Katër skenarët se si mund të përfundojë lufta në Ukrainë

Katër skenarët se si mund të përfundojë lufta në Ukrainë

Foto ilustruese

Pushtimi i Ukrainës nga trupat ruse, ka shkaktuar krizën më të keqe të sigurisë në Evropë ndër dekada. Por teksa shumica e analizave fokusohen me të drejtë në situatën aktuale, është po aq e rëndësishme të parashikohen trajektoret dhe rezultatet e shumta të mundshme të kësaj lufte. Ndonëse situata në Ukrainë ndryshon nga momenti në moment, skenarët e përshkruar këtu ofrojnë 4 skenarë të besueshëm se si mund të përfundojë ky konflikt.

Skenari nr.1: Ukraina reziston, dhe Putini nis të tërhiqet me turp

E përforcuar nga ndihma ushtarake e dhënë nga vendet anëtare të NATO-s, rezistenca ushtarake dhe civile e Ukrainës kapërcen çdo lloj parashikimi fillestar dhe arrin të ndalë përparimin e ushtrisë ruse, duke e penguar Vladimir Putin të rrëzojë qeverinë demokratike të Kievit dhe të vendosë atje një regjim kukull.

Sipas këtij skenari, në kushtet e kostove shumë të larta për aventurizmin e tij, shoqëruar me kolapsin ekonomik dhe izolimin diplomatik, Putin urdhëron me turp një tërheqje të trupave të tij. Ukraina mbetet një demokraci sovrane, ndërsa humbja e Moskës shton ndjeshëm pakënaqësinë e brendshme që tashmë nis të shfaqet në të gjithë Rusinë.

Putin nis të fokusohet në kërcënimet e brendshme në rritje ndaj pushtetit të tij. Megjithatë, situata e sigurisë në Evropë nuk do të rikthehet në statuskuonë e paraluftës. Lufta e shkurtër ka shkaktuar mijëra të vdekur nga të dyja palët. Dhe ndonëse një Ukrainë demokratike del relativisht e paprekur nga ky konflikt, fqinji i saj ende i rrezikshëm përballet me një të ardhme të pasigurt, dhe me një peizazh politik rus në pragun e një pike kthese. Nëse Rusia do të anojë drejt një autoritarizmi më të madh apo total nën Putin, kjo do të përcaktojë kryesisht edhe sjelljen e Moskës me pjesën tjetër të botës.

Skenari 2: Konflikti shndërrohet në një “moçalishte” pa një fitues të qartë

Pas disa javësh luftime intensive në Kiev dhe qytete të tjera të mëdha, Rusia ia del ta rrëzojë qeverinë e Ukrainës dhe të vendosë atje një regjim kukull. Megjithatë, as forcat e armatosura të Ukrainës dhe as popullsia e saj nuk janë gati të dorëzohen. Përkundrazi popullata organizon një kryengritje me bazë të gjerë, të mirë-armatosur dhe mirë-koordinuar kundër pushtuesve.

Duke përsëritur një model të parë diku tjetër në botë, kryengritja ukrainase i imponon Rusisë një kosto të madhe e të qëndrueshme njerëzore dhe financiare, e cila është e detyruar të shpenzojë shumë më tepër nga burimet e saj për një periudhë shumë më të gjatë kohore nga sa e kishte parashikuar.

Telashet për Moskën shtohen nga mbështetja e jashtme për kryengritësit. Vendet e NATO-s ofrojnë ndihmë të fshehtë, por shumë të fuqishme mbrojtëse për rezistencën ukrainase. Konflikti boshatis arkën e shtetit duke e detyruar në fund Moskën të tërhiqet pas shkaktimit të një kasaphane të vërtetë.

Prestigji i Putinit në sytë e rusëve është i rrënuar, ndërsa pozitat e tij lëkunden teksa elitat dyshojnë nëse ai është i aftë të vijojë të drejtojë Rusinë. Shumë rusë nisin të shprehin në rrugë zemërimin e tyre për situatën ekonomike të Rusisë, dhe zbehjen e peshës globale të vendit të tyre.

Skenari nr.3: Ngrihet sërish një “Perde e Hekurt”

Në fund Ukraina bie në duart e Rusisë. Pavarësisht rezistencës së madhe, forcat ruse arrijnë të marrin kontrollin e vendit përmes përdorimit të armëve dhe taktikave gjithnjë e më brutale. Rezistenca kundër një qeverie kukull të vendosur në Kiev nga Putini mbetet e fortë edhe është e gjithë-pranishme, por ajo shtypet me forcë dhe nuk rezulton aq e fortë sa të përbëjë një sfidë të rëndësishme për forcat ruse që mbeten në Ukrainë.

Një “Perde e re e Hekurt” ngrihet në Evropën Lindore, duke kaluar përgjatë kufijve të shteteve baltike në veri, përmes atyre si Polonia, Sllovakia, Hungaria dhe Rumania në jug. Ndërsa Rusia përballet me kosto të mëdha ekonomike, Putini e forcon pushtetin e tij brenda vendit, duke shtypur akoma më me forcë çdo zë kundër.

NATO është më e bashkuar përballë një Moske mëtë guximshme, por është e detyruar ta pranojë se ka mundësi shumë të kufizuara për të zhbërë humbjen e Ukrainës. Suedia dhe Finlanda i bashkohen Aleancës për të forcuar sigurinë e tyre kundër planeve revanshiste të Moskës.

Ashtu si me “Perden e parë të Hekurt”, përçarja e re në zemër të Evropës sjell me vete një listë të njohur rreziqesh dhe pasigurish. Trupat e NATO-s dhe ato ruse, e shikojnë tani njëra-tjetrën përtej një kufiri të militarizuar rëndë, duke ngritur herë pas here perspektivat e një konflikti të drejtpërdrejtë

Skenari nr.4: Një luftë NATO-Rusi

Skenari më i rrezikshëm për të ardhmen e Evropës dhe rendit global,është ai në të cilin konflikti në Ukrainë, krijon terrenin për një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak midis NATO-s dhe Rusisë. Dhe kjo mund të ndodhë në shumë mënyra. Për shembull, NATO mund të vendosë ta përshkallëzojë përfshirjen e saj në Ukrainë, duke u përpjekur të garantojë një zonë të ndalim-fluturimit ose një formë tjetër të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë.

Për momentin, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s e kanë refuzuar këtë lëvizje. Por gjërat mund të ndryshojnë nëse Rusia vazhdon të përshkallëzojë bombardimet e saj ndaj civilëve në Ukrainë. Në ato kushte, Rusia do të detyrohet të vendosë nëse do të tërhiqet apo do të angazhohet të përplaset direkt me forcat ushtarake të aleancës.

Nëse zgjedh këtë të fundit, rreziku i një konflikti të armatosur në përshkallëzim midis NATO-s dhe Rusisë do të rritet ndjeshëm. Një perspektivë e frikshme ka të bëjë me mundësinë që Putin të ketë plane më të gjera përtej Ukrainës.

Në rast se forcat ruse do të kenë në ditët e ardhshme një përparim të shpejtë në Ukrainë, dhe arrijnë një kontroll efektiv mbi vendin, Putini mund ta kthejë vëmendjen tek shtetet që ai i lakmon si pjesë e dëshirës për të rindërtuar një sferë ndikimi që shtrihet gjerësisht me territorin e ish-Bashkimit Sovjetik.

Dhe kandidatët për të testuar planet e tij dhe vendosmërinë e vetë NATO-s, do të ishin shtetet baltike (të cilat janë anëtare të Aleancës). Putini mund të ushqejë besimin se NATO do të tërhiqet; vetë aleanca këmbëngul se do të reagojë ashpër kundër çdo inkursion ushtarak rus ndaj një shteti anëtar.

Të panjohurat e luftës

Të dhënat e deritanishme, sugjerojnë se kjo luftë po kthehet në favor të Perëndimit për 3 arsye. Sulmi rus jo i mirë-përgatitur dhe rezistenca e fortë e ukrainasve, kanë frymëzuar mbështetjen popullore për Ukrainën në të gjithë Evropën. Rusia dhe Putini duket se e kanë nënvlerësuar keq vendosmërinë e Ukrainës dhe zemërimin global kundër Moskës. Së fundmi, qeveritë demokratike në të dy anët e Atlantikut kanë bërë zgjedhje të forta politike, ekonomike, financiare, diplomatike dhe të sigurisë, që pasqyrojnë forcimin e aleancës dhe solidaritetit midis vendeve anëtare.

Gjithsesi, bota mbetet në një moment të rrezikshëm dhe shumë të pasigurt. Putini mund të jetë më i fortë ose shumë më i dobët brenda Rusisë, në varësi të zhvillimeve të brendshme (një kryengritje popullore ose grusht shteti) dhe atyre të jashtme (Kina e forcon ose pakëson mbështetjen e saj për vetë Putinin).

Ai mund të sulmojë Moldavinë apo Gjeorgjinë, apo edhe të përpiqet të pushtojë zonën Suvalki midis enklavës baltike të Rusisë të Kaliningradit dhe Bjellorusisë. Pasi nisin, luftërat ndjekin rrallë një skenar të përcaktuara. Shumë më shpesh, ato i çojnë luftëtarët dhe jo-luftëtarët në shtigje të paparashikuara, me rezultate që herë pas here ndryshojnë botën. Pushtimi rus i Ukrainës duket se përmban “farat” e një konflikti të tillë. Se cili do të jetë rezultati i tij për Ukrainën dhe botën, kjo mbetet për t’u parë./ Bota.al

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga 10 metër lartësi në vendin e punës, zbulohen detaje të reja lidhur me 41 vjeçarin shqiptar në Itali

Humbi jetën pasi ra nga 10 metër lartësi në vendin e punës, zbulohen detaje të reja lidhur me 41 vjeçarin shqiptar në Itali