Këndi i Ekspertit/ Analizat laboratorike, kur duhet të bëhen dhe sa rëndësia e tyre

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Lidra Zikaj, mjeke Laboratori, pranë Spitalit SALUS. Mjekja ka sqaruar fillimisht se kur duhet të drejtohemi te mjeku i laboratorit, rëndësinë e analizave laboratorike dhe se sa shpesh duhen bërë ato për të parandaluar disa sëmundje të rrezikshme. Më pas doktoresha Lidra Zikaj u është përgjigjur pyetje live të qytetarëve në Report TV.

Sot do të flasim për analizat laboratorike. Kur duhet të drejtohemi te mjeku i laboratorit?

Laboratori është një sektor shumë i rëndësishëm në mjekësi. Mjekësia laboratorike është një nga ato disiplina, të cilat, pavarësisht jo shumë në dukje, por jep gati 80% të rezultateve për vënien e një diagnoze apo për ndjekjen e një diagnoze të një pacienti, me të cilën ne përballemi çdo ditë. Klinicisti apo mjeku specialist është ai, i cili nëpërmjet analizave laboratorike dhe sigurisht atyre imazherike, mund të japë drejtim për patologjinë me të cilën pacienti vuan, dyshon apo simptomën me të cilën ai ka shkuar drejt mjekut specialist.

Dhe sigurisht, laboratori këtu, në këtë mes, është shumë i rëndësishëm.

Ka rëndësi të madhe laboratori?

Laboratori ka shumë rëndësi, duke nisur që nga faza e marrjes së materialit të analizës, në implementimin e tij dhe deri në daljen e rezultatit. Dhe sigurisht, i gjithë rrugëtimi duhet të jetë totalisht i monitoruar dhe i diktuar sipas protokolleve të mjekut të laboratorit, i cili në bazë të standardeve botërore dhe evropiane, tashmë të vendosura, të ditura shumë mirë se cilat janë këto standarde, por që duhen implementuar. E them këtë sepse është shumë e thjeshtë që të lexosh, të fotokopjosh dhe të stamposh. Por është e vështirë që të implementosh standardin e laboratoreve, në çdo laborator. Sigurisht që është kosto, kërkon një personel të specializuar dhe ky është personeli mjekësor dhe teknik i laboratorit. Tashmë flasim për një armatë mjekësh laboratori të mësuar me të gjitha standardet dhe procedurat, në të cilat duhet të kalojë kampioni apo materiali biologjik. Pacienti duhet që të ndiejë sigurinë dhe elementët e sigurisë në momentin kur merret kampioni. Në çdo laborator, qoftë ky i vogël apo i madh, ai duhet të ndiejë që në çdo vënd, ku lë kampionin, të ketë elementët e sigurisë, të dijë se ku shkon ky kampion biologjik dhe sesi del ai. Është detyrë e mjekut të laboratorit që të sigurojë edhe mjekun klinicist sesi kryhet dhe sesa siguri ka kjo analizë. Flasim për sisteme të mbyllura. Kemi sistemin e vakuumit të mbyllur. Flasim për automatizimin e laboratorit. Flasim për të gjithë procedurën e standardizuar dhe të protokolluar nga mjekët e laboratorit.

Dhe për të arritur drejt përfundimit është një rëndësi shumë e madhe e rezultatit përfundimtar te pacienti, apo jo?

Të shkosh deri te rezultati përfundimtar është një punë shumë e madhe. Rëndom, mjekët specialistë e quajnë një gjë shumë të thjeshtë, që nga një analizë e gjakut komplet dhe deri te një analizë urine, apo te më të vështirat, markusët tumoralë, analizat e gjenetikës molekulare apo të biologjisë molekulare. Dhe sigurisht që kërkon një punë dhe një përkujdesje shumë të madhe ai kampion, i cili vjen në laborator dhe që përfundon deri te rezultati, të cilin mjeku specialist apo pacienti e shikon. Fazat duhen respektuar, absolutisht që të gjitha. Mbase pacientin nuk duam që ta lodhim për momentin, për të gjitha fazat e laboratorit. Për të, shumë e rëndësishme është faza analitike, në të cilën pacienti duhet që të na mirëkuptojë dhe kur e shpjegojmë dhe i themi sesi duhet të jenë analizat, ashtu si edhe mjeku specialist. Janë shumë të rëndësishme këto faza. Janë thënë edhe nga mjekë të tjerë specialistë dhe do të vazhdojmë t’i themi dhe të mos lodhemi asnjëherë.

Kur duhet të drejtohemi te mjeku? Ndoshta është një pyetje klishe, por e bëj sepse duhet të drejtohemi vetëm kur kemi simptoma, apo duhet t’i bëjmë shpesh analizat?

Mjekësia laboratorike nuk është thjesht receta që i vjen mjekut. Tashmë mjekësia laboratorike është prevenim, pra, do të thotë që sipas një pakete të përcaktuar, me disa analiza të përcaktuara, të cilat depistojnë organet më kryesore të njeriut, bëhet një paketë, e cila çdo vit, çdo gjashtë muaj ose çdo tre muaj, në bazë të mjekut të familjes apo në bazë të protokollit të sigurimit shëndetësor që ai ka, vjen dhe e kryen pranë laboratorit sipas periodizimit. Dhe në momentin që laboratori detekton problematika, pra, ulje-ngritje të vlerave që nuk përkojnë me normat dhe me vlerat biologjike, atëherë ne sigurisht që ndërhyjmë. Mjeku i laboratorit me konsultën e tij, e drejton pacientin se te cili mjek specialist duhet që të paraqitet, si edhe për të ripërsëritur analiza të cilat nuk mund të jenë të përshtatshme për të.

A duhet të bëjmë kontrolle për të parë se në çfarë gjendjeje jemi, nëse kemi ndonjë problem?

Tashmë kjo është futur në çdo protokoll, si të sigurimeve shëndetësore, ashtu edhe të sigurimeve private.

Kjo parandalon, apo jo?

Absolutisht që po dhe një tjetër fushë, e cila po merr shumë përparësi është mjekësia e punës.

Dua të di nëse të gjithë laboratoret mjekësore i japin njësoj vlerat, apo kanë ndryshime?

Vlerat e laboratorit duhet që të jenë sipas laboratorit. Sigurisht që është një protokoll, i cili standardizon të gjitha normat, por ka vend për mjekun e laboratorit dhe për laboratorin, në të cilin ju do të drejtoheni, sipas instrumentit dhe sipas reagentëve me të cilët punon ose firmës me të cilën punon ai. Por, nuk mund të devijojë jashtë standardit ndërkombëtar në të cilin duhet që të jenë vlerat. Megjithatë, përsëri edhe për këtë, çdo mjek laboratori në të cilin ju do të drejtoheni, do t’jua shpjegojë këtë, sepse sigurisht që një laborator i vogël, punon me një instrument manual dhe normat mund të mos i ketë specifikisht siç mund t’i ketë një laborator tjetër i madh, i cili punon me një gamë më të madhe, por vlerat në këto raste mund të lëvizin shumë pak nga njëra-tjetra. Pra, nuk flasim për diferenca të mëdha. Gjithashtu duhet që të shikoni edhe njësitë matëse. Gjithmonë pacienti duhet që të drejtohet pranë mjekut të laboratorit ose pranë mjekut specialist për të sqaruar rezultatet e analizave të tij.

Unë bëra disa analiza në poliklinikën e lagjes. Pasi mora përgjigjet u shqetësova pak për disa prej tyre. Shkova te një laborator tjetër dhe i përsërita që të gjitha. Përgjigjet i mora me ngritje shumë të mëdha të vlerave. P.sh. PSA-ja mund të ndryshojë nga 4,8 në 7,2 brenda 4 ditëve? Edhe vlera e albuminës, në poliklinikën e lagjes ku unë e kam bërë vazhdimisht këtë analizë, më ka dalë 3, ndërsa në atë laboratorin tjetër më doli 5,5.

Këto janë raste të cilat ne i hasim shpesh. Është një dilemë që pacientët shqiptarë e kanë sepse aplikimi i standardit, të cilin të gjithë mjekët e laboratorit e dinë shumë mirë se çfarë është. Standardi është një laborator i akredituar, që punon me të gjitha kushtet e duhura. Një standardizim i laboratorit nuk do të lejonte që vlerat në vende të ndryshme dhe në kohë të përafërta, të ishin kaq të ndryshme nga njëra-tjetra. Absolutisht unë po marr të mirëqenë që zotëria nuk ka arsye të tjera klinike që të ndikojnë në rritjen e vlerave të këtyre rezultateve. Sepse pastaj, për rritjen e vlerës së PSA-së, duhet parë nga mjeku urolog nëse pacienti ka marrë terapinë e duhur për trajtimin e prostatës, sepse PSA-ja totale është një markus tumoral i prostatës. Ka lëvizje në bazë të medikamentit që merr ose nuk merr pacienti, dhe për pjesën e klinicistit unë nuk po ndërhyj, por thjesht po bisedojmë për pjesën e laboratoreve. Një laborator, i cili është i certifikuar dhe i akredituar, dhe absolutisht kontrollohet me rutinën të cilën e përcakton standardi, atëherë ky laborator është i besueshëm për rezultatin.

Por ne si pacientë nuk e dimë këtë, sepse nuk mund të kontrollojmë standardin e laboratoreve.

Në këtë mes duhet që të jetë Ministria e Shëndetësisë, e cila aplikon standardet njësoj për të gjitha laboratoret. Nuk them se nuk është bërë kjo. Absolutisht që është bërë dhe do të bëhet në vazhdimësi por, duhet një punë më rigoroze sepse duhet që të jetë i njëjti standard në të gjitha laboratoret. Duhet që të bëhen kontrolle të vazhdueshme. Shërbimin ekstern laboratoret e marrin nga jashtë. Janë kampione të mbyllura, që asnjë laborator nuk ua di vlerat.

Flas nga Korça. Vajza ime ka bërë disa analiza të gjakut. Vlera e sedimentit i ka dalë 40. Mua më duket vlerë shumë e lartë. Të gjitha analizat e gjera i kanë dalë brenda vlerave normale.

Sedimenti i kampionit të gjakut normalisht është një analizë që ka variacion biologjik. Vlera e sedimentit në këtë rast duhej që të kishte një përqasje edhe me vlerat e analizave të tjera sepse sedimenti i përgjigjet, është një markus inflamacioni, që bëhet rëndom edhe në analizat e rutinës së përditshme. Ka shumë faktorë që e lëvizin këtë vlerë, që janë faktorë teknikë sepse nuk e di se ku zonja e ka kryer analizën. Analizat nuk duhen të shikohen tek e tek, por në kompleks. Nëse vlera e një analize nuk përputhet edhe me vlerat e analizave të tjera, të cilat janë të së njëjtës familje, pra markusët e inflamacionit duhet që t’i përgjigjen njëri-tjetrit. Zonja duhet të shikojë edhe vlerën e rruazave të bardha. Por, unë do të doja që t’i shikonte zonja këto, por i sugjeroj zonjës që të shkojë te mjeku i familjes, për të parë nëse vajza ka simptoma apo problematika, të cilat mund të kenë të nevojshme kryerjen e disa analizave të tjera. Si mjeke laboratori do ta ribëja edhe një herë analizën për të parë vlerën e sedimentit.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël