Rama: KE 'ferri' që 'shëroi' dhimbjet nga ata që i bien në qafë Shqipërisë! Soreca: Negociata pa kushte

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca i ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për hapjen e negociatave. Diplomati i BE-së ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga Shqipëria, sidomos atë në drejtësi, ndërsa ka inkurajuar dy palët qeverinë dhe opozitën që të bëjnë një pakt për cështjen e integrimit për të bindur vendet e BE-së në marrjen e vendimit.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se progres raporti pozitiv dhe rekomandimi për hapjen e negociatave nuk ishte surprizë, pasi Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat, ndërsa shtoi se tani vendimi është politik dhe për këtë i kërkoi opozitës që deri në marrjen e vendimit të mos mendojnë për partinë, por për Shqipërinë.

"Nëse opozita s'do ishte në rrugë, i bindur që KiE do na jepte një vendim pozitiv" u shpreh Rama ndër të tjera. I pyetur për gatishmërinë e Presidentit Ilir Meta për shtyrë datën e zgjedhjeve, Rama u shpreh i prerë 'Jo', pasi sipas tij 30 Qershori nuk negociohet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:59
Rama: 'OK' i KiE në dorën e opozitës

Zgjedhjet në parlamentin Europian rritën skepticizmin se vendi ynë nuk do të ketë mbështetjen e Parlamentin Europian, siç e ka pasur më herët. Pyetur lidhur me këtë, ambasadori Soreca është shprehur i bindur se Shqipëria do të gëzojë të njëjtën mbështetje. Në të njëjtën linjë, ka qenë edhe kryeministri Edi Rama. Në konferencën për shtyp, ai tha se nëse opozita do të ishte në rrugë, do të ishte i bindur 100% se KiE do të çelte negociatat.

Soreca: PE tani po fillon procesin për rikompozimin e parlamentit. Deri më 2 korrik nuk do ketë një takim. Kjo mund të ketë ndikim në mënyrën se si do organizohen familjet e ndryshme brenda BE. PE në të shkuarën ka shprehur një mbështetje të forta ndaj Shqipërisë, dhe kompozimi aktual i PE nuk shkon në drejtim të kundër. PE do vazhdojë të japë mbështetjen e saj.

Rama: Me zgjedhjet e reja, ka fituar Europa. Ajo ç'ka mendohej si një dallgë oqeanike skeptike për të ardhmen e BE, nuk ka ndodhur. Atmosfera është shumë më pozitive se imagjinata përpara zgjedhjeve. Por në fund të ditës duhet të kuptojmë që shikoni deklaratat e ndryshme nga individë të ndryshëm në partinë më të madhe të Gjermanisë. Nuk janë të ndryshme në aspektin e dëshirës për të ndihmuar Shqipërisë, por në aspektin e këndvështrimeve, kështu që është një arsye për të kuptuar që patjetër do të ketë nuanca të ndryshme kur të bëhet diskutimi në KiE. Me ndihmën e opozitës rrugore mund t'ia dalim. Nëse nuk do kisha dyshim si po të precipitohej lëvizja rrugore e opozitës, do të thoja se Shqipërisë do t'i hapeshin 100% negociatat. Nëse opozita do t'i jepte një shans Shqipërisë. I vetmi element i panjohur është opozita e Shqipërisë. 

Ora 15:59
Rama flet për ferrin e KE-së...dhe lidh paktin e paqes me mediat

Për kryeministrin Edi Rama raporti i progresit për Shqipërinë është mjaft domethënës, për vetë institucionin që përfaqëson Komisioni Evropian. Një analizë e thellë që i shërben edhe vetë qeverisë të kuptojë ecurinë në rrugën e reformave përmes një qëndrimi objektiv dhe teknik të arritjeve. Kreu i qeverisë tha se ky raport është edhe një përgjigje për të gjithë ata që i bëjnë dëm vendit, duke ju referuar këtu në mënyrë të nënkuptuar opozitës. Në përfundim të konferencës me kryediplomatin e BE-së, kreu i qeverisë Edi Rama ndau edhe batuta me gazetarët të cilët i falenderoi për kontributin e tyre, duke thënë se kanë "lidhur" një pakt paqeje, që sipas tij do të përmbyllet me "sukses spektakolar".

"Shprehje e konsensusit të përbashkët për të mbështetur procesin, e jashtëzakonshme. Falenderoj komisionin. Komisioni Evropain është një makineri ferri që financohet nga taksa paguesit evropianë për tu nxirë jetën të gjitha vendeve që janë në këto procese, por nga ana tjetër është lakmuesi më i sigurtë për testin e çdo vendi, dhe në këtë aspekt falenderoj gjithë ata që këtu në Shqiëpri kontribuojnë në funksion të taksapaguesve evropiane por duke qenë këtu dhe duke punuar pa orar çdo ditë për të kuptuar deri në fund ecurinë në të gjitha prioritetet na jep mundësinë që ne të kemi një qëndrim objektiv, teknik të arritjeve tona. Komisioni Evropian është ngushëllimi më i madh për gjithë dhimbjet e shkaktuara nga gjithëfarlloj burimesh dhe kanalesh që për arsye të tyre i bien Shqipërisë në qafë më shumë sesa Shqipëria e meriton. Shumë faleminderit ambasadorit, të pranishmëve, dhe gjithë përfaqësuesve të gjithë mediave. Procesi i paqes mes nesh po ecën në mënyrë konstante, pavarësisht proceseve të tjera procesi ynë i paqes do të mbyllet me sukses spektakolar", u shpreh kryeministri.

Ora 15:48
Meta gati për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, Rama i prerë: Jo! 30 Qershori nuk negociohet

Pak ditë më parë Presidenti i Republikës, Ilir Meta shprehu gatishmërinë për rishikimin e dekretit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit nëse do të ketë pëlqimin e palëve në funksion të zgjidhjes së krizës politike. Por Rama ditën e sotme deklaroi i prerë se 30 Qershori nuk do të negociohet dhe se PS-ja në datë 1 Qershor nis zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale. Në mënyrë indirekte ai e 'shigjetoi' kur tha se 'Shqipëria institucionale nuk mund ti nënshtrohet axhendave partiake të kujtdo qoftë'. Në fund Rama paralajmëroi edhe një letër të shtatë drejtuar Bashës për ta ftuar sërish që të ulet në dialog.

"Ka konfirmime lidhur me cfarë është bërë ka edhe konstatime dhe porosi cfarë duhet bërë dhe besoj që nuk e lexoj gabim raportin nëse them se sikur ka një sërë detyrash që mund të nxirren ka edhe një detyrë që duhet nxjerrë nga opozita, por këtë ua lë ju ta komentoni në atë që është shkruar në raport. Presidenti i Republikës, ai në këndvështrimin tim ka shprehur një gatishmëri për t'u vendosur në dispozicion të një zgjidhje me pëlqimin e partive politike se kështu e përcakton Kushtetuta.

Por PS-ja shumica nuk ka asnjë pëlqim lidhur me asnjë diskutim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, të prerë dhe të qartë në 30 qershor nuk është cështja kush do të fitojë por duhet të fitojë Shqipëria institucionale nuk mund ti nënshtrohet axhendave partiake të kujtdo qoftë. Në raport me Presidentin kam qenë dhe mbetem i bindjes se i duhet dhënë Çezarit ajo që i takon Çezarit, e vlerësoj gatishmërinë e Presidentit dhe jam i bindur që nuk e keqkupton reagimin tim në raport me këtë pyetje se nuk kemi datë për të negociuar dhe nuk kemi Kushtetutë për të anashkaluar.

Përsa i përket letrave, thonë nuk ka gjashtë pa shtatë dhe nuk e di por mbase do të ketë edhe një të shtatë, por në të gjashtë ftesat për t'i hapur rrugë dialogut me opozitën jam përpjekur që të bëj më të mirën, sa ia kam arritur nuk e di. E sigurt është që në 1 Qershor PS do të fillojë fushatën në një betejë që nuk është thjesht kush do të zgjidhet por si do të jetë Shqipëria e së nesërmes" tha Rama.

Ora 15:35
Rama: Ne i bëmë detyrat! Tani duhet të çelen negociatat

Edi Rama tha se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave pa kushte, pasi i ka bërë të gjitha detyrat, ndërsa tani gjithcka është në dorë të vendeve anëtare dhe vendimi është politik, jo teknik, pasi detyrat janë bërë të gjitha.
"Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces. Kjo nuk është një surprizë, por afirmimin i faktit që i kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë me përpikmëri dhe pse i kemi bërë të gjitha.

KE ka konfirmuar rekomandimin pozitiv pa kushte për Shqipërinë. Vitin e shkuar Shqipëria mori një rekomandim pa kushte dhe KE vendosi që në qershorin e 2019, që po troket, të zyrtarizojë celjen e negocitatave dhe në dhjetor të nisë procesi me konferencën ndërqeveritare, cka është e rëndësishme për ne, për të gjithë është se përsëri Komisioni konfirmoi progres dhe bazuar në fakte në shifra ka rirekomanduar celjen e negociatave dhe ndryshe nga sa ka ndodhur në të shkuarën Shqipëria ka filluar procesin screning që për vendet e tjera ka nisur pas celjes së negociatave.

Shqipëria nuk ka asnjë minutë, ky vit nga viti i shkuar kur u dha rekomandimi i parë, ka qenë një vit intensiv me komisionin në aspektin e skanimit të të gjithë aspekteve të legjislacionit. Hapi i dytë konfirmues është këshilli europian, udhëheqësit politik të BE-së, por dallimi është i qartë, në hapin e parë gjykimi është objektiv, në të dytin gjykimi është politik dhe për këtë arsye në këtë kohë të mbetur deri mbledhje do të bëjmë gjithcka që të influencojmë në vendim. Kam lexuar një editorial të botuar nga ministri i shtetit për Europën i Gjermanisë, i cili ka përcaktuar kornizën e patjetërsueshme në bazë të së cilës  Gjermania dhe të gjitha vendet anëtare duhet të celin negociatat me Shqipërinë"  tha Rama.

Ora 15:35
Rama i kërkon Bashës ‘armëpushim’ deri në vendimin për hapjen e negociatave

Kryeministri Edi Rama kishte një mesazh për Lulzim Bashën dhe opozitën deri në mbledhjen dhe vendimin e vendeve anëtare të BE-së për Shqipërinë për negociatat. "I them përkthyeses që të mos përkthejë asgjë në gjuhë të huaj për mua tani në mesazhin që kam për opozitën. Këtë e kam apel për Bashën dhe atë pjesë të opozitës që është rrugëve, deri në momentin e vendimmarrjes është mirë të mendojnë për Shqipërinë jo për partinë, të mendojmë për gjeneratën tjetër, jo zgjedhjet, që të mos furnizojmë ata që janë të lëkundur apo në kërkim të arsyeve për të thënë jo, me pamje të gënjeshtra që nuk pasqyrojnë realitetin nga Tirana protestash partiake dhe jo popullore. Dhe e fundit që kam është ne, e kemi lexuar me shpejtësi për kohën që kemi pasur, por do ta lexojmë me shumë vëmendje dhe ministri në detyrë për Europën do të paraqesë në qeveri në mbledhjen e radhës një plan veprimi për problematikat që ngrihen në raport. Kështu që mendoj që është momenti që gazetarët të bëjnë pyetjet" tha Rama.

Ora 15:25
Ambasadori i BE-së: Shqipërisë t'i hapen negociatat pa asnjë kusht, dialog politik

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca i ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave. Diplomati i BE-së ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga Shqipëria, sidomos atë në drejtësi, ndërsa ka inkurajuar dy palët qeverinë dhe opozitën që të bëjnë një pakt për cështjen e integrimit. "Shqipëria ka arritur progres të rëndësishëm në fushat e përcaktuara nga Këshilli. KE i rekomandon këshillit që të celen negociatat tani dhe pa kurrëfarë kushtëzimi. Vettingu ka ecur përpara duke nxjerrë më shumë se 140 vendime. Ka pasur disa operacione për goditjen e grupeve kriminale. Në lidhje me migracionin, azili ka rënë pavarësisht se mbetet i lartë në disa shtete anëtare.

Një zhvillim i rëndësishëm është që ka nënshkruar me FRONTEX dhe kemi rezultatet e para. Shqipëria ka bërë përpjekje për të drejtat themelore. Duhet të përmirësohen përpjekjet për kuadrin ligjor për administratën Vendimi i KE-së është mbështetur në përparimin që i duhet një shteti për të celur negociatat. Ky nivel nuk është i njëjtë me atë që Shqipëria duhet të tregojë për t'u bërë shtet anëtar, kështu që celja e negociatat përcakton fillimin e fundit. Shqipëria duhet të vijojë që të luftojë krimin dhe nevoja për një konsensus kombëtar për integrimin duke tejkaluar polaizimin për të treguar vullnet politik.

Kjo përpjekje do të thotë që të gjitha partitë duhet të jenë të bashkuara për integrimin. Ritheksojmë thirrjet për të gjitha partitë për t'u angazhuar në dialog.  Shqipëria ka arritur një gur të rëndësishëm kilometrik. Shqipëria ka ndërmarrë reforma të paprecedenta. Ka ende shumë reforma për t'u bërë, por Shqipëria është gati për hapat e tjera. Tre javët në vijim do të jenë kyce për vendimin në cdo shtet. Prandaj inkurajojmë qeverinë dhe opozitën që të kontriubojnë për këtë proces
" tha ai.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës