Katër perlat arkitekturore
të Durrësit në mëshirë të fatit

Katër perlat arkitekturore<br />të Durrësit në mëshirë të fatit
DURRES- Në vitin 2007 drejtuesit e Degës rajonale të monumenteve të kulturës paraqitën në Institutin përkatës dokumentacionin e plotë me një kërkesë të qartë: katër nga godinat më të rëndësishme për historinë dhe traditën arkiteturore të qytetit në shekullin e 20-të të shpalleshin „Monument Kulture“ dhe të fitonin statusin e mbrojtjes nga shteti. Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk ktheu asnjëherë përgjigje, duke dëshmuar kështu edhe mungesën e interesit për to.

Po cilat janë katër godinat e ndërtuara në vitet 1920-1930 në qytetin e Durrësit, që kanë patur fat të ndryshëm nga njera tjetra dhe që nuk arritën të bëheshin pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura.

Bashkia e qytetit, Vila mbretërore mbi kodër, Banka e shtetit dhe godina e hotelit që vazhdon të thirret me emrin “Vollga” janë ndërtuar 80-90 vjet më parë në katër pika determinuese, duke i hapur rrugë vizionit për zgjerimin e ardhshëm të Durrësit, qytetit që numëronte me vështirësi 7-8 mijë banorë.

Godinat përfaqësuese u ndërtuan gjatë dekadave të para të shekullit të kaluar, atëherë kur qyteti-port njohu një zhvillim të vrullshëm dhe marrëdhëniet e tij me Italinë fqinje iu rikthyen kohëve antike.
Drejtoria rajonale e monumenteve të kulturës përgatiti dokumentacionin përkatës dhe kërkoi vënien e tyre nën mbrojtjen e përhershme të shtetit, por materialet mbetën pa përgjigje. Megjithatë në Planin e përgjithshëm rregullues të qytetit, të miratuar para disa muajsh këto godina konsiderohen si pika referimi për të ardhmen e qytetit.

Aktualisht, statusin “Monument kulture” në Durrës përveç objekteve antike dhe mesjetare në Durrës e ruan edhe shtëpia karakteristike e shekullit të 19-të, në të cilën ka kaluar disa nga vitet e fëmijërisë aktori me famë evropiane Aleksandër Mosiu dhe që shërben edhe si Muze etnografik për trevën e Durrësit.
 
Godina e Bashkisë, 80 vjet institucion vendor
Menjëherë pas tërmetit të vitit 1926, që shkatërroi rëndë pjesën qëndrore të qytetit administrata bashkiake hartoi një plan rregullues për qytetin.

Dy kate e gjysëm mbi tokë, me formë kuadratike dhe me kullën e sahatit në anën perëndimore Bashkia është mjaft funksionale edhe sot kur qyteti ka një popullsi rreth 25 herë më të madhe. Ajo ka dy hyrje, duke lehtësuar vizitat zyrtare dhe lëvizjen e qytetarëve dhe punonjësve pa krijuar shqetësime. Megjithëse nuk është shpallur monument kulture kjo godinë prej më shumë se 80 vjetësh ka shërbyer vazhdimisht si institucioni kryesor I pushtetit vendor, çka e ka ruajtur të padëmtuar strukturën themelore të saj.

Rikonstruksioni I plotë në vitin 2005 mundësoi ruajtjen e fasadës kryesore, duke rimodeluar mjediset e brendshme, por mbi të gjitha duke konservuar një godinë të rëndësishme për historinë e re të qytetit.
 
Banka e Shtetit, godina e kartolinave
Fotot e vjetra – kartolina të Bankës së Shtetit na sjellin në kujtesë një godinë të ndërtuar buzë limanit detar, ngjitur me pallatin e Princ Vidit ku ishte ngjizur një pjesë e historisë së shtetit të ri shqiptar. Godina luksoze me mjedise që I bëjnë nder edhe sot reklamave televizive bankare ishte një shprehje tjetër e interesit financiar të fqinjëve italianë në brigjet shqiptare.

Njëlloj si në rastin e Bashkisë “fati I mirë ” desh që 80 vjet pas ndërtimit aksionerët e Bankës Kombëtare Tregtare, që janë bujtësit aktualë të saj e rindërtuan fasadën në përpjekje për ti rikthyer shkëlqimin e dikurshëm.
Qyteti 3000-vjeçar përfitoi një pikë tjetër referimi të historisë së tij moderne, megjithëse godina nuk e ka statusin “Monument kulture”.
 
Vila mbretërore, bukuroshja e pafat
Ndërtesa në qendër të një sipërfaqeje prej 5400 metra katrorë I është rikthyer pasardhësve të familjes mbretërore me një vendim të 2006, por shpresa për rikonstruksionin e plotë të saj po venitet pak nga pak.
Para pesë vitesh skela shumë të larta me plasmas rrethuan godinën, që ishte plaçkitur keqas në marsin e mbrapshtë të vitit 1997. Megjithëse zyrtarisht nuk u tha asgjë, fjalët që qarkulluan e shikonin ndërtesën me arkiteturë italiane si një godinë me të ardhme turistike të nivelit VIP, e cila sidoqoftë do të ruante të paprekur fasadën e ndërtuar në periudhën e Monarkisë. 

E parë nga lart godina i ngjan shqipes me dy krahë ndërsa në ballë të saj shihet ende e ruajtur mirë një figurë e Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve, e hipur mbi kalë.

Vila ka shërbyer gjatë periudhës komuniste si rezidencë zyrtare për pritjen e delegacioneve të huaja. Në dhomat e projektuara për çiftin mbretëror kanë fjetur disa nga njerëzit më të fuqishëm të bllokut lindor nga sovjetiku Hrushov e kinezi Çu En Lai, deri te princi kamboxhian Samde Norodom Sihanuk.  Bujtësit e fundit, një përfaqësi e parlamentit polak, janë strehuar në Vilë vetëm pak ditë para plaçkitjes masive të marsit 1997.
Edhe sot pamja që ofron deti nga ballkonet e godinës së shkatërruar është e mahnitshme, por themelet e saj po gërryhen nga erozioni dhe ndërtimet e paligjshme pranë saj. 
 
Hotel “Vollga”, e ardhmja e panjohur
Godina e ish-hotelit “Vollga”, më i vjetri dhe më i njohuri në qytetin e Durrësit po degradon ditë pas dite. Ndërtesa ka pësuar një amortizim të dukshëm dhe rrethimi me llamarina e ka shëmtuar pamjen në hyrje të shëtitores bregdetare.
Hoteli pranë shëtitores Taulantia ndodhet në të njejtin kompleks me Torrën veneciane dhe është ndërtuar në vitin 1940, një vit pas fillimit të luftës së dytë botërore. Fillimisht ai morri emrin “Albergo dei Dogi” (Hoteli i Dozhëve). Emri “Vollga”, që i përket kohës së miqësisë komuniste me Bashkimin Sovjetik është i dyti në radhën e kësaj liste, pasi emërtesa e fundit ka qenë “Iliria”.

Katër godinat kanë patur fate të ndryshme, por kujtesa qytetare I vlerëson njëlloj dhe statusi “monument kulture” do ta bënte më të lehtë ruajtjen e ndërtesave të ndërtuara 80 vjet më parë.

Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Çfarë pritet nga zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar?

Çfarë pritet nga zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar?