PRISHTINË, 17 Nëntor /ATSH/.- Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, sot në Termocentralin Kosova B në Obiliq, ka inspektuar punimet finale në projektin e kogjenerimit, që do të lidhë Bllokun B1 me Termokos për përmirësimin e ngrohjes së qytetit të Prishtinës.
Drejtuesit e KEK, Termokos dhe përfaqësuesit e kompanisë implementuese të projektit, IMTECH,  kanë siguruar se javët e fundit ka pasur një dinamikë të shtuar të punimeve dhe sipas planifikimit janë përfunduar me sukses punimet instaluese, derisa pas testimit të sistemit, 26 nëntori 2014 pritet të jetë data kur ky projekt nis funksionimin.
Realizimi i Projektit të kogjenerimit u mundësua me fondet e përbashkëta të Komisionit Evropian, Qeverisë Gjermane nëpërmes KFW, Qeverisë Suedeze, Qeverisë së Luksemburgut dhe Komunës së Prishtinës./b.j//a.ke/