Ndjesia e këmbëve që digjen, ose mpihen si dhe pickimi apo shpimi në shputa, janë simptoma që tregojnë se diçka nuk funksionon si duhet në nivel nervor, metabolik ose në qarkullimin e gjakut. Specialisti i bimëve medicinale Ylli Merja shpjegoi në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, shkaktarët që lidhen me “ndezjen” e këmbëve si dhe sugjeroi disa mënyra sesi mund të ndihmojmë trupin tonë nëpërmjet një trajtimi alternativ.
“Një ndezje këmbësh që vjen nga vrapimi ose pasi kemi mbajtur pesha, është kalimtare, kjo ndodh pasi ngarkesa e acidit laktik, gërvisht nervat nga jashtë duke shkaktuar ndezjen. Problem është nëse ndezja e këmbëve na bëhet sa herë shtrihemi, sidomos në darkë dhe vazhdon duke u kthyer në kronike, atëherë duhet patjetër të gjendet shkaku”, shpjegoi Merja.
Sipas tij shkaqet duhen kuptuar duke u futur në brendësi të qelizës për të parë çfarë ndodh në mitokondritë.
“Kur qeliza është në rregull, pra ka oksigjen dhe vitaminë B1 ajo ushqen shumë mirë mitokondritë, në të kundërt nëse kjo e fundit nuk ushqehet ul funksionin e saj, nuk jep energji tek fijet nervore. Ndezja e këmbëve është si tymi i makinës, makina çliron monoksidin e karbonit. Ndërsa kur këmbët ndizen kjo lidhet ngushtësisht me hemoglobinën e cila në vend të çojë oksigjen në inde, çon monoksid karboni, ndaj mitokondria nuk jep energjinë e duhur dhe kjo bën që truri të mbingarkohet”, shpjegoi Merja.
Ndër shkaqet kryesore të djegies së këmbëve specialisti i bimëve medicinale renditi disa si:
- Çrregullime të nervave, shpesh të shoqëruara me stres, ankth. Diabeti mellitus, mungesat e vitaminave veçanërisht B1, B6, B12, acid folik si dhe mungesat e mineraleve të zinkut, kalciumit, magnezit, etj
- Çrregullimet e qarkullimit të gjakut, insuficienca venoze, mikroqarkullim i dobët, kapilarë të dëmtuar
- Inflamacion kronik i lidhur me obezitetin, sindromën metabolike, rezistencën ndaj insulinës
Por dhe përdorimi kronik i alkoolit, duhanit, dëmtime nervore, infeksionet fungale, çrregullimet hormonale, si dhe problemet me tiroiden. Merja shpjegoi se sindroma e djegies së këmbëve është më e shpeshtë te gratë pas moshës 50–60 vjeç, rritja e acidit malik/urik shkakton djegien e tyre.
Çfarë mund të bëni në kushtet e shtëpisë
Ushqimi është shumë i rëndësishëm, një bazë e mirë me perime dhe zarzavate është e nevojshme. Masazhi ndikon gjithashtu duke përmirësuar qarkullimin e gjakut.
“Në mbrëmje kur simptomat janë më prezente, futini këmbët në ujë të ftohtë 10-12 minuta, trupi prodhon një lloj antibiotiku që mbron vetveten, në ujë hidhni uthull molle dhe kripë, këto janë mikroelementë që do depërtojnë në qelizat tuaja. Masazhoni kërcirin, relaksoni nervat, ndihmoni qarkullimin e gjakut. Hiqini këmbët nga uji dhe vendosni ekstrakt të marrë nga rozmarina, lakra, etj duke nxitur kështu qarkullimin e gjakut, këto mikroelementë ndihmojnë në qetësimin e nervave. Më pas mbajini këmbët në këndin 60 gradë dhe bëni sikur pedaloni biçikletën, pasi truri ushqen me gjak gjymtyrët që lëvizin më shumë. Kështu ju do bëni gjumë më të qetë dhe fijet nervore do t’i relaksoni”, rekomandoi Merja.
Ja cilët janë disa nga çajrat bimorë që specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja këshillon
- Konsumoni 3 herë në ditë nga një gotë çaj bimor, i dobishëm për diabetin dhe qarkullimin e gjakut.
- Përzjeni gjethe ulliri, fruta pylli, lule murrizi, bar blete, ginkgo biloba, rozmarinë dhe lëvore agrumesh.
Bimët medicinale që përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe ulin ndjesinë e djegies së këmbëve
Ginkgo biloba – përmirëson mikroqarkullimin e gjakut dhe furnizimin e nervave periferikë me oksigjen.
Rozmarina – stimulon qarkullimin, zgjeron enët e gjakut dhe ul inflamacionin.
Xhenxhefili – rrit rrjedhjen e gjakut, ka veprim ngrohës.
Hudhra – hollon gjakun, përmirëson elasticitetin e enëve.
Gështenja e egër – forcon muret e enëve të gjakut, përmirëson qarkullimin.
Rrushi i kuq – mbron kapilarët, antioksidant i fuqishëm.
Hithra – pastron gjakun, përmirëson qarkullimin, lufton neuropatinë.
Kurkuma – stimulon qarkullimin e gjakut, qetëson sistemin nervor.
Speci djegës – për përdorim lokal, rrit qarkullimin e gjakut.
Gjethet e ullirit – ndihmojnë qarkullimin dhe metabolizmin e glukozës.
Gjethet dhe lulja e murrizit – përmirësojnë qarkullimin e gjakut, pastrojnë arteriet.
Fara susami, kungulli, tërshëra rregullojnë nivelet e Kalciumit dhe Magnezit.
Komente












