BETEJA
2.200 biznesmenë të Kavajës duhej të shkonin në Synej për procedurat e regjistrimit, pasi QKR e zhvendosi, me një vendim absurd, zyrën e vet rajonale nga qyteti ne fshat. Bashkia e Kavajës ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, madje ka kërkuar zgjidhje nga të gjitha institucionet shtetërore. Zhvendosja e zyrës në Synej, 4 km larg qytetit të Kavajës, la pa pune edhe specialistet e trajnuara posaçërisht në Tiranë për procesin. Nga ana e tij, kreu i QKR Tomi Kola ka argumentuar për mediat se shkak i mbylljes është bërë pengesa e punës, prej katër muajsh, nga bashkia e Kavajës, e cila, sipas tij, nuk ka lejuar mirëmbajtjen e pajisjeve të zyrës. Mbyllja e zyrës së QKR-së në Kavajë u shoqërua me përplasje mes punonjësve te bashkise dhe forcave te rendit, qe shoqëronin inspektoret e Qendrës Kombëtare. Në muajin mars të këtij viti, Elvis Roshi i drejtoi një letër të hapur kryeministrit Sali Berisha, edhe si deputet, i cili ka fituar mandatin e tij në këtë zonë. “Në qytetin tonë jetojnë plot 49 mijë banorë, si edhe zhvillojnë aktivitetin e tyre rreth katër mijë biznese. Urdhri tuaj për të zhvendosur zyrën lokale të QKR-së ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë te këta qytetarë dhe te këto biznese, të cilat tashmë detyrohen të shkojnë jashtë qytetit për të përfituar disa shërbime, që, sipas fjalëve tuaja, zoti kryeministër, duhet të ishin të shpejta, të thjeshta dhe miqësore ndaj biznesit”, theksoi Roshi në letrën e tij. Elvis Roshi theksonte se kjo situatë duhet ta sensibilizonte Berishën edhe më shumë, nisur nga fakti se ky është qyteti i cili e ka votuar për 21 vjet Kryeministrin e vendit. “Votuesit tuaj u kanë besuar votën që të mos qëndroni duarkryq përballë padrejtësisë, por të veproni në mënyrë të drejtë”, shtoi ai. Pas tre muajsh, duket se QKR dhe qeveria në heshtje e kanë kthyer situatën në gjendjen e mëparshme.
(sg/shqiptarja.com)
