ARGJENTINË - Momente të dhimbshme për Lionel Messin. Ylli argjentinas i ka dhënë lamtumirën e fundit të atit, Jorge Messi, i cili u nda nga jeta të premten në moshën 68-vjeçare.
Ceremonia private e varrimit u zhvillua në varrezat “El Prado”, në periferi të Rosarios, në provincën Santa Fe. Familjarët e ngushtë morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar nën masa të forta sigurie, ndërsa autoritetet u kujdesën që familjes t’i garantohej privatësia në këto momente të vështira.
Messi udhëtoi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Argjentinës me një avion privat të shtunën në mbrëmje. Së bashku me të ishin bashkëshortja e tij, Antonela Roccuzzo, dhe fëmijët e tyre.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe nëna e Messit, Celia Cuccittini, si dhe vëllezërit dhe motra e tij, Matias, Rodrigo dhe Maria Sol.
Për të garantuar qetësinë e familjes, parku “El Prado” u mbyll për vizitorët që nga pasditja e së dielës. Megjithatë, kjo nuk i ndaloi tifozët të mblidheshin pranë zonës së varrezave dhe në aeroportin e Rosarios për t’i shprehur mbështetjen kapitenit të Argjentinës.
“Forca, Leo, të duam”, ishte mesazhi i një prej pankartave të tifozëve, në një moment që tregoi edhe një herë lidhjen e veçantë mes Messit dhe popullit argjentinas.
Edhe autoritetet lokale shprehën mbështetjen për familjen. Kryetari i Rosarios, Pablo Javkin, i përcolli ngushëllimet familjes Messi dhe bëri të ditur se strukturat lokale ishin angazhuar për të garantuar sigurinë dhe privatësinë gjatë ceremonisë.
Në shenjë respekti për Jorge Messin, Federata Argjentinase e Futbollit vendosi që para ndeshjeve të fundjavës, në të gjitha kategoritë profesionale dhe të të rinjve, të mbahej një minutë heshtje. Gjithashtu, lojtarët, stafet teknike dhe gjyqtarët mbajtën shirita të zinj në krah, në shenjë zie për babanë e yllit argjentinas.










Komente
Komento