Raportuesi i misionit paszgjedhor i Këshillit të Evropës në Maqedoni, Stefan Shenah, është shprehur i shqetësuar për zhvillimet e fundit të tensionuara në Maqedoni duke vlerësuar se situata paraqitet dramatike dhe rrezikon rrugën e saj drejt BE-së.
 
Raporti i misionit do të shqyrtohet gjatë këtij muaji në Asamblenë Parlamentare të KE-së dhe do të analizojë zgjedhjet e zhvilluara në Maqedoni, të cilat janë kontestuar nga opozita dhe kjo e fundit prej kohësh ka bojkotuar parlamentin. 
 
Shenah ka theksuar se situata po bëhet akoma më konfliktuale me protestat e opozitës kundër qeverisë dhe me konfliktin e ri ndëretnik me shqiptarët, çka rrezikon ta lërë Maqedoninë pas në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
 
Ndërkohë në Maqedoni priten të zhvillohen të tjera protesta kundër vendimit të gjykatës për rastin “Monstra” dhe shqiptarët nga e gjithë bota janë sensibilizuar me ta duke organizuar protesta në vendet ku jetojnë e punojnë.
 
Protestat mbarëshqiptare janë organizuar në të gjitha trevat etnike nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra e Tirana. Nismës kundër dënimit të padrejtë me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve, i janë bashkuar dhe patriotë që jetojnë në diasporë si në Amerikë, Londër, Stamboll e Zyrih etj.
 
Ata prej ditësh kanë dalë në sheshet e kryeqyteteve të botës apo pranë ambasadave shqiptare e maqedonase për të mbështetur vëllezërit e tyre shqiptarë në Maqedoni me veshje e flamuj kombëtarë nën sloganin “Shkup jemi me ty!”
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)