Përdorimi i farërave duket se është kthyer në një trend të ushqimit të shëndetshëm, por në fakt mënyra sesi i përzgjedhim dhe sasia që konsumojmë ndikon shumë në shëndetin tonë. Nutricionisti Altin Joka shpjegoi në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me detaje rolin e farërave në organizëm dhe si duhen të konsumohen ato.
“Biologjia e trupit nuk funksionon me trende, farat janë kthyer në simbol të ushqimit që hamë, por ky është një keqkuptim, farat nuk janë superfood, farat i dëmtojnë zorrët dhe shtojnë punën e tyre duke i dhënë një mbingarkesë të panevojshme”, u shpreh Joka.
Joka shpjegoi se fara në vetëvete është embrion i një bime, e cila është forcuar për të mbijetuar, ajo përmban fitate të cilat ndikojnë në mospërthithjen e mineraleve, përmban edhe enzima që ngadalësojnë tretjen.
“Ne duhet të konsumojmë fibra, por me masë, sepse shumë sasi ndikon në irritimin e zorëve, krijojnë fryrje, bllokojnë edhe marrjen e mineraleve, pasi fitatet bëjnë që hekuri, zinku, kalciumi të mos përthithen mirë nga organizmi. Ata që janë anemik duhet të kenë kujdes me sasinë”, u shpreh Joka.
Në traditat ushqimore kudo në botë farat janë përdorur në mënyrë sezonale dhe kanë qenë të bluara, të njomura, të përgatitura siç duhet. Trupi duhet të ndiqet në bazë të biologjisë që ka, ndaj sipas nutricionistit Joka përdorimi i farërave duhet të bëhet siç duhet.
“Farat nuk duhen hedhur direkt mbi kos dhe qumësht duke i konsumuar në çast. Farat si chia dhe liri, duhen fermentuar fillimisht sepse duke i ngrënë direkt, ngadalësojnë zbrazjen e zorrës dhe krijojnë fryrje. Hajini të lagura, kujdes edhe kur i hidhni në smuthi ose kur i bluani, ato duhen njomur fillimisht, madje farat e bluara nuk duhet të lihen me ditë sepse oksidohen dhe nxisin inflamacionin.
Përzierja e farave është e gabuar, nuk duhet llojshmëri për të marrë vlera, ju mund të shtoni ngarkesë duke kombinuar dhe fermentimi në zorrë bëhet i madh. Ka njerëz që hanë fara çdo ditë, është e gabuar do shtoni inflamacionin në zorrë. Do keni probleme me enzimat tretëse, fryerje, rrezikoni të keni sëmundje metabolike, nga ana tjetër ulet edhe përthithja e mineraleve në trup. Rrezikoni disbiozë, gastrit dhe irritim të zorrës.
Por sa shpesh duhen konsumuar farat që mos të na dëmtojnë
Farat Chia kanë vitamina B2, B3, fosfor, hekur, kalium, omega 3 si dhe fibra. Janë të mira për zemrën dhe kockat. Por nëse ato i hamë çdo ditë na krijojnë fryrje. Ato duhen ngrënë 2-3 herë në javë javë të lagura dhe jo më shumë se një lugë çaji.
Farat e lirit kanë vitaminat B6, B9, magnez, fosfor, zink, bakër, omega 3 dhe fibra, janë mbështetëse ushqimore të forta, por nëse bluhen dhe lihen me ditë oksidohen dhe krijojnë inflamacion. Ndaj ato bluhen dhe konsumohen në çast ose mund t’i përdorni të njomura me ujë. Është mirë të kosumohen 4-5 herë në javë, jo më shumë se një lugë çaji. Farat e lirit janë shumë të mira për zemrën, për problemet me kapsllëkun dhe tensionin.
Farat e kungullit kanë zink, magnez, hekur, fosfor, etj. Nuk duhen konsumuar më shumë se një grusht i vogël dhe 2 deri 3 herë në javë.
Farat e lulediellit kanë selen, magnez, mangan, zink, hekur të moderuar, omega 6. Ato mund t’i konsumoni çdo ditë jo më shumë se 2 deri në 3 lugë gjelle.
Farat e susamit janë shumë të mira kundër tumoreve si dhe ndihmojnë personat që kanë probleme me kockat, ato duhen bluar në sallatë dhe në supëra të ndryshme.
Kujdes, po i mbysni fëmijët me fara!
Sipas nutricionistit Altin Joka fëmijët duhet të konsumojnë fara, por me sasi të vogël. Në organizmin e fëmijëve fibrat e farërave fermentohen më lehtë dhe ulin oreksin për ushqime të dobishme, ato rrezikojnë të largojnë mineralet e rëndësishme, sepse pengojnë përthithjen. Farat nuk janë të domosdoshme për fëmijët, duhen konsumuar rrallë dhe pak.
Konsumimi i farërave në sasi të pakët këshillohet edhe për gratë që kanë probleme me disbalancën hormonale, pasi sjell mungesë vitaminash e mineralesh në organizëm.
Komente












