Katalonja është e vendosur të shkojë në referendumin për pavarësi nga Spanja, më 9 nëntor, duke sfiduar blloqet ligjore të ngritura nga qeveria spanjolle. Këtë e bëri të ditur vetë presidenti i Katalonjës  Artur Mas, pas një takimi me partitë politike i cili zgjati rreth 7 orë.

Udhëheqësi 58-vjeçar përsëriti synimin e katalanasve për të ecur përpara me një referendum. “Ne po përballemi me një shtet armiqësor që po përpiqet të ndalojë Katalonjës të mos marrë pjesë në votim, Por ne do të vijojmë me këtë proces i cili do të përfundojë më 9 nëntor me një votim.” Gjykata Kushtetuese tha të hënën se do të rishikojnë ligjshmërinë e votimit.

Udhëheqësi i Katalonjës, Artur Mas ngriti dy ditë më parë një panel për mbikëqyrjen e një referendumi për pavarësinë muajin e ardshëm, duke sfiduar qeverinë qendrore të Spanjës e cila ka bërë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar votimin. Kjo ishte lëvizja e parë zyrtare në përgatitjen e votimit të planifikuar për ndarjen nga Spanja, pasi Kushtetuesja ra dakord të hënën për të shqyrtuar ligjshmërinë e referendumit.

Katalonja ka një popullsi prej 7.5 milion banorësh, të përqendruar kryesisht në Barcelonë duke pasur një gjuhë dhe kulturë të veten. Madridi, i shqetësuar nga shkëputja e Katalonjës, një nga rajonet më të pasura, argumenton e çdo referendum për shkëputje do të ishte kundër Kushtetutës së vitit 1979.

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)