Opozita i kërkoi maxhorancës të pranojë ngritjen e komisionit hetimor për veprimtarinë e KAYO-s, e depozituar zyrtarisht prej saj pas shfaqjes së disa audiopërgjimeve nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj ku pretendonte një bisedë të biznesmenit amerikano-izraelit Roni Yeffet me dy persona të tjerë për trafik armësh përmes Shqipërisë.
Demokratët kërkojnë përgjigje mbi mënyrën se si janë përzgjedhur partnerët e KAYO-s, mes të cilëve Roni Yeffet, kontratat e lidhura, kontrolli shtetëror mbi aktivitetin, importi dhe eksporti i armëve, si dhe respektimin e detyrimeve ndërkombëtare dhe interesit të sigurisë kombëtare.
Por, ata shkojnë edhe më tej duke kërkuar përgjigje edhe mbi lidhjet të mundshme të Yeffet me kompleksin e sekuestruar në pronësi të Ergys Agasin, biznesmenin e arrestuar nga SPAK, “Equos Resort”.
Paralelizmin, mes të dyve, e bëri Sali Berisha edhe në një konferencë për mediat, duke shtuar se përgjegjësi kryesor i aferës së pretenduar është kryeministri Edi Rama.
“Roni Yeffet, që është varianti joshqiptar i Ergys Agasit, përbën dhe ai një element tjetër në zinxhirin e akteve mafioze të Edi Ramës. Ai ishte një denoncim i një rëndësie të jashtëzakonshme, në të cilin provohet se një vend anëtar i NATO-s merret me punë të pista armësh”, tha Sali Berisha.
Debati vijoi edhe në komisionin e jashtëm ku opozita akuzoi se kjo çështje do të dëmtojë procesin e integrimit.
“Besoj që kemi të drejtë që të kërkojmë nëse kjo ndodh vërtetë, ku ndodh në cfarë vendesh”, tha Edmond Haxhinasto.
“Lidhet me dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe padyshim mund të jetë dhe një nga çështjet që mund të afektojë edhe procesin e integrimit", tha Tritan Shehu.
"Jam i bindur që askush nuk ka bërë asnjë krim deri më sot, aq më pak ndaj BE. Megjithatë koha do iu tregojë se si është e vërteta. Ajo që ka thënë ministri, përfaqësues të ministrisë së mbrojtjes, kolegë të qeverisë, është pjesë e një transparence shumë të detajuar që do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, iu përgjigj Igli Hasani.
Një ditë më parë ministri Mbrojtjes, Ermal Nufi i quajti fantazi të trilluara dhe akuza politike debatet e fundit për skemën e supozuar të trafikimit të armëve përmes kompanisë “KAYO”. Nufi e konsideroi industrinë e mbrojtjes, prioritet të sigurisë kombëtare.









Komente
Komento