Në krevatin e vendosur brenda ambienteve të posaçme të burgut të Pojskës në Pogradec do të kalojë sonte natën një foshnje vetëm 1 vjeç. I vogli i është dërguar nënës së tij 34-vjeçare, e cila u transferua në qeli një ditë më parë pasi ndaj saj rëndon një dënim i formës së prerë me 2 muaj burg, dhënë nga Gjykata e Tiranës për dhunë në familje.
Nëna, disa ditë më parë hyri në Shqipëri nga pika kufitare e Muriqanit, tekksa kthehej me familjen e saj nga Germania, në padijeni totale për dënimin e saj. Me të mbërritur në shtëpi, kthimin e të resë e mëson oficeri i policisë që mbulon zonën ku ajo banonte dhe e telefonin duke e vënë në dijeni për vendimin e gjykatës, duke i kërkuar të paraqitej në Komisariatin nr. 6 në kryeqytet.
Vullnetarisht 34-vjeçarja me emrin Dorina paraqitet vetëm pak orë më pas, me foshnjën 1-vjeçe, e shoqëruar nga bashkëshorti. Dy fëmijët e tjerë të mitur, më i madhi 7-vjeçar e tjetri 2-vjeç e gjysmë ishin lënë në banesë, në shoqërinë e gjyshërve.
Duke qenë se uniformave blu u dilte në sistem dënimi i formës së prerë për 34-vjeçaren, ajo u dërgua në ambientet e bllokut të sigurisë në Tiranë, dhe vetëm pak orë më pas vjen një urdhër ekzekutimi nga prokuroria dhe e reja niset menjëherë drejt burgut të grave në Pogradec. Në këtë interval kohor djalë vetëm 12 muajsh është sjellë te nëna për t’u ushqyer me gji nga gjyshja e tij.
Në Ponjske autoritetet ia dërguan vetëm 24 orë më pas djalin 1-vjeçar, i shoqërtuar nga babai i tij, ndërkohë që dy të vegjlit e tjerë mbetën sërish në shtëpi, pa nënën.
Dënimi për të cilin Report Tv mëson ekskluzivisht se ka marrë formë të prerë vetëm muajin e kaluar lidhet me një ngjarje të disa viteve më parë, për një rast dhune në familje, konflikt i të resë me vjehrrin e saj. I gjithë procesi ka qenë në mungesë dhe 34-vjeçarja nuk është paraqitur në asnjë seancë gjyqësore.
Kjo mungesë është konsideruar nga gjykata si largim nga drejtësia dhe e ka dënuar të renë me burgim, duke mos i dhënë të drejtën e shërbimit të provës. Për këtë arsye ajo nuk ka mundur të përfitojë as nga të dyja amnistitë e këtyre viteve, atë të 2024-s dhe nga kjo e fundit e para pak javëve.
Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se nisur nga situata e veçantë, Gjykata e Tiranës ka vendosur një seancë urgjente, nesër ora 10:45, për të shqyrtuar kërkesën e 34-vjeçares për rivendosje në afat të çështjes gjyqësore. Pra prishje të vendimit të formës së prerë së Apelit dhe ridërgimin e çështjes në të njëjtën gjykatë, për shkak se procesi është bërë në mungesë. Kjo do ta lironte menjëherë nënën e tre fëmijëve të mitur.
Përveç opinionit publik për ngjarjen kanë reaguar edhe institucionet më të larta në vend. Avokati i Popullit Shabani ka vizituar nënën në ambientet e burgut, dhe kërkoi një hetim të hollësisshëm nga institucionet për çfarë ka ndodhur. Burime nga Presidenca i thanë Report Tv se edhe kreu i Shtetit është interesuar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Sipas të njëjtave burime Begaj ka vënë në dispozicion edhe faljen presidenciale që çështja të zgjidhet menjëherë.
Sa i përket foshnjës, që ndodhet në ambientet e burgut të Ponjskës, Report Tv kontaktoi me autoritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët garantuan se kushtet janë optimale

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas interesimit publik për rastin e 34-vjeçares që po vuan dënimin në IEVP Pojskë, së bashku me foshnjën e saj 11-muajshe. Institucioni thotë se gjithçka është bërë në zbatim të ligjit dhe se foshnja është akomoduar në ambiente të posaçme, ndërsa për nënën dhe fëmijën është hartuar një plan i individualizuar përkujdesjeje.
Deklarata e plotë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
"Në zbatim të legjislacionit në fuqi, që garanton mbrojtjen e të drejtave të nënave të privuara nga liria dhe interesin më të mirë të fëmijës, në IEVP Pojskë është akomoduar e dënuara me inicialet D. S., e dënuar me 2 (dy) muaj burgim, së bashku me foshnjën e saj 11-muajshe.
Gjatë procedurave të pranimit në institucion, shtetasja me inicialet D. S. ushtroi të drejtën e parashikuar nga Ligji nr. 81/2020 "Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve" dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, për të mbajtur pranë saj fëmijën nën moshën 3 vjeç.
Pas përfundimit të procedurave ligjore dhe administrimit të dokumentacionit përkatës, foshnja u akomodua në ambientet e posaçme të institucionit, jashtë regjimit të brendshëm, ambiente të përshtatura për qëndrimin e nënave me fëmijët e tyre.
Për nënën dhe fëmijën është hartuar një plan i individualizuar përkujdesjeje, i cili përfshin masat e sigurisë, kujdesin shëndetësor, ushqimin sipas nevojave, si dhe mbështetjen psikologjike dhe sociale.
Zbatimi i këtij plani monitorohet nga stafi multidisiplinar i institucionit, me synimin për të garantuar mirëqenien e nënës dhe të fëmijës, si dhe respektimin e të drejtave të tyre, në përputhje me legjislacionin dhe standardet në fuqi."
Avokati i Populli ka inspektuar sot ambientet e burgut të Ponjskës ku po mbahet nëna 34-vjeçare dhe foshnja e saj.
Në një prononcim për mediat Endri Shabani tha se e reja duhet të lirohet nesër, dhe se nëse kjo nuk ndodh, po shkelen procedurat.
“Që kur jemi vënë në dijeni dje, kemi nisur hetimin e çështjes. Kemi çuar një grup inspektimi në Komisariatin Nr. 6 dhe në bllokun e sigurisë për të verifikuar fazën e parë, ku ne dyshojmë që mund të jemi para shkeljes së procedurës. Duhet kuptuar a është problem sistemik apo është vetëm një rast, sepse një nënë me fëmijën në gji është mbajtur në bllokun e sigurisë për 72 orë, mbase ka dalë një vendim i formës prerë, ka qenë e panevojshme.
Në bindjen time, ditën e nesërme nëna do të lirohet. Nëse nuk lirohet, do të jemi para shkeljeve procedurale sepse nuk mund të mbahet është e pamundur, qoftë nga dispozitat e Kodit Penal, qoftë nga dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, është e pamundur që për veprën për të cilën është dënuar, fëmija që ka në gji të mbahet në këtë IEVP”, tha ai.
Komente









