“Suksesi dhe dështimi të japin emocione të forta”, kështu e ka nisur bisedën në studion e “Rreze Dielli” në Report TV, Turjan Hysko, i cili këtë rradhë erdhi tek publiku me filmin “Kazerma”. Dikur 18 vjeçari i apasionuar pas muzikës e vazhdoi rrugëtimin e tij në botën e televizionit.
“Një telefonatë e Suela Bakos më bëri të nis shumë i ri eksperiencën në televizion, atëherë m’u duk një shans i madh, pasi në një moshë 18 vjeçare, fillova të marr një pagë të mirë dhe si çdo i ri e përqafova këtë eksperiencë. Vlerësoj gjithashtu mbështetjen që më ka dhënë babai i Sokol Ballës, i ndjeri Lul Balla”, u shpreh Hysko.
Tashmë i magjepsur nga filmi “Kazerma”, Turjan Hysko ndau disa emocione në lidhje me këtë produksion të suksesshëm.
“Ky film është radiografi e kthyer në art, nuk është ideja për të dhënë prapaskenat e një televizioni, por është më shumë se kaq, është shoqëria shqiptare e cila nuk të fal. Jemi një shoqëri e dhunshme, ku shpesh herë nuk e njohim mirëkuptimin. Në film jam autori dhe moderatori që bën kompromis me “djallin” për të marrë sa më shumë klikime, dhe në anën tjetër është publiku që pas tastjerës dhunon ata që sheh. Pra është një rreth vicioz ku kemi rënë të gjithë pre, një vorbull e rrezikshme që nuk i dihet fundi, dhe në fund pyesim - A ja vlejti?”, u shpreh Hysko.
Ai foli edhe për eksperiencën e tij të parë si aktor.
“Nuk doja të aktroja vetë, Xhosti dhe Edi Oga insistuan, më thanë je ti i duhuri, por meraku im ishte se nuk doja të ngjaja që unë bëj gjithçka. Jam i ashpër me veten, por përshtypjet e njerëzve ishin të mira, e fillova aktrimin në moshën 40 vjeç, por nuk do ndalem tani. Filmi mbetet përgjegjësi, por mendoj që kam bërë mirë që e kam nisur tani që e kam krijuar një përvojë në botën e artit”, u shpreh Hysko.
Turjan Hysko u ndal edhe tek raporti me bashkëshorten Orinda Huta, duke e cilësuar këtë rrugëtim të vërtetë, por si çdo çift me sfida, vështirësi dhe dashuri.
“Nuk po them që ne jemi njerëz që na shkëlqen jeta, si çdo kush kemi momentet tona, gri, të vështira, por çdo gjë kalon, mjafton të kesh dashuri. Nëse do ta bëja pak me humor, do thoja edhe familja është një produksion, unë mendoj se jam skenaristi dhe producenti, por Orinda është regjisorja, pasi është një natyrë që i cakton ajo planet”, u shpreh Hysko me sinqeritet.
Të qënit baba për Turjan Huskon ka qënë një rrugëtim i bukur, por edhe me pikëpyetje.
“Dy vitet e para me Atarën kanë qënë pak jo shumë të qarta, nuk e kuptoja se çfarë po bëja mirë dhe çfarë nuk po bëja mirë, por pas moshës 2 vjeç, kur filluam të komunikonim gjithçka ndryshoi tek unë. Tani e njoh fëmijën tim në majë të gishtave, jam i ashpër tek teknologjia, por aty fitoj unë, kemi blerë një kuti ku futet telefoni, për të mos u përdorur. Gjithashtu kemi vendosur edhe me Orindën që në shtëpi nuk bërtasim më apo të debatojmë”, u shpreh ai në fund të bisedës.
Komente












