Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka lëshuar një tjetër alarm për sigurinë ushqimore, duke njoftuar se në tregun shqiptar është identifikuar një pije jo-alkoolike e sjellë nga Italia që paraqet rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve. Bëhet fjalë për aperitivin Pizzolato Spritz e cila tregtohet në rrjetin e marketeve Bio Ju, me administrator Doriget Hysa dhe ortak Leonard Kadiu.

Bëhet fjalë për produktin "Pizzolato Spritz aperitivo 0.0", i cili është njoftuar nga Gjermania përmes sistemit europian RASFF, pasi ekziston rreziku i pranisë së copëzave të qelqit brenda shisheve.

AKU u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që e kanë blerë këtë produkt të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë pranë pikës së shitjes ku e kanë blerë.

Të dhënat e produktit
Lloji i produktit: Ushqim
Kategoria e produktit: pije jo-alkoolike
Emri i produktit në etiketë: Pizzolato Spritz aperitivo 0.0 (aperitiv pa alkol)
LOT. L 26113A; Datë skadence: 04/2028
Operatori eksportues:
Emri: PETER RIEGEL WEINIMPORT GMBH
Operatori importues në Shqipëri:
Emri: Jurrei- Bio Ju

Paralelisht, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar edhe për dy produkte ushqimore me origjinë nga Koreja e Jugut, të cilat janë raportuar si të prishura. Shqipëria është përfshirë në ndjekjen e këtij rasti pas njoftimit të ardhur nga Holanda përmes sistemit RASFF. Produktet janë YOPOKKI gnocchi di riso cup (njoki) dhe Yopokki ricecake cup kimchi (kek orizi). Importuese wshtw kompania KF2019 SHPK me adminstrator Zhixiong Tie.

“Në vijim të njoftimit të kategorisë, Njoftim Informues për Vëmendje, me temë: “Kek i prishur me origjinë nga Korea e Jugut”, duke përbërë risk serioz për shëndetin e njeriut, njoftuar nga Holanda, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje nga sistemi RASFF (Rapid Alert Sistem for Food and Feed)”, thuhet në njoftim.

Të dhënat e produkteve:
Lloji i produktit: Ushqim
Kategoria e produktit: Produkte të pjekura
Emri i produktit në etiketë: YOPOKKI gnocchi di riso cup (njoki)
LOT: 181226;          Datë skadence: 18/12/2026
LOT: 260126;          Datë skadence: 18/12/2026
Emri i produktit në etiketë: Yopokki ricecake cup kimchi (kek orizi)
LOT: 260126; Datë skadence: 13/12/2026
Operatori eksportues:
Emri: STORE SRL
Operatori importues në Shqipëri:
Emri: KF2019 SHPK