Situata është tensionuar në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, pas përplasjes së një dite më parë në Kuvend për fjalët që Taulant Balla i tha Albana Vokshit: “Për ty kemi numrin 0900”, që u pasua nga fyerjet dhe ofendimet e rënda të Gazment Bardhit.

Në një moment, deputetja e PD, Ina Zhupa mori fjalën e revoltuar duke thënë se “s’mund të sillemi sikur s’ka ndodhur asgjë në Kuvend, sikur situata është normale dhe sikur nënkryetarja e këtij Komisioni....”, ndërsa fjalët e saj u ndërprenë nga kryetari Igli Hasani që kërkoi pushim. “Ndërprite sa të duash”, i tha Zhupa.

Gjatë mbledhjes, ajo solli në vëmendje edhe një projektligj ku në thelb ishte dhuna ndaj grave duke thënë se minimumi që duhet të bëjë komisioni, është të mbajë qëndrim e të distancohet nga dhuna.

“Kur kuvendi përballet me një dhunë verbale, cenim të dinjitetit njerëzor, është minimumi që ky komision që ka për nënkryetare Albana Vokshin, të mbajë një qëndrim dhe të distancohet nga dhuna, të kërkojë të njëjtin qëndrim”, tha Zhupa.

“Balla të përjashtohet pas ofendimit të rëndë ndaj Vokshit”, shtoi ajo duke thënë se ndjesa e tij ishte një “pseudondjesë” dhe “u përpoq të dredhonte”.

Kryetari Igli Hasani i kërkoi ndjesë Vokshit, por tha se pret të njëjtën gjë nga pala tjetër.

“Unë personalisht i kërkoj ndjesë Albana Vokshit. Ajo që bëri Balla ishte shumë e pakëndshme, kërkoi falje tri herë, është hap që duhet pranuar. Por nga ana tjetër, dhe ne presim të njëjtën gjë”, u shpreh ai duke i ftuar të gjithë të reflektojnë për gjuhën e përdorur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:50
‘S’jam ndier e fyer, por e lënduar nga kryeparlamentari dhe deputetet e PS’, Vokshi reagon për fjalët e Ballës

Një ditë pas seancës së tensionuar në Kuvend dhe komentit të Taulant Ballës për të, Albana Vokshi reagoi në Komisionin e Jashtëm duke thënë se është e bindur që “shënjestrimi ishte politik”. Ajo tha se PS e ka kërcënuar e shantazuar, ndërsa shprehet se nuk ndier “e fyer, por e lënduar”. Deputetja e PD e cilësoi “të turpshme” sjelljen e Niko Peleshit gjatë asaj situate dhe e grave të PS.

“Nuk di se cila prej çështjeve që fola unë e preku kryetarin e grupit tuaj. Unë kam bindjen se shënjestrimi ishte politik, nuk ishte i rastësishëm. Po tentojnë të godasin opozitën dhe gratë deputete të opozitës. Këdo që ngre zërin. E kam vuajtur në lëkurë edhe fyerjen e Edi Ramës. Partia juaj ka pushkatuar gratë. Unë nuk pres ndjesë, të mos tallemi… ndjesë mashtrim që as unë, asnjë nga ne, nuk e hamë dot. Të kalojmë te dhuna që ushtron partia juaj ndaj grave. Më kanë kërcënuar dhe shantazhuar. Më kanë kërcënuar mua dhe vajzën time. Më kanë përjashtuar 3 muaj duke më hequr të drejtën e fjalës. Falënderoj kolegët që u bashkuan në një mendim që dhuna psikologjike institucionale nuk ka vend në Parlament. Nuk jam ndier e fyer nga ajo që u tha dje, sepse njerëz me veprime si të tijat e turpërojnë Parlamentin. Por jam ndier e lënduar për mënyrën sesi kryetari i Kuvendit e menaxhoi situatën. E menaxhoi në mënyrë të turpshme dhe nga ana e grave deputete të PS për gjuhën seksiste që u përdor nga kryetari i grupit tuaj parlamentar”, tha Vokshi.

Ora 11:44
‘Masë për Ballën, edhe sa për sy e faqe’, Kapri solidarizohet me Vokshin: Ndjesa e tij e sforcuar, e pamjaftueshme

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, bëri një reagim në Komisionin e Jashtëm lidhur me gjuhën e përdorur nga Taulant Balla kundrejt Albana Vokshit. Ai tha se “ndjesa e tij e sforcuar ishte e pamjaftueshme”, ndërsa parlamenti disproporcional, duke iu referuar përjashtimit të Agron Shehajt për 20 ditë nga Kuvendi.

“Për ne ishte shumë e rëndë që kreu i grupit parlamentar përdor gjuhë seksiste ndaj një kolegeje të vjetër të parlamentit, dhe pavarësisht ndjesës së tij të sforcuar, për ne ishte e pamjaftueshme pasi parlamenti s’ka qenë në propocion të drejtë me çfarë ka ndodhur në parlament”, tha Kapri.

Më tej, ai shprehu solidaritet me Vokshin ndërsa shtoi se shpreson për një masë për kreun e grupit parlamentar të PS, “edhe sa për sy e faqe”.

“Duke përdorur gjuhë të papërshtatshme parlamentare dhe duke thënë që po e kalojmë me një ndjesë. Kolegia ka solidaritetin tonë dhe shpresojmë që Balla të ketë një masë nga parlamenti, qoftë edhe sa për sy e faqe”, përfundoi Kapri.

Ora 11:26
Fyerjet e Ballës ndaj Vokshit, deputeti i PS gati për aktin sublim: Po të isha Supermen, do t’i bija botës përqark që ta ndryshoja situatën

Deputeti i PS, Skënder Pashaj mori fjalën në Komisionin e Jashtëm për t’i kërkuar falje Albana Vokshit për fjalët e përdorura nga Balla kundrejt saj, gjatë seancës në Kuvend. Madje, ai tha se “po të ishte Supermen, do t’i binte botës përqark për ta ndryshuar situatën e djeshme”.

“Për flokët e bardha që ka znj. Vokshi, do t’i kërkoja jo një herë, por 1000 herë falje. Po të isha Supermen, dje do i bija botës rreth e rreth dhe ta ndryshoja situatën dje në parlament. Ndihem keq sepse kolegët e mi më thanë ku ishit ju burrat dhe i thashë unë isha burrë se heshta. Heshtja ime nuk do të thotë që duhem të kem dhunë. Heshtja ime foli më shumë sesa ajo dhunë në parlament”, tha Pashaj.