Këshilli i Bashkimit Evropian edhe këtë vit do të miratojë raportet për procesin e zgjerimit dhe procesin e stabilizim-asocimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes së cilave do të bëjë ftesë për nevojë urgjente për reforma dhe për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Drafti është përgatitur dhe teksti i tyre është në proces të miratimit nga përfaqësuesit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Në takimin e sotëm u diskutua për zhvillimet kryesore në lidhje me përmbushjen e kritereve politike, kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të vitit 2015
Pjesëmarrësit mirëpritën angazhimin e vazhdueshëm strategjik të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe në Dialogun me Serbinë, i lehtësuar nga BE.
“Këshilli rikujton se progresi në normalizimin e raporteve me Serbinë është një parim themelor i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe është bazë për zhvillimin e raporteve dhe bashkëpunimit mes BE-së dhe Kosovës”, thuhet në këtë dokument.
Pjesëmarrësit përsëritën rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, vendimi për të cilat është ende në shqyrtim në Këshill.
“Këshilli kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet se “propozimi është duke u shqyrtuar në Këshill” dhe rikujtohet se Komisioni Evropian kishte propozuar në vitin 2018 që Kosovës t’i hiqen vizat.
Gjatë konferencës së sotme u diskutua po ashtu edhe zhvillimet në reforma të ndryshme, si sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe punësimin.
Sa i përket Dhomave të Specializuara, pjesëmarrësit vlerësuan bashkëpunimin e treguar kohët e fundit nga autoritetet e Kosovës .
Takimi u drejtua nga Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Olivér Várhelyi. Delegacioni i Kosovës drejtohej nga Kryeministri, Avdullah Hoti. Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe ministrat znj. Meliza Haradinaj-Stublla, Agim Veliu, Hykmete Bajrami, Selim Selimi, Besian Mustafa dhe Vesel Krasniqi gjithashtu morën pjesë
Pjesëmarrësit ranë dakord mbi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të Kosovës në bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në zbatimin e Planit të Veprimit për zhvillimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor siç u miratua në samitin e Sofjes në 10 nëntor 2020.