Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara në Tiranë dhe akuzat për rritjen e krimit të organizuar shqiptar në tregjet ndërkombëtare, gjatë një interviste për gazetarin amerikan Andrew Callaghan, në emisionin “Channel 5”.
I pyetur për tubimet e fundit dhe kërkesat e protestuesve për ndryshim, Rama tha se qeveria ka mbajtur shënime për shqetësimet e ngritura dhe se disa prej tyre kanë nisur të zbatohen.
Ndërsa për akuzat mbi fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare dhe lidhjet e tyre me trafikun ndërkombëtar të drogës, kreu i qeverisë i cilësoi raportimet për ekzistencën e një “mafia shqiptare” si gjepura, duke iu referuar edhe një deklarate që, sipas tij, i është bërë nga drejtuesi i SPAK.
Rama: Më thuaj çfarë do nga unë.
Gazetari: Çfarë mendimi keni për protestat në rrugë, “Revolucioni Flamingo” dhe njerëzit që kërkojnë ndryshim?
Rama: A po ndjen që këtu është duke ndodhur ndonjë revolucion?
Gazetari: Thjesht po e them ashtu siç e quajnë…
Rama: Është një protestë dhe çdo gjë është në rregull. Ne kemi të drejtën të protestojmë si një vend i lirë demokratik.
Gazetari: A keni dëgjuar ndonjë shqetësim të tyrin që ju ka bërë të mendoni se duhet të ndryshoni disa gjëra për shoqërinë këtu?
Rama: Jo, le të themi që javën e parë, kur të gjithë ishin në rrugë, ishte shumë e dobishme për të kuptuar që të dëgjonim përtej zhurmës. Dhe sigurisht që ne kemi mbajtur shënime. Disa gjëra nga këto shënime janë duke u zbatuar.
Gazetari: Cilat janë ato gjëra që ju mendoni se janë të rëndësishme për t’u zbatuar?
Rama: Për shembull, pasqyra dixhitale. Presidenti juaj (Donald Trump), pak ditë më parë ekspozoi një burim informacioni të AI për qeverinë. Kështu që ne e lançuam menjëherë pasi e mbajtëm shënim që nga fillimi i protestës dhe tani po e zbatojmë. Për shembull, tani keni online të ekspozuara në mënyrë transparente çdo gjë që është e lidhur me projektin që ka nxitur turmën.
Gazetari: Një temë që ka dalë shumë nga këto protesta është rritja e krimit të organizuar në Shqipëri. Se si disa grupe të ndryshme janë rritur shumë, duke dominuar në tregun e kokainës në Europë, Australi dhe shtete të tjera. Raportet e DEA-s (Agjencia për Zbatimin e Ligjeve mbi Drogat), inteligjenca e SPAK-ut dhe organizata të tjera kanë folur se si tregje të ndryshme të kokainës në Londër, në Izrael dhe porte të ndryshme në Ekuador, tashmë janë nën kontroll nga grupe që kanë pranuar se kanë lidhje me mafian shqiptare.
Rama: Unë kam dëgjuar se, në të kundërt, të paktën drejtori i SPAK, pak vite më parë që nuk ka diçka të tillë si mafia shqiptare. Nuk ekziston. Ka shqiptarë, siç ka amerikanë, siç ka spanjollë ose italianë, quaji si të duash, që janë të përfshirë në këtë zinxhir mbarëbotëror. Por nuk ka asgjë si një mafia shqiptare që kontrollon botën e kokainës. Këto gjëra janë, më falin, gjepura.
Gazetari: Nga mendoni se vijnë këto gjepura?
Rama: Jo, por janë gjepura sepse nuk përputhen me realitetin e gjërave.
Gazetari: Pra ju mendoni se këto gjëra nuk ndodhin?
Rama: Ky nuk është një opinion. Po ju them që vetë drejtori i SPAK më ka thënë se mafia shqiptare nuk ekziston.
Gazetari: Në rregull. Nëse sheh të dhënat e fundit të publikuara nga SPAK së fundmi, thuhet se përmes 2015 dhe 2024, është vlerësuar se më shumë se 54% e parave që lundrojnë nga agjencitë imobilare dhe sektorit të konstruksionit në Shqipëri vijnë nga burime të panjohura dhe të paligjshme. Ju keni dorë në aprovimin e këtyre zhvillimeve.
Gazetari: SPAK. Shumë gazetarë ndërkombëtarë.
Rama: SPAK-u nuk e ka thënë kurrë këtë. SPAK-u nuk e ka raportuar kurrë këtë problem, sepse SPAK mund të ketë thënë diçka të ndryshme, që paratë e sekuestruara janë, një pjesë e tyre janë derdhur në agjencitë imobilare. Por SPAK nuk e ka thënë kurrë atë, ky është budallallëk.
Rama ka folur edhe për projektin e investimit në ishullin e Sazanit, duke mohuar se ka një marrëveshje të përfunduar mes qeverisë shqiptare dhe grupit të investitorëve. Ai theksoi se ishulli është ende pronë publike dhe se negociatat synojnë krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët, ku shteti shqiptar do të jetë partner. Kreu i qeverisë ironizoi raportimet për projektin, duke thënë se çështja po trajtohet sikur flamingot në Sazan do të vriten dhe do të përfundojnë si mëngjes për Donald Trumpin.
“ Gënjeshtrat më të mëdha që ke dëgjuar për Sazanin. Ishulli i Sazanit është i privatizuar. SPAK po heton investimin. 10 mijë apartamente do të ndërtohen në një terren të paprekur.
Sazani është një tokë publike. Nëse nuk e dini, po ju informoj. Dhe për sa kohë flasim, nuk ka asnjë marrëveshje mes Republikës së Shqipërisë dhe grupit të investitorëve. Nuk ka para, nuk ka projekt. Nuk ka ende një marrëveshje. Ndërkohë ju djema keni gënjyer botën, jo kanali juaj personalisht, keni mashtruar botën, duke i thënë se ishulli është privatizuar.
Flamigot në ishull, të cilët nuk e kanë kaluar kurrë ishulli, do të vriten dhe Trump do t’i hajë në mëngjes. Nuk ka akoma një marrëveshje sepse ne po shpresojmë të krijojmë një sipërmarrje të përbashkët ku Republika e Shqipërisë do të jetë partnere dhe kjo është ajo që po them. Në flamingomirror.al mund të konfirmoni se 90% e gjërave që thuhen janë gënjeshtra”, u shpreh Rama.
Sa i përket udhëtimeve të Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jarded Kushner me jaht në bregdetin e jugut, kreu i qeverisë tha se i ka takuar kur jahti po furnizohej në mol.
"S'isha kurrë në një jaht me Ivankën. I takova në jaht kur jahti po furnizohej në mol, hëngrëm dhe ika. S’di se çfarë bënë, kur bënë xhiro", shprehet Rama.








Komente
Komento