Numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian për vitin 2018 është më i ulët krahasuar me një vit më parë.
Ky përfundim u është bërë i ditur autoriteteve shqiptare nga përfaqësues të Komisionit Europian (KE), në takimin e Nënkomitetit të 11-të mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, mbajtur në Bruksel. Takimi u bashkëkryesua nga Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian dhe Sokol Dedja, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Reforma në Drejtësi dhe procesi i Vettingut janë vlerësuar si pikat ku Shqipëria ka njohur më tepër progres për vitin 2018.
Nga ana tjetër, në takim u është bërë e ditur përfaqësuesve shqiptarë edhe pikat ku është e nevojshme për të thelluar përpjekjet dhe për të mos ndalur nga puna, duke nisur nga lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe kundër krimit të organizuar, finalizimi i themelimit të (SPAK).

Garantimi se operacionet e suksesshme të kohëve të fundit të policisë do të pasohen si duhet me hetime, aktakuza dhe dënime përfundimtare është kyç. Të drejtat themelore kërkojnë përpjekje të mëtejshme për zbatimin efektiv të legjislacionit përkatës, duke përfshirë miratimin e legjislacionit të nevojshëm dytësor, gjithashtu në fushën e mbrojtjes së pakicave. Theks i veçantë u vu te nevoja për një reformë gjithëpërfshirëse të të drejtave pronësore.
Komente

