KE ka gjobitur 8 banka të mëdha, me 1.7 miliardë euro për manipulim të normave të interesit, përveç gjobave rregullatore tashmë të vëna.
 
Kjo gjobë është vetëm e fundit në rradhë që vendoset mbi bankat dhe institucionet financiare për përfitime apo maskime të problemeve të tyre duke mashtruar dhe manipuluar normat e interesit që reflektojnë kostot e huadhënjeve ndaj njëra-tjetrës.

Në një deklaratë për shtyp KE bëri të ditur se bankat e gjobitura ishin Citigroup, Deutsche Bank, Royal Bank of Scotland, JPMorgan, Barclays, Societe Generale, UBS dhe RP Martin.

Normat e huamarrjes të përfshira përdoreshin për të vendosur çmimin e triliona dollarë produkteve financiare, duke filluar nga hipotekat deri tek derivatët.

Zv. Presidenti i Komisionit Europian në detyrë për politikat e konkurrencës, Joaquín Almunia, tha se çfarë ishte tronditëse në lidhje me këtë skandal nuk ishte vetëm manipulimi i standarteve por edhe marrëveshja e fshehtë mes këtyre bankave të cilat duhet të konkurronin me njëra-tjetrën.

Ai shtoi se vendimi i sotëm dërgonte një mesazh të qartë se KE është i vendosur të luftojë dhe të sanksionojë këto kartele në sektorin financiar. Sipas tij konkurrenca dhe transparenca janë thelbësore që tregjet financiare të punojnë siç duhet në shërbim të ekonomisë së vërtetë, se sa të interesit të disave.

KE vendosi se gjoba për secilën bankë u përllogarit në bazë të nivelit të përfshirjes së saj në këtë manipulim dhe të kooperimit të saj gjatë hetimit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)