Bashkimi Evropian ka konfirmuar kontrollet e reja të eksportit të vaksinave anti-COVID në vendet e unionit. I ashtuquajturi mekanizëm i transparencës u jep vendeve të BE kompetenca për të mohuar autorizimin për eksportet e vaksinave nëse kompania që i bën ato nuk ka respektuar kontratat ekzistuese me BE.
"Mbrojtja dhe siguria e qytetarëve tanë është një përparësi dhe sfidat me të cilat përballemi tani nuk na linin zgjidhje tjetër veçse të vepronim," tha Komisioni Evropian.

Kontrollet do të prekin rreth 100 vende të botës përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Kanada dhe Australi, por dhe vendet e varfra nuk përjashtohen. Sipas rregullit të ri, firmat e vaksinave do të duhet të kërkojnë leje përpara se të furnizojnë doza përtej BE. 27 vendet e tij anëtare do të jenë në gjendje të verifikojnë eksportin e tyre.
Më herët Organizata Botërore e Shëndetësisë kritikoi këtë veprim, duke thënë se kjo mund të ketë një efekt goditës në të gjithë botën.
BE ka një mosmarrëveshje me prodhuesin e ilaçeve AstraZeneca mbi furnizimet dhe me presionin në rritje mbi ritmin e ngadaltë të shpërndarjes së vaksinave.
Sot, Komisioni bëri publike një kontratë konfidenciale me AstraZeneca, për të mbështetur argumentin e saj se firma nuk ka arritur të përmbushë premtimet e saj për t'i dhënë bllokut.
BE është gjithashtu në një mosmarrëveshje furnizimi me Pfizer, e cila do të sjellë më pak doza se vëllimi i vaksinave të kontraktuara për BE deri në fund të marsit.

