Ashtu si trajneri edhe lojtarët ia vendosën fajin gjendjes fizike për humbjen në Elbasan me Norvegjinë. Në prononcimet për super sport pas ndeshjes miqësore, ata theksuan se bashkëpunimi me debutuesit nuk ishte në lartësinë e duhur.
Eros Grezda: Në fakt provuam gjithçka, duke ndryshuar edhe skemën, por nuk ia dolëm të marrim rezultat. Mendoj se ndikuan kushtet në të cilat u luajt ndeshja, ndërsa kundërshtari ishte shumë më lart edhe fizikisht.Nuk ishim në gjendjen e duhur fizike. Duhet të evidentojmë se sot debutuan disa lojtarë, me të cilët nuk është se ishim harmonizuar shumë dhe nuk arritëm të bashkëpunonim siç duhet. Ne kishim dëshirë për të luajtur, por kjo nuk mjafton kur nuk je mirë fizikisht. Shpresoj që lojtarët që po luajnë pak, të marrin më shumë minuta, sepse kemi cilësi për t’u bërë një skuadër shumë e mirë.
Strakosha: Diferencat nuk ishin shumë të mëdha, por ata ishin më të organizuar taktikisht, por edhe fizikisht. Ne luajtëm disi me frikë, por ishte edhe një lloj eksperimenti, pasi kishim shumë lojtarë të rinj në fushë. Normalisht që lojtarët e rinj është e vështirë të japin maksimumin që në takimin e parë.
Vetëm me përqendrim, pasi ne në ato momente e kishim ulur ritmin dhe humbëm edhe vëmendjen. Jo vetëm ky gol, por çdo rast evidentohet me përqendrim. Gabova edhe unë shumë topa sot, por prandaj janë edhe miqësoret, për të mësuar më mirë lëvizjet dhe pozicionet e njëri-tjetrit.
Andi Lila: Mendoj që të gjithë dhamë maksimumin sot, por nuk ia dolëm të marrim rezultatin që donim. Duhet të theksojmë se jemi afër fundit të sezonit dhe bateritë nuk janë në maksimum. Gjithsesi, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që duhet të bëjmë sa më mirë në Ligën e Kombeve dhe më pas të synojmë kualifikimin në Euro 2020. Të gjithë mendoj se dhanë maksimumin dhe treguan se janë pjesë e rëndësishme e të ardhmes. Normalisht që ka edhe ndeshje kur nuk je në ditën tënde më të mirë, por sot duhet ta pranojmë se nuk patëm grintën e duhur. Na është shtuar talenti në grup, por nuk duhet të humbim grintën. Mendoj se jemi në rrugën e duhur, kjo edhe referuar asaj që kam parë në këto ditë të stërvitjes. Grupi është ylli i kësaj kombëtareje...