Katër kandidatë për drejtorin 
e Teatrit Eksperimental

Katër kandidatë për drejtorin <br />e Teatrit Eksperimental
TIRANE- Më 2 qershor Ministria e Kulturës ka mbyllur konkursin për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. I çelur më datë 16 maj konkursi ka qenë në pritje të kandidatëve që kanë dorëzuar platformat e tyre në ministri për të garuar për drejtor të këtij teatri, i cili 3 vjet më parë quhej Teatri Kombëtar i Komedisë. Ndërkohë nga Ministria e Kulturës konfirmohen vetëm katër pjesëmarrës në konkurs për postin e drejtorit të Teatrit Eksperimental.

Ata janë regjisorët Kiço Londo, Erion Kame, Gent Bejko dhe Xheni Koçi. Regjisori Kiço Londo që kandidon për këtë post ka pasur eksperienca të shumta drejtimi edhe më parë si drejtues i Teatrit Kombëtar dhe më pas drejtor i Teatrit të Metropolit. Ndërsa dy regjisorët e tjerë Genti Bejko dhe Erion Kame kanë spikatur me eksperimentimet e tyre dhe prirjet drejt teatrit modern. Megjithatë, sipas kritereve të shpallura nga MK, për garuesit nuk do të vlerësohet vetëm përkushtimi i tyre në fushën e teatrit, por edhe risitë në menaxhim që do sjellin platformat e tyre.

Por për sa iu takon platformave të propozuara, duket se të tre kandidatët që kanë eksperiencën e regjisorit Londo, Bejko e Kame, kanë në vëmendje hapjen e institucionit të Teatrit Eksperimental ndaj rrymave të ndryshme të artit dhe performancave teatrore, duke bërë një teatër që të jetë më shumë në favor të të rinjve. Kjo është edhe një nga kërkesat që Ministria e Kulturës ka kërkuar nga platformat e kandidatëve. Genti Bejko është një nga kandidatët që e mbështet platformën e tij në mospërsëritjen e problemeve të trashëguara dhe lirinë krijuese. Ndërsa regjisori Erion Kame nga ana administrative nuk mendon se ish-Teatri i Komedisë, tashmë teatri eksperimental ka funksionuar me probleme.

Ai ka kritikuar faktin pse është zhvilluar vetëm një zhanër në këtë teatër, siç është komedia, por jo mënyrën e organizimit. “Duhet të vihen në lëvizje teatri i komedisë, drama, teatri eksperimental, teatri i lëvizjes, i fjalës, performancat artistike skenike”, thotë Kame, ndërsa ka hedhur edhe idenë e zgjerimit të veprimtarisë teatrore jashtë skenës së institucionit, duke parashikuar edhe lëvrimin e teatrit të rrugës. Platforma e Kiço Londos, përveç zgjerimit të aktiviteteve përfshin edhe angazhimin e sa më shumë të rinjve, duke spikatur talente dhe duke i angazhuar më tepër, por edhe thithjen e fondeve nga donatorët privat. Sipas Kiço Londos duhet të bëhet një reflektim në edukimin teatral, të eksperimentohen talentet dhe të importohet edukim.

“Ka ardhur koha që artistët t’i hapin rrugë vdekjes së formalizmit, i cili vazhdon të çmendë sipërmarrjen e lehtë dhe të shpejtë. Teatri duhet të kthehet te cilësorja. Natyra e teatrit është bota shpirtërore njerëzore dhe jo forma. Spektatori i sotëm kërkon të vërteta të tjera, plotësisht njerëzore dhe të sinqerta. Vetëmashtrimi i formalizmin duhet të marrë fund”, shprehet Londo. Ndërsa për kandidaten e Xheni Koçi, ende nuk jemi në dijeni të platformës së saj, nga Ministria e Kulturës na njoftojnë se gara do të vazhdojë.

“Ka përfunduar aplikimi do të vazhdojë procesi”, njofton këshilltarja për median e MK-së, Milena Selimi. Për zgjedhjen përfundimtare të kandidatëve, një nga kriteret kryesore të MK-së është që ai të përkrah reformën e kontratave me institucionet dhe në platformën e tij duhet të jetë i gatshëm për të nënshkruar me ministrinë një kontratë për menaxhimin artistik të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike