Tonelata peshqish të ngordhur që pluskojnë mbi sipërfaqen e ujit dhe llucë, ndërsa zogjtë fluturojnë mbi to. Një ‘gosti’ për shpendët dhe njëkohësisht, një katastrofë ekologjike që vijon prej së martës në rezervuarin e Kasharajt në Lushnje. Zogjve u janë bashkuar edhe disa dronë të vegjël që dezinfektojnë sipërfaqen e ujit për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve.
Sot vijon puna për zhbllokimin e shkarkuesit, por përmirësimi i situatës duket ende larg. Problem mbetet saraçineska e presionit të lartë që është e dëmtuar dhe po shkakton vonesë, pavarësisht se po përdoren agregatë për pompimin e ujit në shkarkues.
Njëkohësisht, ekskavatorët po hapin rrugën për mjetet e rënda që do të pastrojnë baltën brenda rezervuarit. Një ditë më parë, rrjeti ‘u përmbyt’ nga videot e banorëve që zhyteshin në llucë për të kapur peshqit që ende përpëliteshin.
Policia ka vënë nën hetim administratorin e firmës “Fled” sh.p.k., Fredi Mara, që po kryente punimet për rehabilitimin e shkarkuesit. 58-vjeçari akuzohet se nuk mori masat e duhura për menaxhimin e ujërave, por vetë ai mohoi përgjegjësinë. Sipas inxhinierit Ferdinant Dervishi, shkarkimi i rezervuarit është e vetmja mënyrë për hapjen e portave të bllokuara.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ia ngarkoi përgjegjësinë pushtetit vendor, nga ana e të cilit s’pati asnjë reagim. Rrethanat e zbrazjes së rezervuarit që çuan në katastrofën ekologjike do të zbardhen nga hetimi i prokurorisë.
Rezervuari i Kasharajt është ndërtuar në vitin 1985, ka një sipërfaqe prej 190 hektarësh dhe kapacitet prej 11 milionë metrash kub ujë. Ai shërben për ujitjen e tokave në Myzeqe dhe kultivimin e peshqve. Në vitin 2025, Bashkia e Lushnjës akordoi fondin prej 32,9 milionë lekësh për rehabilitimin e shkarkuesit. Punimet duhet të përfundonin brenda tre muajsh, por u ndërprenë për arsye të panjohura dhe afatet tashmë janë tejkaluar.
-
Si ka mundesi qe nuk pashe oferta neper markete me gjithe kete peshk or teeeejjjjj
Përgjigju -
Ai që e ka kryer këtë krim duhet varur...
Përgjigju










Komente
Komento