Kastro Zizo: Arian Çani, Gjebrea
dhe Krasta bëhen personazhet e mi

Kastro Zizo: Arian Çani, Gjebrea <br />dhe Krasta bëhen personazhet e mi
TIRANE - “Kasketa”, një emision i ri i konceptuar si një reality show do të shfaqet çdo të mërkurë dhe të shtunë ora 23:00 në A1 Report. Moderatori i këtij emisioni Klevis Bega, i njohur nga të gjithë si Kastro Zizo, rrëfen në intervistën për “Shqiptarja.com” çelësin e sfidave me emisionin e ri. Emisioni sipas tij është ndërtuar në bazën e një koncepti fiction apo reality show, që do të zbulojë karakterin e personazheve nën "Kasketë". Do të zbulojmë “çfarë misteri fshihet në trutë e tyre”, thotë moderatori Ziso.

Duke na zbuluar disa nga surprizat, i bindur se do të ketë më pas shumë të tjera që grishin shikuesit, Kastro Ziso rrëfen se në puntatën e parë do të jetë i ftuar showman-i i njohur Arian Çani. Kastro Ziso, i prirur për të qenë i çlirët dhe i lirë më mënyrën e tij të menduarit, është i sigurt se do të nxjerrë nga koraca “e klisheve” të të qenit personazhe VIP pjesën më humane. “Unë do të dija të nxirrja nga personazhet gjërat më interesante, sepse të gjithë jemi interesantë në llojin tonë, pavarësisht se duhet zbuluar cila është interesantja”, thotë Ziso. E ka nisur me pasion këtë emision dhe në mendjen e tij tashmë lodron një tufë konceptesh dhe një skenar interesant, për të cilin shprehet se: “po e bëj me qejfin më të madh, duke krijuar një funksion të fortë që krijohet zakonisht mes dy duarve, që do të kuptohet si funksion mes A1 Report dhe Kastro Zisos”.

Kastro, siç po shohim e keni nisur me pasion emisionin “Kasketa” që do të vijë së shpejti në A1 Report. Çfarë është për ju ky emision?
Është një kontrapunkt midis realitetit dhe asaj që ne e quajmë fantazi apo ëndërr. “Kasketa”, jo pa qëllim ka këtë emër sepse është bazuar në logjikën se çfarë ndodhet poshtë kësaj kaskete. Ka tru apo nuk ka tru poshtë saj. Veçanërisht do të ftohen personazhe që janë shqiptarë, por do të ketë edhe të huaj në serialet e ardhshme të këtij emisioni. Sipari i tij do të fokusohet në një thelb humanist të njeriut që jeton mes fantazisë dhe realitetit që në thelb kemi krijuar. Sigurisht është një angazhim im i ri që po e bëj me qejfin më të madh, duke krijuar një funksion të fortë që krijohet zakonisht mes dy duarve, që do të kuptohet si funksion mes A1 Report dhe Kastro Zisos.

Keni prekur një temë aktuale interesante, kur thatë se do të preket “pseudorealiteti që kemi krijuar vetë”. Është ky pseudorealitet një krijesë që po mban tashmë peng rrugën e zhvillimit tonë...
Në fakt, realitetin në Shqipëri e kanë krijuar individët dhe individët krijojnë mentalitetin e masës dhe kjo masë që është krijuar është e zotëruar nga një kupolë politikanësh. Këta kanë krijuar një pseudorealitet të tyren që zotëron edhe masat, që rezulton se është shqiptari vetë me thelbin e tij si individ që nuk di ku është sot në ajër apo në tokë.

Cilët do të jenë personazhet e emisionit “Kasketa”?

Kryesisht unë nuk kam vënë limite të njerëzve publikë apo të thjeshtë se në emisionin tim do të ketë një dritare ku unë gjej njerëz interesantë për të thënë gjëra interesante që do ta ta zhbëjnë këtë realit nga fantazia për ta sjellë me këmbë në tokë.

Tirana ka me dhjetëra televizione dhe besoj se ju kanë ofruar bashkëpunime. Pse zgjodhët pikërisht A1 Report?
Në fakt, duke qenë një TV i ri, është më i prirur drejt sfidave. Unë jam shumë qejfli i sfidave. Përpos ca gjërave personale që i kam lënë pezull, si të thuash në mes, gjëra të tjera të kësaj natyre edhe kur i kam nisur i kam bërë madhore. Të shkojmë përtej modestisë, Ai Report është thjesht një dritare e vogël që më hapet dhe unë do ta bëjë një vilë shumë të madhe.

Ka emisioni ndonjë surprizë ose grishje të veçantë?
Në emision do të flasim kryesisht për jetën dhe vdekjen. Bazamenti i emisionit qëndron tek vdekja, meqë është gjëja më e madhe që e prek dendur jetën. Jeta ka dhe ajo probleme konkrete, përpos asaj që ne e quajmë jetë, duke mos konceptuar në fakt nëse është reale apo jo. Këtu në këto bazamente do të mbështetet emisioni. Mund të them se është në trajtën e një reality show, në trajtën fiction, që ndërthuren me njëra- tjetrën dhe ka luhatje që janë pastaj njerëzorë, zhvillime midis meje dhe personazheve. Kryesisht kanë gjëra interesante, edhe tipat që unë marrë në këtë show. Kjo kërkon përzgjedhje, duke ditur për ta.

Kjo do të thotë që ju jeni përplasur me jetën dhe i njihni njerëzit ndryshe nga ata që i njohin nga zyrat, TV-të dhe kompjuterat. Apo jo?

Në fakt nuk jam fort i madh vetëm 29 vjeç, por realisht jeta më ka përplasur me lloje-soje tipash dhe karakteresh dhe situata të ndryshme. Tashmë kam fituar një lloj aftësie që njerëzit i njoh shpejt me një takim dore. Por edhe pa këtë përvojë, unë do të dija të nxirrja nga personazhet gjërat më interesante, sepse të gjithë jemi interesantë në llojin tonë, pavarësisht se duhet zbuluar cila është interesantja.

Mund të na thoni disa nga personazhet që do të vijnë tek “Kasketa”?

Kam Arian Çanin, Nazarkon. PO mund t’i zbuloj disa: Mevlan Shanaj, Adi Krastën, Ardit Gjebrean, Edi Ramën, etj. Do të ftoj njerëz pikantë dhe që janë publikë në haremin tonë, se ne jetojmë vetëm në një harem të madh. Pra, këta janë njerëzit që unë marrë. Unë kryesisht i konsideroj si klientë. Me një ndryshim që unë nxjerr anën më humane, më të prekshme që është larg klishesë së njohur.

Shfaqja e anës së vërtetë humane është edhe më brishta, i rrëzon ose i ngre vipat? Ju, veçanërisht shfaqeni me pjesën tuaj të brendshme, atë që zakonisht nuk duhet zbuluar. Çfarë sfidash dhe disfatash ju ka sjellë në jetë?
Shumë interesante pyetja. Disfata ka qenë shkaku dhe pastaj kanë ardhur sfidat. Sfidat dhe disfatat më shoqërojnë dhe përgjithësisht e ndjej veten që sfidoj edhe pas ndonjë disfate, siç është kjo me A1 Report, që unë e di se do t’ia dalë...

Kostumi juaj do të jetë një klishe apo do të drejtoni me këtë kastekë që mbani në kokë?
Meqenëse emisioni në formën e një reality show dhe në momentin që unë qarkulloj shfaqem me stilin tim të jetës, stilin tim të jetës do ta bëj stilin e atyre që më shohin.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det, u arrestua sot! Do i vendosnin tritol anijes 'Finikas Lines', ishin konkurentë në linjën Sarandë-Korfuz

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det, u arrestua sot! Do i vendosnin tritol anijes 'Finikas Lines', ishin konkurentë në linjën Sarandë-Korfuz