TIRANE - Trajneri i ekipit të Sllovenisë po përgatitet intensivisht për ndeshjen përballë Shqipërisë që do të zhvillojë ditën e premte në Lubjanë, në shtëpinë e tij. Por pavarësisht kësaj, Katanec i trembet ekipit të De Biasit duke parë ndeshjet e fundit që ka zhvilluar brenda dhe jashtë vendit. Në një intervistë për mediat vendase, Katanec vlerëson maksimalisht Shqipërinë dhe i bën thirrje ekipit të tij që të bëjë mjaft kujdes nga zbritjet e shpejta.

“Shqiptarët kanë një ekip shumë të fortë dhe tmerrësisht agresiv. 90’ mendoj se do të jetë një luftë nervash me shqiptarët në fushë. Nuk do të luajmë me tre mbrojtës, si me Finlandën sepse ata janë më të parashikueshëm. Por kanë një veçori tjetër. Luajnë mirë topin e parë, topat e gjatë. Janë të gjatë dhe të fuqishëm dhe shumë agresive në lojë. Mbulojnë një për një dhe e përsëris, janë tmerrësisht agresivë.

Unë pres që ai i cili do të fitojë ndeshjen, më parë duhet të fitojë mesfushën e kundërshtarit”, është shprehur Sretko Katanec, që e njeh shumë mirë forcën e Shqipërisë. Katanec dy herë ka qenë kandidat për postin e trajnerit të kombëtares së Shqipërisë, por asnjëherë nuk u emërua. Shqipëria, Slloveninë ndeshjen e parë e mundi me rezultatin 1-0 në Tiranë, pas një loje shumë të mirë të zhvilluar nga ekipi i De Biasit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.09.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)