Kategoritë e punimeve që mund
të bëni në shtëpi dhe pallate

Kategoritë e punimeve që mund<br />të bëni në shtëpi dhe pallate
Me një vendim të miratuar pak ditë më parë qeveria ka vendosur që të ndryshojë llojet e punimeve në banesa që nuk kërkojnë leje ndërtimi dhe punimet në shtëpi që bëhen vetëm me një deklaratë paraprake dhe gjithashtu nuk kërkohet leje ndërtimi.

Nga rifreksimi i lyerjes, suvatimi i fasadave, riparimi i ballkoneve, riparimi dhe rinovimi i dyshemeve janë disa nga llojet e punimeve që qytetarët nuk kanë përse të kërkojnë leje pranë bashkisë. Ndërkohë punimet e jashtme, apo për punime riparimi çdo qytetarë duhet të bëjë një deklaratë paraprake dhe nuk kërkohet leje ndërtimi.

Punime që nuk kërkojnë leje
Ndërhyrje të jashtme për riparimin dhe zëvendësimin e rifiniturave të jashtme të ndërtesave, me kusht që të ruhen karakteristikat origjinale të tyre, si vijon:
-rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese
-pastrimi i fasadave
-riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave dhe vitrinave (duke përfshirë përdorimin e materialeve të ndryshme), pa ndryshuar karakteristikat e tilla si forma, ngjyra, dizajni dhe dimensionet e pjesëve të hapura dhe transparente
-zëvendësimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë, pa ndonjë ndryshim të formës, pjerrësisë dhe karakteristikave të veshjes
-riparimi dhe zëvendësimi i ulluqeve dhe oxhakëve, edhe me materiale të ndryshme
-riparimi i ballkoneve, tarracave dhe basamakëve apo barrierave mbrojtëse
-vendosja e hekurave mbrojtës në dritare
-vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave
-lëvizja e shtresave të sipërme të oborreve
-riparimi i rrethimeve ekzistuese.

Ndërhyrje të brendshme:
-riparimi dhe rinovimi i dyshemeve
-riparimi dhe restaurimi i suvasë, veshjeve dhe ngjyrave
-riparimi dhe rinovimi i dyerve dhe dritareve, përfshirë vendosjen e xhamave të dyfishtë.
 
Punime që bëhen vetëm me deklaratë paraprake 
Punime të jashtme, si:
-ndërhyrjet e mirëmbajtjes së zakonshme kur sjellin ndryshime të karakteristikave, formave dhe ngjyrave ekzistuese
Punime të brendshme, si:
-përforcimi i strukturave mbajtëse të brendshme
-hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme
-krijimi, eliminimi ose ndryshimi i mureve ndarëse (jombajtëse) të brendshme, i mjediseve për shërbime higjienike
-realizimi i impianteve të reja higjieno-sanitare dhe të ngrohjes/ftohjes
-punimet për ndërtimin e rampave për përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara
-struktura që instalohen për nevoja të çastit dhe të përkohshme, pa themele dhe që hiqen në çdo rast brenda një afati kohor maksimal 150-ditor
-vendosja e paneleve diellore, fotovoltaike, në shërbim të ndërtesave, jashtë zonave të trashëgimisë historike, kulturore apo zonave të mbrojtura mjedisore, ku vendosja e tyre është e ndaluar
-punime riparimi, zëvendësimi dhe mirëmbajtje e rrjeteve të infrastrukturës publike, që nuk prekin sistemin konstruktiv të tyre, nuk ndryshojnë përdorimin dhe përmasat e infrastrukturës si dhe kushtet e zhvillimit në zonën përreth
- punimet për ndërtimin e rampave për përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara.
- struktura që instalohen për nevoja të çastit dhe të përkohshme, pa themele, me materiale të çmontueshme, pa përdorur struktura beton-armeje, blloqe betoni, murature e soleta dhe që hiqen në çdo rast, brenda një afati kohor maksimal 6-mujor.
- vendosja e paneleve diellore, fotovoltaike, në shërbim të ndërtesave, në përputhje me rregulloren arkitektonike të qytetit dhe kufizimet që mund të rrjedhin nga legjislacioni për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, historike apo mjedisore.
- punime riparimi, zëvendësimi dhe mirëmbajtjeje të rrjeteve të infrastrukturës publike dhe komunikimeve elektronike, që nuk prekin sistemin konstruktiv të tyre, nuk ndryshojnë përdorimin dhe përmasat e infrastrukturës si dhe kushtet e zhvillimit në zonën përreth;
- punime riparimi, mirëmbajtjeje dhe rehabilitimi të infrastrukturës së ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja.
- vendosja e tendave të diellit dhe pergolateve, në përputhje me ligjin që rregullon bashkëpronësinë në ndërtesat e banimit dhe rregulloren arkitektonike të qytetit.
- ndërhyrjet me qëllim ruajtjen apo rritjen e efiçencës energjetike dhe akustike në një strukturë ekzistuese, që nuk prekin sistemin konstruktiv të ndërtesës (p.sh. ndërhyrje në themele, mure mbajtëse, tra-kolonë etj.).
- serra të çmontueshme, pa themele të vazhduara, në shërbim të aktiviteteve bujqësore;
- vendosja e ashensorëve.
- vendosja e reklamave në fasadat e jashtme, për qëllime të promovimit të aktivitetit ekonomik privat.
 
Dokumentacioni për punime me deklaratë paraprake
Dokumentet që duhet të depozitojë personi i interesuar, në letër dhe CD (format pdf), për njoftimin e deklaratës paraprake për kryerje punimesh janë: Formulari i deklaratës. Dokumenti që vërteton pronësinë e tij apo të drejta të ligjshme për pasuri private apo publike për strukturën që ka në përdorim, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Projekti teknik i realizimit të punimeve, i firmosur nga projektues të licencuar.

Punime për të cilat kërkohet pajisja me leje ndërtimi
Punimet, për të cilat kërkohet pajisja me leje ndërtimi, të ligjit, janë ato që: Rezultojnë në krijimin e ndërtimeve e reja, përfshirë ato të përkohshme, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë rregullore. Rezultojnë në rikonstruksion, riparim dhe restaurim që çojnë në krijimin e një strukture tërësisht ose pjesërisht të ndryshme nga ajo e mëparshme dhe që kanë si pasojë shtimin e njësive dhe/ose ndryshimin e vëllimit ndërtimor, sipërfaqes së ndërtimit, pamjes së jashtme të objektit, të përdorimit ose të sistemit konstruktiv. Realizojnë mirëmbajtje të jashtëzakonshme sipas kësaj rregulloreje, të shoqëruar me ndryshime të sistemit konstruktiv të objektit. Kanë si pasojë prishjen e objekteve, në rast se prishja nuk shoqërohet me ndërtim të ri. Nëse prishja shoqërohet me ndërtim të ri, leja për prishje është pjesë e lejes së ndërtimit dhe shënohet në kushtet e dokumentit të lejes.

Aplikimi dhe procesi i shqyrtimit të kërkesave
Kërkesa për leje ndërtimi paraqitet për shqyrtim: Përmes ngarkimit on-line të saj dhe dokumentacionit shoqërues në portalin përkatës, sipas procedurës së përcaktuar në të; ose përmes depozitimit të saj dhe të dokumentacionit shoqërues pranë sportelit të shërbimit; Në këtë rast, detyrimi i ngarkimit on-line të dosjes së aplikimit është përgjegjësi e këtij autoriteti dhe kryhet menjëherë me paraqitjen e kërkesës në sportel dhe në prani të vetë aplikuesit. Në përfundim të ngarkimit në portal, sporteli i dorëzon aplikuesit numrin e identifikimit të kërkesës në regjistër, që mundëson ndjekjen e ecurisë së saj. Autoriteti i planifikimit shpall kërkesën për leje në mjediset e tij publike. Njoftimi qëndron i shpallur deri në vendimmarrjen mbi kërkesën për leje. Autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës verifikon nëse dokumentacioni është i plotë brenda 5 ditëve nga paraqitja e tyre. Brenda këtij afati shqyrton: a) identitetin e nënshkruesit dhe faktin nëse është personi i legjitimuar për të paraqitur kërkesën; b)plotësimin e plotë dhe të saktë të të gjitha të dhënave të detyrueshme të kërkuara në formular; c) paraqitjen e të gjitha dokumenteve shoqëruese të detyrueshme; ç) pagesën e tarifës së shërbimit/aplikimit.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Media gjermane 'Merkur.de': Alpet Shqiptare në krye të destinacioneve më interesante për t’u vizituar në 2025

Media gjermane 'Merkur.de': Alpet Shqiptare në krye të destinacioneve më interesante për t’u vizituar në 2025