Pavarësisht se është kritikuar ashpër nga organizatat më të njohura në botë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për gjendjen në të cilën punëtorët e huaj janë trajtuar në ndërtimin e objekteve për Kupën e Botës në Futboll, në vitin 2022, Katari ka njoftuar se do të organizojë konferencën e parë ndërkombëtare mbi sigurinë dhe të drejtat e njeriut në botën arabe. Ministrat e Brendshëm nga bota arabe dhe organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut do të jenë në takim në emiratin e pasur më 5 dhe 6 nëntor. Konferenca do të fokusohet në çështjet e lidhura me sigurinë dhe të drejtat e njeriut dhe do të shihen nga afër dy përvojat, ajo arabe dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë dhe të drejtave. Përfaqësues nga gjykatat evropiane, afrikane dhe amerikane të të drejtave të njeriut si dhe ato nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, agjencitë e Kombeve të Bashkuara, Interpol dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë do të marrin pjesë në këtë veprimtari. Veprimtaria dyditore, e organizuar nga Komiteti Kombëtar i të Drejtave të Njeriut i Katarit (NHRC), vjen pas kritikave që synojnë politikat e vendit për trajtimin e punonjësve të saj të shumtë të huaj dhe mungesa e lirisë së shprehjes. Të paktën 2 000 jetë kanë humbur (në bazë të raporteve të institucioneve ndërkombëtare) në ndërtimet për Kupën e Botës 2022, ku kushtet në të cilat ndodhen punëtorët janë krahasuar me skllavërinë e përdorur për të ndërtuar piramidat. Doha është kritikuar gjithashtu për një dënim të përjetshëm në 2012 të dhënë poetit Mohammaed Al-Ajmi i cili recitonte vargje që u gjykuan fyese ndaj emiratit, por pas presionit ndërkombëtar dënimi u reduktua në 15 vjet burg./ ATSH/