Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, zyrtarisht ka nënshkruar legjislacionin për të ndryshuar sistemin prej dy mandatesh presidenciale prej pesë vjetësh. Tani, sipas legjislacionit të ri, presidenti do të ketë vetëm një mandat presidencial prej shtatë vjetësh. Po ashtu, ai ka nënshkruar ligjin për ndryshimin e emrit të kryeqytetit nga Nur-Sultan në Astana. Vendimet e 17 shtatorit vijnë një ditë pasi Dhoma e Ulët e Parlamentit kazak, miratoi propozimin e Toqaevit për këto ndryshime, që janë pjesë e fushatës për krijimin, e atij që ai e quan “Kazakistan të ri”.
Toqaev më 2019 kishte ndryshuar emrin e kryeqytetit në Nur-Sultan në nder të paraardhësit të tij, njëherësh presidentit të parë të Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev. Por, muajve të fundit Toqaev ka tentuar që ta distancojë veten nga Nazarbaev, i cili ka nisur të humbë mbështetjen e publikut.
Më 1 shtator ai kërkoi që në muajt e ardhshëm të mbahen zgjedhjet e parakohshme presidenciale, duke kërkuar edhe një mandat të dytë. Po ashtu, Toqaev kërkoi që presidenti të shërbejë vetëm një mandat 7-vjeçar e jo dy mandate 5-vjeçare. Sipas ligjit të ri, presidentët e ardhshëm nuk do të mund të garojnë për një mandat të dytë. Nazarbaev, i cili udhëhoqi këtë ish-republikë sovjetike për tri dekada, zgjodhi Toqaevin si pasardhës së tij kur u largua nga pushteti më 2019.
Edhe pse nuk ishte më president, Nazarbaev ka pasur fuqi të mëdha politike si kryetar i Këshillit të Sigurisë. Ai po ashtu ka fuqi të mëdha për shkak të titullit “elbasy” apo lider i kombit. Shumë qytetarë, megjithatë, vazhdojnë të shprehin zemërimin e tyre për shtypjen që u është bërë gjatë sundimit të Nazarbaevit.
Pakënaqësitë shpërthyen në janar kur u organizuan protesta anti-qeveritare në mbarë vendin. Protestat fillimisht u thanë se po mbaheshin për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të karburanteve, por shumë shpejt ato u kthyen në shprehje të pakënaqësisë ndaj korrupsionit të perceptuar gjatë sundimit të Nazarbaevit, dhe pasurimit të familjarëve dhe rrethit të tij. Pas protestave, Toqaev e largoi Nazarbaevin nga kreu i Këshillit të Sigurisë dhe atë rol ia dha vetes. Që atëherë, disa familjarë dhe aleatë të Nazarbaevit janë larguar nga pozitat e larta ose kanë dhënë dorëheqje. Disa janë arrestuar nën akuza për korrupsion.
Në qershor, Toqaev po ashtu inicioi një referendum që Nazarbaevit t’i hiqet titulli “elbasy”. Kazakët, megjithatë thonë se të gjitha këto nisma të Toqaevit janë kryesisht ndryshime kozmetike dhe nuk ndryshojnë natyrën e sistemit autokrat të shtetit, që për vite me radhë është zhytur në korrupsion dhe nepotizëm./ REL