KATAR 2022/ E pabesueshme në Doha, Arabia Saudite i merr 3 pikët Argjentinës pretendente! E mposht 1-2 (VIDEO-GOL)

Surprizën e parë të madhe në Botërorin e Katarit e ka bërë Arabia Saudite. Kjo kombëtare siguroi 3 pikët duke përmbysur me rezultatin 1-2 Argjentinën në harkun kohor të 5 minutave.

Në Doha në minutën e 10 u krijua përshtypja se amerikano-latinët do e kishin shumë të thjeshtë, referuar golit të Messi-t me penallti. Në vijim ‘ylli’ argjentinas do realizonte edhe njëherë, por ashtu si goli i tij edhe dy të Lautaro Martinez u anuluan me VAR për pozicion jashtë loje.

Në pjesën e dytë ishte komplet një muzikë tjetër. Fillimisht në minutën e 48 Al Shehri riktheu baraspeshën, ndërsa e paimagjinueshmja erdhi vetëm 5 minuta më pas. Al Daësari realizoi një supergol duke përmbysur shifrat dhe duke vulosur rezultatin në të njëjtën kohë. Edhe pse kishte shumë minuta lojë Argjentina u tregua e dobët të paktën për të barazuar.

Kjo ishte ndeshja e parë e grupit C ku bëjnë pjesë edhe Meksika me Poloninë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:40
U mundën nga Arabia Saudite, habit Di Maria: Duhet të fitonim 5-0

Arabia Saudite fitoi 2-1 me Argjentinën në Botërorin 2022. Për grupin C të kompeticionit, skuadra nga Lindja e Mesme ka bërë surprizën më të madhe deri tani në këtë event. Ylli i Argjentinës, Angel Di Maria ka thënë se mund të fitonin 5-0 këtë ndeshje.

"Mund ta kishim fituar ndeshjen kundër Arabisë Saudite 5-0. Tani kemi dy finale para nesh dhe do të bëjmë më të mirën për t’u kualifikuar, jemi të mërzitur për rezultatin", tha Di Maria.

Ora 19:21
VIDEO/'Allahhhhhhh', komentatori arab ‘në ekstazë’ pas golit të dytë të kombëtares së tij ndaj Argjentinës

 

Kombëtarja e Arabisë Saudite ka arritur sot një fitore historike ndaj Argjentinës me rezultatin 1-2. Kjo është një fitore e jashtëzakonshme dhe historike për Arabinë Saudite – kurse një dëshpërim i madh për Messin me shokë.

Ndërkohë që në rrjetet sociale është bërë virale një video e komentatorit arab pas golit të avantazhit për Arabinë Saudite, i cili nga gëzimi ulëret ‘Allahhhh’.

Ora 18:08
Trajneri i Argjentinës analizon humbjen: Pozicionet jashtë loje milimetrike, kokën lart!

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni foli pas humbjes së skuadrës së tij 1-2 nga Arabia Saudite në Botërorin e Katarit.

"Duhet ta lëmë pas këtë humbje e të ecim përpara. Sot ishte një ditë “jo” për ne, e trishtueshme do të thosha, por nuk kemi kohë për të humbur, duhet të ngremë kokën e të shohim ndeshjet që kemi para. Në pjesën e parë ishim dominues në mënyrë të padiskutueshme. Do të bëjmë nalaizën tonë me qetësi. Nuk mund të anashkaloj se pozicionet e parregullta që na anuluan golat ishin milimetrike.

Ne vazhdojmë të mendojmë në të njëjtën mënyrë. Para ndeshjes na konsideruan si favoritë, por në një Botëror këto gjëra mund të ndodhin. Do të punojmë në aspektet që nuk shkuan mirë", tha Scaloni.

Ora 17:27
Historike fitorja ndaj Argjentinës në Botëror, mbreti i Arabisë Saudite shpall të mërkurën festë kombëtare

Arabia Saudite mori një rezultat historik në Kupën e Botës, teksa mundi 2-1 Argjentinën në grupin C. Ngjarja ka bërë bujë në çdo medie ndërkombëtare, teksa raportohet se mbreti Selman i Arabisë Saudite e ka shpallur të mërkurën ditë feste. Të gjithë do jenë pushim dhe në sheshe do festohet ky rezultat historik. E pabesueshme sesa ndikim ka futbolli.

Ora 17:15
Humbja e Argjentinës në Botëror, buzëqesh vetëm Italia

Argjentina humbi këtë të martë 1-2 me Arabinë Saudite në Botërorin e Katarit. Skuadra e Lionel Scaloni ndërpret kështu ecurinë e jashtëzakonshme, teksa në 36 ndeshjet e fundit nuk kishte pësuar humbje. Disfata e fundit për "Albiceleste" datonte në 3 korrikun e 2019 kundër Brazilit në Kupën e Amerikës. Nga humbja e Argjentinës "buzëqesh" edhe kombëtarja e Italisë, që vijon të mbajë rekordin me 37 ndeshje si e pamposhtur.

Ora 16:54
Tronditën Argjentinën, lojtarët e Arabisë Saudite pozojnë me legjendën Del Piero

Fitorja 2-1 e Arabisë Saudite me Argjentinën në Botërorin e Katarit është tema më e përfolur e orëve të fundit. Pasi shtangën dhe përmbysën Argjentinën e Messit me shokë, lojtarët e Arabisë Saudite kanë pozuar me legjendën e Italisë dhe Juventus, Aleksandër Del Piro. Shumë yje të futbollit janë në Doha gjatë Botërorit.

Ora 16:33
Festë e 'çmendur' pas fitores kundër Argjentinës, tifozët e Arabisë Saudite shkulin derën e shtëpisë (VIDEO)

Arabia Saudite fitoi 2-1 me Argjentinën në Botërorin 2022. Për grupin C të kompeticionit, skuadra nga Lindja e Mesme ka bërë surprizën më të madhe deri tani në këtë event, teksa festa ka qenë e madhe për tifozët. Aq shumë kanë gëzuar në Arabinë Saudite sa kanë shkulur edhe një nga dyert e banesës në gëzim e sipër.

 

Ora 16:15
FOTOLAJM/ Një tjetër 1-2 në Argjentinë-Arabi Saudite, Messi kokulur dhe 2 lojtarët arabë falënderojnë Zotin

Ajo mes Argjentinës dhe Arabisë Saudite ishte një ndeshje që do të mbahet mend gjatë në historinë e kampionateve botërore.

Humbja e Messit dhe yjeve të tjerë argjentinas nga ekipi modest i Arabisë Saudite ka shënuar një prej surprizave më të mëdha.

Kjo foto e tregon më së miri atë që prodhuan 90 minutat e luajtura në Doha sot duke filluar nga ora 11:00. Mesi kokulur ndërkohë që 2 lojtarët arabë falënderojnë Zotin, të ndërgjegjshëm se pa ndihmën e tij nuk do ta arrinin një sukses kaq të madh.

Ora 16:13
KATAR 2022/ Arabia Saudite ndal rekordin e jashtëzakonshëm, nxin historinë e Argjentinës! Rrjeti 'shpërthen' me meme për 'albicelestët'

Arabia Saudite është kombëtarja e parë që i shkakton humbje Argjentinës pas më shumë se 3 vitesh. Kjo ishte edhe arsyeja përse arabët dukeshin të pashpresë në fillim të ndeshjes, duke qenë se disfata e fundit për ‘albicelestët’ daton më 3 korrik 2019 kundër Brazilit në Kupën e Amerikës.

Prej atëhere Argjentina kishte fituar një Kupë Amerike dhe Finalen e Madhe ndërkoninentale me Italinë. Tani humbja me Arabinë Saudite do të mbahet mend si një nga dështimet më të mëdha të kësaj kombetarje në një kohë që nisej si protagoniste.

Për rrjedhojë të mënjëhershme kanë qenë memet për këtë humbje. Ironia me foton e fundit të Messi-t me Ronaldon, portugezi që tregonte rezultatin, Maradona që qeshte nga qielli apo krahasimi i mbrojtjes legjendare të Milanit me atë të Arabisë Saudite, janë disa nga memet që kanë marrë më shumë shpërndarje.

Ora 15:25
Humbja me Arabinë Saudite në Botëror, Leo Messi: Goditje e madhe për ne

Argjentina humbi 1-2 me Arabinë Saudite në sfidën hapëse të Botërorit 2022. Për grupin C, Albiceleste e Lionel Scalonit u përmbys në pjesën e dytë. Pas ndeshjes, kapiteni dhe ylli i ekipi, Lionel Messi tregoi zhgënjimin.

"Ishte një goditje e rëndë për ne. Nuk prisnim të fillonte kështu. Sidoqoftë, duhet t’i fitojmë ndeshjet e mbetura, gjithçka varet nga ne", tha Messi shkurtimisht.

Ora 15:11
Turpërimi i Argjentinës, tifozët e Arabisë Saudite provokojnë me Cristiano Ronaldon para latinëve të Messit: Siuuu

Arabia Saudite fitoi 1-2 me Argjentinën në ndeshjen e parë të grupit C në Botërorin 2022. Pas ndeshjes, tifozë e Arabisë Saudite kanë festuar para atyre latinë duke përmendur CR7. "Siuuu", bërtasin jashtë stadiumit tifozët e Arabisë Saudite, para atyre të Argjentinës.

 

Ora 13:49
KATAR 2022/ Përplasje brutale në Argjentinë-Arabi Saudite, portieri ‘bën për spital’ shokun e skuadrës (VIDEO)

 

Një episod i fortë përplasje ka ndodhur në minutat shtesë mes Argjentinës dhe Arabisë Saudite.

Teksa amerikano latinët po këmbëngulnin për të barazuar rezultatin portieri i Arabisë Saudite doli të kapte topin në ajër, por në atë momente përplasi ashpër shokun e skuadrës. Portieri i vendosi gjurin në ftyrë Al Shahrami, i cili nga përplasja e fortë e pati të pamundur të vazhdonte lojën.

Madje pati edhe frikë, pasi futbollisti i Arabisë Saudite për disa çaste nuk reagoi.

Ora 13:05
KATAR 2022/ Arabia Saudite shtang pretendentët e Botërorit, mposht 1-2 Argjentinën

90+8’ Mbyllet ndeshja e parë e grupit C me surprizën e madhe të Arabisë Saudite, që fitoi 1-2 me përmbysje kundër Argjentinës.

Ora 12:18
KATAR 2022/ 'Çmendet' Arabia Saudite, përmbys Argjentinën për 5 minuta (VIDEO GOL)

 

53’ E pabesueshme se çfarë ndodhë në Doha. Arabia Saudite ka përmbysur rezultatin Argjentinës për 5 minuta. Këtë herë autori i golit është Al Daësari.

Ora 12:14
KATAR 2022/ Shtanget Argjentina, pas disa golave të anuluar Arabia Saudite rikthehen barazimin (VIDEO)

 

48’ Al Shegri ka shtangur Argjentinën, duke i dhënë barazimin Arabinë Saudite. Pas disa golave të anuluar të ameriko-latinëve rezultati tani tregon 1-1

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Report Tv/ Nëse votohet sot, 52% e zgjedhësve të vendosur do të votonin për PS-në! 30% për PD-në e Berishës

Sondazhi i Report Tv/ Nëse votohet sot, 52% e zgjedhësve të vendosur do të votonin për PS-në! 30% për PD-në e Berishës