JAPONI - Edhe pse shumë futbollistë mbyllin karrierën për shkak të moshës, Kazuyoshi Miura vazhdon të sfidojë kohën. Legjenda e futbollit japonez ka vendosur të vazhdojë rrugëtimin e tij në fushë, duke firmosur për një tjetër sezon, edhe pse është pranë mbushjes së 59 viteve, pra plot katër dekada në fushë.
Ish-sulmuesi i Genoas ka arritur marrëveshjen për t’u transferuar te Fukushima United, skuadër që militon në divizionin e tretë të futbollit japonez. Kalimi do të realizohet në formë huazimi nga Atletico Suzuka, klubi ku Miura ishte aktiv së fundmi.
Prezantimi zyrtar nuk do të jetë i zakonshëm. Besnik ndaj supersticionit dhe historisë së tij personale, Miura ka planifikuar njoftimin më 11 janar, në orën 11:11, një homazh simbolik ndaj numrit 11 të fanellës që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij prej katër dekadash.
Në vitin 2026, Miura do të shënojë një tjetër rekord me 40 vite karrierë profesionale. Deri më tani, Miura ka regjistruar 910 paraqitje zyrtare dhe 229 gola, duke u kthyer në një ikonë jo vetëm të futbollit japonez, por edhe të sportit botëror.
Komente






