Sot ishte dita e fundit e Keir Starmer si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe dita e parë e Andy Burnham në këtë detyrë. Ish-kryebashkiaku i Manchesterit, i cili të premten u zgjodh lider i Partisë Laburiste me mbështetjen e 95% të deputetëve të saj, mori zyrtarisht drejtimin e qeverisë britanike.

Në orën 12:00 me orën tonë, Starmer mbajti fjalimin e tij të fundit përpara rezidencës së kryeministrit në Downing Street 10, duke e nisur me fjalën “Faleminderit”.

“Puna ime ka mbaruar. Ndryshimet që kemi sjellë u përkasin të gjithëve. Largohem me një buzëqeshje, krenar për gjithçka kemi arritur”, tha ai.

Duke iu drejtuar pasardhësit të tij, Starmer shtoi: “I uroj Burnham gjithë të mirat e mundshme”.

Në fjalimin e lamtumirës, ai tha se gjatë gjashtë vjetëve e gjysmë në krye të Partisë Laburiste e nxori atë nga humbja historike e vitit 2019, e transformoi për ta bërë të gatshme të qeveriste vendin dhe e çoi drejt një fitoreje bindëse në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.

Kryeministri në largim ka meritën që riktheu laburistët në pushtet pas 14 vitesh qeverisje konservatore.

Starmer shfrytëzoi fjalimin edhe për të nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën.

“Është jetike të kujtojmë madhështinë e Britanisë. Ndërsa mendojmë si të zgjidhim problemet tona, ka diçka edhe më të rëndësishme që na jep besim: fakti se mund ta ndryshojmë vendin tonë për mirë. Mund të bëjmë që çdo i ri në Britani të ketë mundësi të ecë përpara dhe mund të mbajmë njerëz të ndryshëm nën të njëjtin flamur, nëse nuk i dorëzohemi përçarjeve”, u shpreh ai.

Në fund, Starmer falënderoi bashkëshorten Victoria, familjen, ekipin e tij dhe të gjithë Partinë Laburiste.

“Politika do të jetë gjithmonë një sport ekipor. Falënderoj popullin britanik për mundësinë që më dha t'i shërbej. Ishte nderi më i madh i jetës sime”, përfundoi ai.

Pas fjalimit, Starmer shkoi në Pallatin Buckingham për t'i paraqitur dorëheqjen Mbretit Charles III. Më pas ishte radha e Andrew Burnham, i cili zhvilloi një takim me sovranin përpara se të mbante fjalimin e tij të parë si kryeministër. Ceremonia tradicionale e njohur si “puthja e dorës” nuk e përfshin më prej kohësh këtë gjest simbolik. Për Mbretin Charles III, 77 vjeç, ky është emërimi i kryeministrit të katërt në vetëm katër vjet mbretërim.

Pak pasi mori detyrën, Burnham zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump. Lajmi u bë i ditur nga Shtëpia e Bardhë, pa dhënë detaje të tjera. Kjo ishte një nga telefonatat e para të kryeministrit të ri nga Downing Street 10.

Burnham foli edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“E vlerësoj shumë faktin që mbështetja për Ukrainën dhe popullin tonë do të mbetet e palëkundur”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale, duke falënderuar Burnham për “fjalët e respektit” ndaj ukrainasve dhe për ngushëllimet e shprehura për familjet e viktimave të sulmeve të fundit ruse.

Zelensky theksoi se Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërtuar “partneritetin më të fortë në historinë e marrëdhënieve” mes dy vendeve dhe se Kievi dhe Londra do të vazhdojnë të punojnë për ta forcuar atë edhe më tej.

Gjatë bisedës, të dy liderët ranë dakord që në një takim të ardhshëm të diskutojnë bashkëpunimin dypalësh, përfshirë punën në kuadër të Koalicionit kundër raketave balistike.

“Faleminderit, Andy. Faleminderit, Britani”, e mbylli mesazhin e tij Zelensky.

Ndërkohë, paundi britanik ka shënuar rritje kundrejt valutave kryesore dhe vëmendja është përqendruar te përbërja e qeverisë së re, veçanërisht tek emri i Kancelarit të ri të Thesarit.

Gjatë pasdites do të bëhet publike edhe lista e ministrave të qeverisë së re./CorrieredellaSera