Media greke Kathimerini raporton se Athina zyrtare nuk ka pranuar të firmosë një letër të përbashkët të 27 vendeve anëtare te BE për Shqipërinë për çeljen e negociatave, për shkak të çështjes ‘Beleri’.

“Një përshkallëzim thelbësor i qëndrimit të ashpër ndaj Tiranës për shkak të shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të kryebashkiakut të burgosur të Himarës, Fredi Beleri, përfaqëson vendimi i Greqisë për të mos dhënë pëlqimin për një letër të përbashkët të 27 vendeve anëtare të BE-së për fillimin e negociatave për grupin e parë të fondeve të anëtarësimit”, shkruan Kathimerini.

Megjithëse u gjet një formulë për të çuar përpara negociatat për këtë kapitull specifik me Maqedoninë e Veriut, pasi Bullgaria pranoi propozimin e kompromisit të paraqitur nga presidenca spanjolle, kjo nuk u bë për Shqipërinë.

“Kandidaturat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të lidhura, ndaj ky zhvillim përbën një shkëputje praktike të dy kandidaturave”, raporton media greke.

Vlen të theksohet se paketa e parë për çështjet themelore që duhet të zgjidhë çdo vend kandidat përfshin pesë kapituj, përkatësisht ata që kanë të bëjnë me:

• Së pari , gjyqësori dhe të drejtat themelore.

• Së dyti , Drejtësia, liria dhe siguria.

• Së treti , prokurimi publik.

• Së katërti , statistikat.

• Dhe së pesti , kontrolli financiar.

Media greke sjell në vëmendje se pak ditë më parë është bërë publik progres-raporti i kandidatëve për anëtarësim në BE, ku me një referencë të tërthortë, por jo të qartë flitet për ndërlikimet e shkaktuara nga çështja Beleri në marrëdhëniet greko-shqiptare.

Gazeta greke, shkruan se ky qëndrim i Greqisë mund të ndryshojë nëse Edi Rama ndryshon qëndrim.

“Është e qartë se Athina mund të rishikojë qëndrimin e saj nëse Tirana ecën përpara për të treguar se ka vend për diskutim dhe jo një shfaqje force nga ana e zotit Rama, brenda apo jashtë”, shkruhet në artikull.

Athina ka kërkuar në të gjitha nivelet e mundshme që Fredi Belerit t’i jepet mundësia për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, gjë që deri tani është refuzuar nga gjykatat shqiptare, shton artikulli.

Seanca e radhës e GJKKO ku Beleri do të dalë në gjyq do të zhvillohet më 22 nëntor, por ndërkohë pritet të caktohet një proces i ri për lejen e posaçme që ai kërkon për të bërë betimin.

“Hera e fundit që gjykatat shqiptare refuzuan një kërkesë të tillë ishte më 26 qershor, ndërkohë që kërkesat e shumta të avokatëve të Beleri për përsëritjen e një procesi të tillë u refuzuan pa shumë rrotullime nga autoritetet shqiptare”, shkruan media greke.

“Rruga është sigurisht e gjatë deri në finalizimin e procesit për Belerin, ndërsa muajin e ardhshëm do të intensifikohen diskutimet në nivel europian për progresin e Shqipërisë. Ndonëse në Athinë presionet janë të shumta dhe nga drejtime të shumta, në të njëjtën kohë ekziston edhe perceptimi i qëndrimit konstruktiv që Greqia mban pa ekstreme, por me respekt të plotë për mjetet që ka çdo vend anëtar i BE-së dhe në këtë rast detyrimin e përdorimit”, përfundon Kathimerini.