Katina Vlahu: Si e shkrova romanin
për refugjatët shqiptarë të ’90-ës

Katina Vlahu: Si e shkrova romanin<br />për refugjatët shqiptarë të ’90-ës
Në vitet ’50, fëmija grek Katina Vlahu e shihte Shqipërinë që nga Korfuzi dhe nuk e kuptonte pse nuk kapërcehej dot muri ndarës me fqinjët shqiptarë. Pas 50 vjetëve në romanin e saj “Fijet”, i cili vjen në panairin e 16-të të librit në Tiranë, shkrimtarja greke i merr ngjarjet nga rrugët që të çojnë në sheshin “Omonia” të Athinës, aty ku zbarkojnë emigrantët, dhe aty sheh shqiptarët e viteve ‘90 që vërshuan në Greqi kur në Shqipëri ra komunizmi. E tronditur nga drama që ka përjetuar nga afër, Katina Vlahu kupton se çfarë do të thotë të jesh një refugjat, “përvojë që më tronditi dhe u shndërrua në arsye thelbësore për të shkruar librin”, rrëfen ajo në intervistën për Shqiptarja.com. “Publikimi i dy librave në Shqipëri nuk është një rastësi, sepse që nga fillimi i viteve ‘90 më lidh një miqësi e thellë me disa njerëz nga vendi juaj, rrëfen Katina Vlahu, kur i tregojmë arsyet e intervistës me të; librat e saj të përkthyer nga greqishtja në gjuhën shqipe janë të mirëpritur nga lexuesi shqiptar.

Gjatë bisedës paraprake ajo shprehet se “Është nderim e gëzim për mua që po qarkullon libri i dytë i imi në gjuhën shqipe dhe falënderoj gazetën Shqiptaria.com dhe ju personalisht për interesin që tregoni”. Katina na tregon sesi me kalimin e viteve ka fituar miqësi të reja në Shqipëri dhe për këta miq ajo thotë se ka “admirim të madh, respekt e dashuri”. “Miqësia është për mua një nga vlerat më të rëndësishme në jetë, por përtej kësaj, unë mendoj se dy vendet tona kanë shumë elemente që i bashkojnë, dhe jo vetëm kufijtë e përbashkët.”
 
Zonja Vlahu, ju tashmë jeni bërë e njohur për publikun shqiptar me librat tuaj “Dashuri e papërfunduar” dhe së fundmi me librin “Fijet” që vjen në shqip nga shtëpia botuese “Neraida” me përkthim të Kleo Latit. Çfarë ju ka bindur që delikatesën e dashurisë ta lidhni me fate njerëzish, me kombësi të ndryshme?
-Libri "Fijet", është libri i parë që unë kam shkruar. Kur e shkrova nuk e shkoja aspak ndër mend se libri do të lexohej nga të tjerët. Nuk kisha këtë qëllim të veçantë në vetvete. Thjesht dëshiroja të fiksoja përvojat e jetës sime dhe të shpërbleja njerëzit që gjatë jetës kam njohur, kam admiruar e kam dashuruar.

Ndërkohë, pak para se të shkruaj librin, në fillim të viteve ‘90, filloi ndryshimi i regjimit në Shqipëri, kohë që detyroi shumë prej bashkëkombësve tuaj të kalojnë kufirin nga toka apo deti, për në Greqi apo vende të tjera. Shumë erdhën në Korfuz dhe me disa prej tyre u bënë miq dhe të tillë mbeten përgjithmonë. Ishte hera e parë që kam përjetuar nga afër se çfarë do të thotë të jesh një refugjat, përvojë që më tronditi dhe u shndërrua ne arsye thelbësore për të shkruar librin. Përveç kësaj, unë gjithashtu kisha jetuar në vende të ndryshme e për një kohë të gjatë unë nuk mund të kthehesha në Greqi. Ishte koha kur vendi im ishte nën diktaturën ushtarake.

Kudo ku jam gjendur, megjithatë, komunikimi im me njerëz të ndryshëm më ka mësuar se pavarësisht origjinës, gjuhës që flasim, ne të gjithë jemi të njëjtë në realitetin tonë të thellë. Nëse vendet i ndajnë  kufijtë, edhe pse rreth kufijve diku ka ende luftëra, njerëzit që jetojnë në njërën anë dhe ata në anën tjetër të kufirit, nuk janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ata në mënyrë të njëjtë përjetojnë e bien në dashuri, miqësohen, gëzohen apo pikëllohen. Njerëzit lindin fëmijët e tyre me të njëjtat shpresa për të ardhmen e tyre më të mirë. Dhe në fund, të gjithë kemi për t’u larguar nga kjo jetë dhe në këtë largim jemi të gjithë krejtësisht të barabartë.
 
Pse ju intrigon shumë tema e emigracionit dhe e Ballkanit?
-Besoj se kur dikush detyrohet të braktisë atdheun përjeton trishtim shumë të madh. Për fat të keq, ky fenomen paraqitet në ditët tona në rritje dhe përbën një nga problemet me të mëdha të kohës sonë. Shumë e shumë, sidomos të rinj, largohen nga Greqia për shkak të krizës ekonomike, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës. Mijëra njerëz nga të tjera vende, në të njëjtën kohë vijnë në Greqi, sepse vendet e tyre janë të përfshira në luftëra, apo nga uria e dhuna. Kur shkrova librin “Fijet” nuk e dija që kjo temë do të mbetej kaq aktuale dhe pas 20 vitesh. Në romanin “Fijet” në thelb shkrova agoninë time për këtë fenomen, por dhe shpresën se dikur do të kuptojmë të gjithë se jemi të përkohshëm dhe emigrantë në botë dhe që nuk kemi tjetër mënyrë më të mirë për të jetuar, se sa të duam njëri-tjetrin, nëse vërtetë duam ta bëjmë jetën tonë më të mirë.
 
Po të heqësh pak “cipën e tokës” në Ballkanin ku ne jetojmë shohim se kemi shkelur mbi gjurmët e qytetërimeve madhështore. Si e përjeton këtë gjë?
-Nuk është e nevojshme të heqim cipë nga toka ballkanike që të gjejmë sa elementë nga lashtësia e antikiteti, sa nga kohët bizantine, por dhe moderne dëshmojnë një histori të pasur dhe periudha me kulme të mëdha kulturore. Kjo është diçka që trashëgohet si kuptim e që krijon dhe përgjegjësi. Ccfarë bëjmë sot që ta vazhdojmë dhe ta pasurojmë këtë trashëgimi; Shpesh hyjmë në një lojë ku popujt kërkojnë me mënyra aspak sterile, eksluzivitetin e kësaj trashegimënie. Është ccështje arsimimi dhe pjekurie, por dhe ndershmërie për udhëheqësit politikë, që të ndryshojne ky mentalitet. Për fat të keq, vendet ballkanike kanë një histori të gjatë e të dhimbshme luftërash, grindjesh e dhune. Sa absurde e paradoksale është kjo, do ta ndjejë e kuptojë dikush kur bie p.sh. në kontakt me kulturën e popujve, me mitet e këngët popullore, me trashëgiminë popullore, ku ndjehet dukshëm ngjashmëria kulturore. Në njëfarë mënyre të gjitha luftërat janë paradoksale, për sa ato traumatizojnë reciprokisht vende e popuj, që jetojnë në gjitoni me kaq shumë gjëra të përbashkëta.
 
 
Çfarë dini ju për Shqipërinë, dhe cili ka qenë informacioni juaj i parë për vendin tonë, po i fundit?
-Kontakti im i parë me Shqipërinë ishte kur unë isha fëmijë, në vitet ‘50 të shekullit të kaluar. Nga larg, nga brigjet e Korfuzit, shikonim bregdetin e malet e Shqipërisë. Megjithatë, në ato kohë, për shkak të rrethanave të njohura historike, nuk kishte asnjë komunikim midis vendeve dhe dikush do të rrezikonte, nëse do të shkelte kufijtë detarë apo të arrinte bregdetin, qoftë dhe gabimisht, arrestimin si agjent e tradhtar i vendit të tij. Do të rrezikonte domethënë nga të dy anët e kufirit. Kishte kulla vrojtimi e roje. Ne mendjen time fëminore kjo gjendje më krijonte një ndjenjë frike për vendin e huaj “armiqësor”.

Mendoj që atë frikë e kultivuan qeveritë e të dy vendeve, për më tepër ishte koha e “luftës së ftohtë”. Dy vitet e fundit kam ardhur në Shqipëri dy herë dhe kam vizituar vende të bukura, njoha njerëz të shkëlqyer dhe kuptova se vërtet nuk flasim të njëjtën gjuhë në Greqi e Shqipëri, por frymëmarrjen e kemi të njëjtë, bregdetet lagen nga ujëra të përbashkët dhe historia ka qenë e përbashkët nga kohët e lashta deri më sot. Mbi të gjitha unë kam ndjerë shumë fort miqësinë  si vlerë, se në Shqipëri dhe në Greqi njerëzit e nderojnë dhe e kultivojnë po njësoj. Kështu shpjegohet fakti që libri im “Fijet” qarkullon në shqip dhe për shkak të disa miqve të mi, të cilët me dashuri u kujdesën për botimin e tij. Ky botim është lajmi i ri më i mirë që kam nga vendi juaj dhe që më jep gëzim të madh.
 
 
Do të jeni ju një mysafire në panairin e librit në Tiranë që nis më 13 Nëntor?
Kisha kënaqësinë që vitin e kaluar të gjendesha në festën
(panairin) e librit në Tiranë, ku u prezantua dhe libri “Dashuri e papërfunduar”. Dhe realisht do të dëshiroja që të isha përsëri në Tiranë, sidomos për të shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që u interesuan për botimin e librit; për Kleo Latin që me mjeshtëri e shpirt realizoi përkthimin, për Vladimir Myrtezain për kopertinën e shkëlqyer që krijoi dhe mirënjohje të veccantë për Jani Malon e “Nereidës” për këtë botim të rëndësishëm për mua. Gjithmonë në një përpjekje të tillë do të gjendet dikush që  është dhe shpirti i grupit. Dirigjenti Edmond Doko kishte idenë dhe koordinoi këtë sipërmarrje nga fillimi deri në fund me mjeshtëri, gjë që i jam mirënjohës sidomos për këtë libër. Ndonjëherë, megjithatë, jeta nuk na lejon të realizojmë dëshirat tona, sado të madha ato janë. Arsye personale këtë herë nuk më mundësuan ardhjen në Tiranë dhe kjo më trishton shumë, veçanërisht sepse libri ka lidhje të forta me vendin tuaj.
 
 
 
V
 

Në librin tuaj të parë ju përmendi një qytet të rëndësishëm shqiptar, Epidamin e lashtë, që është Durrësi i sotëm. Çfarë dini për këtë qytet të Shqipërisë.
-Epidamni, Durrësi i sotëm është akoma një provë që vendet tona kanë të shkuar të përbashkët. Është populluar dhe nga kolonë korfjat dhe u bë shkak për luftërat midis korfjatëve e korinthasve, ku u përfshinë dhe athinasit më vonë. Për fat të keq nuk munda të vizitoj Durrësin e lashtë. Por kam vizituar Apolonin e Butrintin dhe mendoj se kanë vlera arkeologjike shumë të rëndësisshme dhe që mund të tërheqin vëmendjen e shumë vizitorëve. Nga Korfuzi organizohen shume udhëtime turistike në drejtim të Shqipërisë së jugut. Konsideroj që këto shkëmbime ndihmojnë në marrëdhëniet midis popujve dhe na bëjnë të ndjehemi të afërt historikish dhe kulturalisht.
 
 
Përse të tërheq kaq shumë antikiteti dhe historia e tij?!
-Nuk kam shumë njohje historike, por vizitat në vendet e arkeologjike më kanë intriguar që kur mbaj mend veten time. Që e vogël jam magjepsur nga artet e asaj epoke, jam magjepsur me arkitekturën, me filozofinë e teatrin. Mendoj se cëcdo njeri ndjen siguri të madhe kur kupton se është pjesë e një grupi me vazhdimësi historike. Është si një fëmijë, që gëzon të dëgjojë nga prindërit e tij histori familjare nga e shkuara, histori gjeneratash ose histori të fëmijërisë së prindërve të tij. Kështu e di nga vjen dhe mbase kjo i jep kuptim inkurajues, që dhe ai do të jetë dikur histori e shkuar për të tjerët në të ardhmen, kur ndërkohë do të jetë larguar nga kjo botë. E gjitha kjo ka të bëjë me përpjekjen ekzistenciale të njeriut, që është dhe ndjehet i përkohshëm. Dhe kjo është tema e madhe e librit “Fijet”
 
 
Fqinjët e Ballkanit jetojnë më një marrëdhënie absurde, grinden, shajnë, përbuzin njëri-tjetrin dhe megjithatë mes tyre ka mijëra martesa të ngjizura nga një dashuri pasiononte, të shqiptarëve me grekët, të grekëve me shqiptarët si dhe me serbët, bullgarët, etj. Megjithatë ku qëndron thelbi i konfliktit?
-Hapësira ballkanike është e trazuar në këtë nivel. Por në thellësi njerëzit, në ccdo anë të kufirit që ndodhen, kanë të njëjtat nevoja, dëshira, të njëjtat shpresa. Njësoj dashurohen, në të njëjtën mënyrë miqësohen, njësoj gëzohen e trishtohen. Mendoj që shkaku i përplasjeve qëndron për shkak të papjekurisë  së racës njerëzore. Dhe nuk di kur do të shkëputemi nga papjekuria. Kam frikë shumë se raca njerëzore ka në gen materialin genetik të “mbi-jetesës” që në gjuhën greke të paktën, kjo fjale ka kuptimin ”të jetuarit në kurriz të tjetrit”.

Kjo mënyrë jetese fillon me përpjekjen e njeriut parahistorik për të mbijetuar në natyrën e egër që fshihte shumë të papritura. Frika e bëri njeriun agresiv. Dhe ky agresivitet mbizotëron dhe në marrëdhëniet midis njerëzve, popujve, kombeve, grupeve fetare. Ligje, dhe rregulla fetare apo morale ne mijëra vjet përpiqen të ndryshojnë këtë sjellje. Akoma nuk e kanë arritur. Bota jonë sicc duket jeton akoma papjekurinë. Dhe gjithmonë do të ketë diku interesa që do të shfrytëzojnë papjekurin e popujve. Akoma nuk kemi kuptuar rrezikun që na kërcënohet, si racë, nëse nuk gjejmë zgjidhje për pabarazitë e mëdha të cilat krijojnë tensione shpërthyese në planet, të gjejmë zgjidhje për temat ambientaliste, të cilat prekin të gjitha vendet pa përjashtim. Që të kthehem te temat e librit “Fijet”, sado kufij e rregulla që të ndërtojmë, emigrantet do të vazhdojnë të ekzistojnë, përderisa ekzistojnë vende shumë të pasura  dhe shumë të varfra, vende të përfshira në luftë, vende pa ujë e uri e kështu me radhë.

Sot, me teknologjinë që avancon në shumë drejtime, nuk ka të fshehta midis vendeve të planetit. Një lufte diku larg nuk është më kaq “larg”. Një tragjedi humanitare e Afrikës do të ndjehet doemos dhe në Europë, si fenomen i natyrshëm, nëpërmjet dallgëve të emigrantëve në drejtim të saj. Njerëzit zhvendosen dhe informacionet tregojnë për ritme të larta rritjeje, mallrash dhe idesh gjithashtu. Mbase duhet të gjejmë mënyra të tjera për zbutjen dhe eliminimin e pabarazive për të balancuar botën tonë. Ju faleminderit shumë!
 
Përktheu nga greqishtja: Edmond Doko
 
Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Euro e mbyll korrikun me vlerën më të ulët historike, këmbehet me 100 lekë

Euro e mbyll korrikun me vlerën më të ulët historike, këmbehet me 100 lekë