TIRANË- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur në mbledhjen e ditës së sotme ngritjen e një grupi pune që do të merret me pasqyrimin rekomandimeve të opinionit të Venecias, për Gjykatën Kushtetuese.

Ky grup pune do të jetë i përbërë nga dy anëtarë, të cilat do të jenë Saida Dollani dhe zëvendësuese Marsida Xhaferllari, me këtë të fundit që nuk është një emër i panjohur për opinionin publik. Xhaferllari është e dekretuara nga presidenti Ilir Meta si anëtare për Kushtetuesen, pikënisja e krizës institucionale presidencë- kuvend, për të cilën Komisioni i Venecias i dha të drejtë kreut të shtetit për sa i përket emërimeve në këtë institucion. 

"Sa i takon pikës së parë të rendit të ditës, KED vendosi të ngrihet një grup pune i përbërë nga anëtarja e KED Znj. Saida Dollani dhe anëtarja zëvendësuese Znj. Marsida Xhaferllari, të cilat do të punojnë intensivisht mbi pasqyrimin e rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias në Opinionin nr.978/2020, datë 19 qershor 2020 “Për Emërimin e Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese” përsa i takon veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Këto rekomandime do të pasqyrohen në aktet rregullatore të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për të bërë të mundur vijimin e procesit në tërësi mbi përzgjedhjen e kandidaturave për vendet vakante", thuhet në njoftimin zyrtare.

Ndërkohë, referuar njoftimit, mësohet se janë gati dy emrat e rinj nga lista e presidentit për Gjykatën Kushtetuese, të cilat nuk janë ende publike, e ndërsa sa i përket vakancës së tretë nuk është përfunduar procesi i verifikimit.

"Në lidhje me vijimësinë e përgatitjes së çështjeve të shortuara u bë me dije nga anëtarët relatorë se dy nga vakancat e përkohshme që i takojnë institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, janë përgatitur plotësisht dhe në një kohë sa më të afërt do t’u përcillen kandidaturave përkatëse. Lidhur me vakancën e tretë që i takon Presidentit të Republikës, nuk është përfunduar ende i gjithë procesi standard i verifikimit", thotë njoftimi.

Kjo mbledhje është mbajtur nga Vitore Tusha, pas largimit të Ardian Dvoranit, i paditur nga presidenti Ilir Meta për shpërdorim detyre. Tusha, në nisje të mbledhjes  ka zhvilluar një takim me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, Yuri Kim dhe Luigi Soreca.