KE dhe shansi shqipta

KE dhe shansi shqipta
Rregulli statutor i Këshillit të Evropës është i qartë: çdo vend anëtar, me rotacion 6 mujor dhe mbi bazën e gërmës alfabetike merr drejtimin e Këshillit të Ministrave të KE-së. Shqipëria u pranua anëtare në KE më 1995, vit kur kryesimi i takoi Qipros dhe sot, 17 vjet më vonë, pas Ukrainës e Britanisë së Madhe radha është e Shqipërisë. Në nëntor 2012 drejtimi do t’i kalojë shtetit pasues, Andorrës dhe me këtë përbërje të KEsë, radha jonë tjetër drejtuese do t’i takojë në vitin 2035-2036. Kjo praktikë drejtimi me rotacion ka vlera të veçanta besimi e përfaqësimi për 47 vendet anëtare, i bën ato të ndjehen pjesë e vendimmarrjes së rëndësishme dhe aplikohet edhe në organizata të tjera kolektive siç janë BE, OSBE, etj. Pra nuk është një garë ku vlerësohen arritjet dhe aftësia politike e diplomatike, por një “dhuratë” formale që vjen për shkak të anëtarësisë në KE. Natyrisht që radha e drejtimit ministror të KE-së është lajm dhe shans i mirë për çdo qeveri dhe administratë që drejton në periudhën përkatëse. Ky është një rast ideal për një promovim të parimeve dhe projekteve (ndër) shqiptare në politikën e jashtme, për një rol aktiv të diplomacisë në nxitjen e dialogut politik, bashkëpunimit dhe paqes në rajon e më gjerë, si dhe për rritjen e nivelit të përgjegjësisë dhe seriozitetit të sjelljes së shtetit shqiptar në raport me shtetet e tjera anëtare të KE-së. Në rastin shqiptar është një shans për të lobuar më shumë për Kosovën dhe pozitën shqiptare në rajon, gjë që me të drejtë u shpreh edhe në deklaratën e prioriteteve në ceremoninë zyrtare nga ministri ynë i jashtëm.

Gjithsesi, përtej aktit formal e protokollar të drejtimit, përtej pritjeve të mëdha, keqkuptimeve po kaq të mëdha, përpjekjeve për të qenë të përmbajtur apo për të përfituar politikisht nga kjo rastësi, Shqipëria ka një shans ideal për të treguar nivelin e maturimit demokratik dhe të aftësive të saj politike, diplomatike dhe evropiane. Kjo është thelbësore dhe ky mesazh meriton tërë vëmendjen e institucioneve shqiptare. Nëse më 2007 KE negocioi marrëveshjen PD-PS për zgjedhjet dhe më 2009 KE negocioi (modeli “Krokodil”) dialogun politik midis PD-PS, më 2012 do të ishte shans i humbur dhe fatkeqësi nëse përsëri do të duhet që ndonjë krizë politike apo dialogu i munguar demokratik shqiptar të jetë pjesë e agjendës evropiane të KE-së. Séanca e djeshme në parlament do të duhej të ishte një garanci e qartë e vullnetit të mirë se kjo nuk do të ndodhë, pra që Shqipëria ka stabilitet të qëndrueshëm demokratik, ka dialog e produkte konstruktive bashkëpunimi (reforma zgjedhore, zgjedhja presidenciale apo reformat e munguara në drejtësi, antikorrupsion e heqjen e imuniteteve). Ajo nuk e dha këtë sinjal, përkundrazi. Retorika e ashpër midis palëve, akuzat dhe refuzimet reciproke për reformë serioze zgjedhore apo zgjedhje mbipartiake të Presidentit, janë një paralajmërim serioz se klasa politike në Shqipëri nuk ka mësuar asgjë nga politika, tranzicioni dhe as shanset e humbura.
Kjo sjellje joserioze del qartë edhe nga keqkuptimi e keqpërdorimi politik që iu bë aktit formal të drejtimit të KE-së. Qeveria u shpreh dje se kryesimi i radhës i KE-së është “një arritje historike”, “një nga ceremonitë më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë” dhe prioritet u shpall reforma gjyqësore në KE! Pra, drejtimi protokollar për shkak të germës alfabetike shihet si “sukses e arritje historike”, dhe vendi ndër më të kritikuarit nga vetë KE për mungesë të reformës parlamentare në drejtësi merr përsipër të zgjidhë reformën e drejtësisë në vetë KE-në!! Duke folur me gjuhën diplomatike është normale që reforma gjyqësore në KE, ashtu si çdo projekt tjetër i nisur më parë, të vijojë edhe nën drejtimin formal të Shqipërisë, por që kjo të shndërrohet në agjendë kryesore ndërkohë që në vendin tënd mungon tërësisht, minimalisht angazhimi del i paplotë, joserioz dhe shndërrohet në retorikë. Shqipëria ka drejtuar edhe më parë organe të rëndësishme të politikës evropiane (për të njëjtin shkak, drejtimin me rotacion) dhe si shqiptar, çdokush dëshiron që ky mandat drejtimi të jetë sa më produktiv.
Sot çdo shqiptar pret e uron që Shqipëria ta përdorë mandatin në krye të KE-së për të bërë realitet në vetë vendin e vet ato parime, premtime dhe angazhime që mbron KE dhe që promovon në emër të saj. Një hap serioz dhe akut do të ishte një marrëveshje politike parlamentare gjashtëmujore për sjellje dhe produkte konsensuale politike në çdo vendimmarrje me rëndësi në parlament, përfshirë reformën e imuniteteve, atë në gjyqësor, reformën zgjedhore dhe zgjedhjen e Presidentit. Nëse kjo ndodh përfitimi shqiptar nga drejtimi 6 mujor i KE do të ishte i madh, jo vetëm në kredenciale diplomatike, por edhe në frymën demokratike të parimeve që mbron e promovon ky organizëm. Nëse ndodh e kundërta, që palët vijojnë të sillen me dy standarde, një standard arrogant, refuzues e parademokratik brenda vendit dhe një maturues, institucional e demokratik jashtë tij në emër të KE-së, me siguri në muajin nëntor 2012 do të humbim jo vetëm shansin e drejtimit të KE-së por edhe shansin për marrjen e ftesës për anëtarësim në BE.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje