeshina 18-vjeçar, jep hollësi dhe kritikon hapur eprorë e tij komandantin dhe zv.komandantin e Brigadës, e mandej trajton emër pas emri gjithë anëtarët e komitetit të Brigadës dikush, i ngritur, optimist, e një tjetër pak i plogët, jo shumë i ngritur, e me pikëpamje të gabuara...
Ky dokument i pabotuar është përzgjedhur nga redaksia si pjesë e një serie shkrimesh e materialesh për udhëheqësit komunistë të Luftës, intrigat mes tyre, eleminimet me dhe pa gjyq, për gnjarje e personazhe të famshme, dhe shpesh mjaft enigmatikë...
Dokumenti i plotë...
19.01.1945
Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare
Të dashur shokë,
Me anë të kësaj letre ju vë në dijeni gjendjen e Brigadës XII dhe të organizatës së Partisë.
Gjendja politike – Brigada është në një nivel të ulët politik pse ka munguar mënyra e punimit me plan. Planin e muajit dhjetor nuk e punuan si duhet pse vetë përgjegjësit ishin në një nivel të ulët politik kështu që konferencat nuk u sqaruan si duhet dhe byrotë nuk ditën ta ndanin në plane të afërm dhe t’u vinin në ndihmë shokëve, kështu që partizanët përfituan fare pak, në 20%, e pjesa tjetër gati hiç; prej efektivit të Brigadës në 15% nuk japin shpresa përmirësimi pse janë pleq dhe njerëz të leshtë. Partizanët në përgjithësi janë fshatarë dhe fare të pazhvilluar.
Gjatë muajit dhjetor u zhvilluan këto konferenca: Vendimet e këshillit dhe të qeverisë; Organizata e Frontit Politik; e BGASh-it; e BRASh-it; Roli i Ushtrisë, i rinisë, i gruas në rindërtim.
Te partizanët tendenca e demobilizimit ka marrë një formë lejesh (kërkesë-lejesh).
Në Batalionin IV më parë qarkullonin parullat e reaksionit: Mosbarazim midis minoritarëve dhe shqiptarëve; Heqja e Brigadës XIX si minoritare dhe madje pesë partizanë dezertuan. Këto parulla u luftuan me anë të një konference përmbi minoritetin dhe pasi partizanët kërkuan sqarime përmbi çështjen e Greqisë u bë një sqarim rreth ndërhyrjes angleze duke pasur mendjen në mos prekjen e aleancës.
Buletinet e ndryshme të ardhura nuk kanë qenë punuar në rregull. Me ardhjen e planit të caktuar nga lart u një mbledhje e përgjithshme e përgjegjësve politikë ku u punuan udhëzimet e ardhura për kryerjen e detyrës së komisarëve. Parashikohet të korret një farë suksesi megjithëqë përgjegjësit janë shumë ulët politikisht.
Nga komisarët e batalioneve jep shpresë të shkojnë përpara: Latif Shehu, jo shumë i ngritur, por i arsyeshëm dhe punëtor; Xhermal Orhani, jo shumë punëtor por praktik dhe mund të japë më shumë në pushtet (ekonomi), i arsyeshëm në zgjidhjen e problemeve të ndryshme.
Gjendja ushtarake – Ushtarakisht Brigada qëndron mirë, shpirti sulmues nuk u mungon partizanëve por ka munguar udhëheqja e mirë. Marrëdhëniet e shtabeve nuk janë shumë të mira; oficerët janë trima në përgjithësi por nuk janë në gjendje të manovrojnë forcat që komandojnë. Komandanti dhe zëvendësi i tij nuk janë të aftë për ta kryer barrën që kanë përsipër dhe shumë herë janë bërë objekt talljeje për shtabet inferiore me sjelljen e tyre të pamatur. Lënda ushtarake e punuar në konferencë: Rojet; patrullat; patrullat zbuluese; ndërlidhja në luftë; jeta në kazermë. Edhe në shtabet është punuar por jo në rregull materiali i ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm.
Përgjegjësit gjatë udhëtimit nuk kanë qëndruar në krye të partizanëve dhe kjo uli poshtë moralin partizanëve dhe shkaktoi dezertimin e gjashtë partizanëve (ngaqë nuk punohej në rregull me ta).
Tani partizanët, me punën që është bërë, janë më të disiplinuar dhe kjo po merr një karakter koshient.
Vlen të shkojë përpara komandanti i Batalionit IV Shuqri Ajazi, aktiv, manovrues dhe organizator ushtarak. Komandanti i batalionit III Sami Bineri është shembull imoraliteti dhe inaktiviteti. Bedri Kondi aktiv dhe administrator (komandant i Batalionit II).
Gjendja organizative – Numri i anëtarëve të Partisë arrin në 168 veta, prej të cilëve 10 analfabetë. Anëtarët e Partisë në përgjithësi janë shumë ulët dhe nuk kanë një zhvillim të përgjithshëm dhe s’kuptojnë kollaj. Celulat nuk e kanë marrë akoma formën e tyre, gjithashtu edhe byrotë.
Lënda teorike e punuar është kjo: Zhvillimi ekonomik; Historia e Partisë; Kongresi i Përmetit. Këto nuk janë bërë në formë referati, por duke lexuar, kështu që kanë përfituar fare pak dhe pak anëtarë.
Mbledhjet e celulave kanë qenë të rregullta që kur erdhëm në sektor, një herë organizative dhe dy-tre herë edukative, por nuk kanë qenë të shëndosha e anëtarët vinin fare të papërgatitur; sekretarët e këtyre celulave janë shumë të dobët dhe duhet një kohë që të vijnë në rrugën e drejtë. Anëtarët nuk janë në gjendje të flasin as të diskutojnë përmbi situatën dhe as të ndajnë e të raportojnë punën e tyre.
Celulat e shtabeve janë po në një gjendje të dobët dhe s’kanë qenë mbledhur në rregull. Celula e Batalionit III ka pasur dhe disharmoni pse: komandanti inaktiv, komisari pak egoist, zëvendës komisari i paaftë të predominojë e të japë vendimin e drejtë e t’u ndihmojë me udhëzime. Lidhjet e celulave me partizanët nuk janë shumë të forta.
Mbledhjet e byrove kanë qenë të vdekura dhe të pamësuara të punojnë me plane të caktuara, kanë pasur një tendencë të gabuar duke mos e kuptuar si forum byronë që kontrollon gjithë punën e batalionit. Janë bërë mbledhje të përgjithshme ku janë punuar qarkoret e Komitetit Qendror dhe në mbledhjet e byrove u është shpjeguar mënyra e punimit në to dhe ç’janë. Megjithëse i pakët, por është parë njëfarë përmirësimi dhe lëvizjeje.
Nga zëvendës komisarët jep shpresa të shkojë përpara më shpejt se të tjerët, Nane Kutra, aktiv, i vendosur, i arsyeshëm, po i pazhvilluar e i mbyllur; të tjerët janë shumë prapa.
Celula e shtabit përbëhet prej pesë vetash. Mbledhjet nuk i ka pasur të rregullta dhe akoma s’e ka marrë formën e një celule. Komandanti, element i fjetur, egoist, kapriçoz, ambicioz, inaktiv, pa vullnet, është parë dy ose tre herë i pirë. Zëvendëskomandanti Mehmet Jahua, nevrik, egoist, punëtor, i zellshëm, i mungon zhvillimi i përgjithshëm, nuk e peshon dot veten. Qemal Klosi, komisar aktiv, i zellshëm, i mungon zhvillimi i përgjithshëm, mundohet të ndihmojë por s’mundet shumë, ka simpatinë e partizanëve. Piro Koçi (nuk është mbledhur asnjëherë në celulën e shtabit – rishtas është propozuar), jo shumë i guximshëm, punëtor, i ngritur, nuk ka bërë jetë partie të rregullt.
Kuadrot e batalionit janë: Nane Kutra – zëvendës komisari i batalionit I; Latif Shehu – komisar i Batalionit II; Vaso Boshnjaku – zëvendës komisar i Batalionit III; Luto haxhi – zëvendës komisari i Batalionit IV.
Kuadrot e kompanive janë: Isuf Daci, Sevo Rapi, Theodhor Gjoni, Rasho Goxho, Elmas Smailati, Kalo Rushiti, Gjolek Ymeraj, Sami Dino, Mit Sota, Sofia Gero, Qani Musai, Tomorr Çomo, Vangjel Milo, Enver Çomo, Agron Çomo. Disa janë komisarë kompanish. Janë shtuar 47 anëtarë Partie gjatë dhjetorit dhe këtij muaji.
Rinia – Më parë kanë qenë 332 të rinj komunistë tani janë 270; 62 shkuan në Brigadën III të mbrojtjes. Komitetet e batalioneve janë komplet por nuk kanë qenë ndihmuar sa duhet prej shokëve të Partisë, gjithashtu dhe shokët që punonin në Rini nuk e kanë ndjerë të nevojshme bërjen e jetës së partisë në ndonjë celulë dhe BRASh-i janë konsideruar me Rininë Komuniste si dy organizata. Brigada la 846 të rinj.
Komiteti i brigadës akoma nuk e ka marrë formën e tij dhe t’u vijë plotësisht në ndihmë të rinjve nuk mundet. Ky komitet përbëhet prej këtyre elementëve: Piro Koçi; Qemal Shehu, aktiv, i ngritur, optimist, jep shpresa të përmirësohet; Thanas Jani, pak i plogët, jo shumë i ngritur, ka një kulturë të përgjithshme, ka disa pikëpamje të gabuara; Agaçe Laveri, i ri në punë, i turpshëm, ka qejf të punojë por nuk është shumë i thellë; Mina Sava, jo shumë guximtar, jo shumë i qartë politikisht, i hedhur në punë.
Të gjithë anëtarët e komitetit me punimin e qarkores së Komitetit Qendror që bënte fjalë për rininë kanë filluar të përmirësohen gjithashtu dhe shokët e tjerë të orientohen. Puna ka filluar të marrë rrugën e drejtë.
Komiteti i Batalionit I është më i ngrituri dhe që jep shpresa të shkojë përpara më parë se të tjerët. Në mbledhjen e këtij komiteti rrihet deri diku një farë situate dhe shihet një farë serioziteti në këqyrjen e problemeve të rinisë, ndërsa tre komitetet e tjerë nuk e kanë marrë akoma formën e komiteteve. Rinia e batalionit I është rinia më e gjallë e Brigadës.
Lënda e punuar në aktivet: Komunizmi e shoqëria e ardhshme; Nëna dhe kalamaj në BS; Katundarëve të varfër dhe në disa aktive Kongresi i Përmetit. Janë punuar gjithashtu: “Kushtrimi i Lirisë” dhe gazeta të tjera muri e xhepi. Gazeta e xhepit të brigadës është në nr. 4.
Lënda e punuar më sipër nuk është tretur pse të rinjve u mungon zhvillimi i përgjithshëm dhe përgjegjësit janë shumë ulët për t’i punuar.
Rinia merr pjesë gjallërisht në luftimin e analfabetizmit dhe ka midis radhëve të saj 178 analfabetë prej të cilëve 22 të Rinj Komunistë.
Rinia në bashkëpunim me Agit-Prop. dhe me rininë e qytetit ndërtuan një skenë teatrale dhe në Sarandë po punojnë për t’i dhënë një formë më të mirë rrugës kryesore të qytetit të shembur nga lufta.
Rinia Komuniste ka dhënë afër 20 anëtarë partie gjatë dhjetorit dhe këtij muaji, por ngaqë nuk dihej mirë nuk ka qenë respektuar struktura e Rinisë, kështu që janë dhënë miks.
Kandidatët – Janë gjithsej 88 kandidatë në një nivel të ulët politik dhe ndahen kështu: Bat. I – 20, Bat. II – 18, Bat. III – 38, Bat. IV – 12.
Këta kanë mbajtur konferenca të ndryshme (disa) në partizanë por pasi nuk janë bërë të përgatitura nuk është marrë fryti i tyre.
Në këta kandidatë është punuar një pjesë e katundarëve të varfër.
Puna në këta nuk është kryer me rregull dhe e shëndoshë.
Kulturë-arsim – Niveli kulturor i partizanëve është i ulët pse nuk është bërë punë sistematike e shëndoshë. Lënda e punuar ka qenë: Historia e Shqipërisë prej Skënderbeut; Gjeografi e Shqipërisë, Pak astronomi.
Në brigadë ndodhen 385 analfabetë të cilët shkallëzohen në këtë mënyrë: Klasa I (që mësojnë germat) – 180; Klasa II (që mësojnë të lidhin fjalë) – 108; Klasa III (që diktojnë) – 97.
Grupi teatral i brigadës ka bërë një shfaqje me rastin e Vitit të Ri për partizanët e popullin. Një shfaqje tjetër ka bërë dhe Batalioni III në Sarandë për partizanët. Me gjithë varfërinë e skenave prapë shfaqjet patën sukses politik dhe nga pikëpamja e artit nuk paraqitën të meta të mëdha.
Agit-Prop.-i nuk funksionon në rregull për arsye se mungojnë elementët në batalione e kompani. Komunikata del e përditshme në bazë të transmetimeve që bën radio. Gazetat e murit e të xhepit janë në disa batalione në disa batalione nr. 4 e në disa në nr. 5.
Grupet koralë nuk janë në rregull për arsye se u mungon zhvillimi dhe veshi muzikor se janë fshatarë. Duhet një kohë që të fitojnë këtë cilësi.
Sanitari dhe Intendenca nuk janë në rregull pse ka mungesë elementesh të aftë për këtë punë.
Formacionet e celulave:
Batalionet | Komp. I | Komp. II | Komp. III | Komp. IV |
Toga | Shtabi | Shuma |
I | 8 | 11 | 10 | 9 | 7 | 4 | 49 |
II | 7 | 6 | 5 | 5 | - | 4 | 27 |
III | 8 | 8 | 8 | 8 | 4 | 4 | 40 |
IV | 7 | 8 | 7 | 7 | 6 | 4 | 39 |
Agit-Prop.-i | 8 | 8 | |||||
Shtabi i Brigadës | 5 | 5 | |||||
Gjithsej: | 168 |
Të fala shoqërore
Zëvendës Komisari i Brigadës XII
Kasëm Trebeshina
Fondi Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste Shqiptare
Përmbajtja e dosjes
Raporte mujore të brigadës së XII-të për probleme politike e organizative dhe propozimeme për ngritjen e kuadrit në përgjithësi.
Data e dokumentit të parë 21. VII.1044, data e dokumentit të fundit 19 .1. 1945.
Dosja ka 30 fletë... dokumenta 8
Shkrimi u publikua sot (19.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)