Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Cilat janë kushtet për të fituar statusin e naftëtarit?

Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Cilat janë kushtet për të fituar statusin e naftëtarit?

Kendi i Ekspertit

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në emisionin e së mërkurës,  Profesor Kepi ka sqaruar qytetarët fillimisht për ndryshimin e moshës së daljes në pension në vitin 2019 dhe më pas mënyrën e shpërndarjes së shpërblimit të festave të fundvitit që ka akorduar qeveria e sidomos të atij të veçantë prej 3 mijë lekësh për disa kategori speciale. Më pas profesor Kepi ka sqaruar qytetarët për pyetjet e shumta që kanë mbërritur në redaksi, ku një prej tyre kishte të bënte me statusin e naftëtarit. Eksperti ynë ka shpjeguar kushte që duhet të plotësojnë individët për ta përfituar.

Do të flasim për ndryshimet që janë bërë në vitin 2018 dhe për ato që do të zbatohen në vitin 2019. Kemi pasur Vendimin e Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pensionistëve për festën e Vitit të Ri dhe për shpërblimin e nënave që do të lindin fëmijë që nga data 1 janar 2019. Gjatë vitit 2018 femrat dolën në pension në moshën 60 vjeçe e 8 muaj, ndërsa në vitin 2019 u shtohen 2 muaj, pra ato do të dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj. Ndërkohë, në vitin 2018 për personat që dolën në pension vjetërsia e punës ishte 36 vite e 4 muaj punë të siguruar, ndërsa për personat që do të dalin në pension në vitin 2019, do të duhen 36 vite e 8 muaj punë të siguruar. Për burrat mosha e daljes në pension është 65 vjeç deri në vitin 2032. Përse ky ndryshim moshe ndërmjet burrave dhe grave?

Sepse ka filluar nga mosha e daljes në pension 55 vjeç për gratë dhe për burrat 60 vjeç. Diferenca ka qenë 5 vite. Kjo diferencë vjen duke u ngushtuar, derisa në vitin 2056, burrat dhe gratë do të dalin në pension në moshën 67 vjeç.

Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave që u përmend më sipër, të gjithë pensionistët kanë marrë dhe po vazhdojnë të marrin shpërblimin për festën e Vitit të Ri. Kemi edhe një VKM tjetër, të datës 19 dhjetor 2018, për shpërblimin e disa kategorive të veçanta për festat e fundvitit.

Kjo kategori përfshin përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike, të sëmurët, familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike dhe familjet që kanë në përbërjen e tyre pjesëtarë me aftësi të kufizuara. Mund të na sqaroni me më shumë detaje?

Atëherë, me një Vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, nr. 754, datë 19 dhjetor 2018, të botuar në Fletoren Zyrtare nr. 185, i cili ka hyrë në fuqi po në të njëjtën datë kur është botuar në Fletoren Zyrtare, do të marrin shpërblim për festën e Vitit të Ri 3.000 lekë të rinj, katër kategori. Së pari, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike; së dyti, familjet të cilat kanë në përbërjen e tyre pjesëtarë të lindur me aftësi të kufizuara ose që janë bërë gjatë jetës pa filluar ende punë, të vërtetuar me vendim të Komisioni Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë; së treti, individët që janë përfitues nga statusi i personit paraplegjik dhe tetraplegjik me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë; dhe së katërti, individët që janë përfitues nga statusi për të verbrit. Këshilli i Ministrave, për zbatimin e vendimit të saj për të cilin po flasim, ka ngarkuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë. Ky shpërblim do të tërhiqet nga përfituesit, në zyrat e Postës Shqiptare, atje ku ata tërheqin edhe ndihmën ekonomike apo pagesën e paaftësisë apo pensionin e invaliditetit.

Ndërkohë për daljen në pension të nënave me shumë fëmijë nuk kemi ndryshime?

Jo, ato do të vazhdojnë të dalin në pension në moshën 55 vjeçe, kur kanë gjithsej 30 vite punë të siguruar dhe kur kanë lindur gjashtë ose më shumë fëmijë, por që t’i kenë rritur vetë deri në moshën 8-vjeçare. Sqaroj gjithashtu që nënat, të cilat kanë lindur gjashtë ose edhe më shumë fëmijë, nuk e kanë të detyrueshme daljen në pension në moshën 55 vjeçe. Nëse një nënë e tillë ka një profesion dhe shëndet të mirë dhe është e shëndetshme për të punuar ende, mund të vazhdojë të punojë dhe qendra e punës nuk ka asnjë të drejtë që ta nxjerrë në pension në moshën 55 vjeçe, por do të dalë në pension kur ajo të plotësojë moshën e caktuar.

Na ka shkruar një mesazh zonja Liri Alushi, nga Tirana: “Më 14 maj të këtij viti mbusha moshën 60 vjeçe. Prej 10 vitesh marr pension invaliditeti të plotë. Kur dal në pension pleqërie dhe a do të vazhdoj ta përfitoj shtesën prej 3.300 lekësh nga bashkia?”.

Zonja do të dalë në pension pleqërie vitin tjetër, pra në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, më 14 mars 2019. Ajo është invalide dhe jo paraplegjike apo tetraplegjike. Ajo do të marrë 5.000 lekë të rinj shpërblim. Më 14 mars të vitit 2019, kur ajo mbush moshën e plotë për pensionin e pleqërisë, ka të drejtë të zgjedhë, ose të vazhdojë të marrë pensionin e invaliditetit plus 3.300 lekët e rinj nga bashkia ose pensionin e pleqërisë që do t’ia llogarisin specialistët e Sigurimeve Shoqërore. Periudha prej disa vitesh gjatë së cilës zonja ka marrë pension invaliditeti, i llogaritet si vjetërsi pune edhe për pensionin e pleqërisë. Nëse pensioni i pleqërisë zonjës i del në vlerë më të lartë, atëherë ajo ka të drejtën që të lërë pensionin e invaliditetit dhe të marrë pensionin e pleqërisë. Por vlera prej 3.300 lekësh të rinj nuk i hiqet, pavarësisht se çfarë pensioni do të zgjedhë zonja për të marrë. Gjithashtu, të gjitha barnat mjekësore të cilat janë të rimbursueshme, zonja do t’i përfitojë me rimbursim të plotë, pavarësisht se çfarë pensioni do të zgjedhë. Ka edhe një avantazh tjetër. Deri tani zonja është paraqitur çdo vit në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë. Që nga dita kur ajo do të plotësojë moshën për pension pleqërie, pra më 14 mars 2019, nuk do të paraqitet më në këtë komision.

Jam nga Tirana. Kam burrin ushtarak dhe ka 3 muaj që ka dalë në reformë. Tani ai është shumë i sëmurë dhe duhet të paraqitet në KMCAP. Është 54 vjeç. Pensioni i invaliditetit i llogaritet sipas rrogës apo sipas pensionit suplementar?

Ushtarakët, të cilët plotësojnë moshën 47 vjeç dhe kanë 15 vite punë si ushtarakë, kur dalin në reformë 2 vitet e para paguhen në këtë mënyrë: 2 muajt e fillimit paguhen me rrogë të plotë dhe do ta marrin rrogën atje ku kanë punuar si ushtarakë; nga muaji i 3-të deri në muajin e 22-të, do të marrin gjysmën ose 50% të pagës mujore. Për të gjithë këta muaj, kontributet e Sigurimeve Shoqërore paguhen nga reparti ushtarak. Gjithashtu këta muaj llogariten si vjetërsi pune kur ata të plotësojnë moshën e plotë për pension pleqërie, por jo si ushrarakë. Quhen vjetërsi pune si civilë. Pas këtyre 2 viteve mbaron pagesa kalimtare dhe personat kanë të drejtë që të kërkojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi deri në plotësimin e moshës 65 vjeç, kur dalin në pension të plotë pleqërie. Meqenëse zotëria në rastin konkret është i sëmurë, ka të drejtën që të paraqitet te mjeku i familjes dhe të marrë një rekomandim për t’u shtruar në spital sepse duhet të bëjë analizat e nevojshme. Mjekët specialistë të spitalit, nëse do ta shohin të arsyeshme, do t’i japin një fletë drejtimi për në KMCAP. Këtë fletë, KMCAP-i do ta mbajë 6 muaj dhe zotëria do të paguhet me raporte mjekësore. Meqenëse zotëria ka më shumë se 10 vite punë, raportet mjekësore do t’i paguhen me 80% të pagës mesatare neto që ai ka marrë. Pas 6 muajve, zotëria ka të drejtën që të paraqitet në KMCAP për të përfituar pensionin invaliditeti. Për pensionin e invaliditetit ai i ka vitet e punës, por duhet edhe që brenda 5 viteve të fundit, ai të ketë 1 vit punë të siguruar. Edhe këtë kusht ai e plotëson sepse periudha prej 2 vitesh që ai merr pagesë kalimtare, i njihet si vjetërsi pune. Pastaj KMCAP-i do të vendosë nëse zotërisë i takon pension i plotë invaliditeti apo pension i pjesshëm.

Jam nga Fieri. Gruaja ime ka përfituar statusin e naftëtarit. Ka 27 vite pune në naftë dhe përfiton statusin e plotë. A përfiton pension të plotë?

Ligji për statusin e naftëtarit, është miratuar në datën 2 shkurt të vitit 2017. Këtë status e kanë përfituar rreth 1.600 persona, por fatkeqësisht asnjë prej tyre nuk ka marrë asnjë lloj pagese. Për këtë kanë përgjegjësi të rëndë dhe të dyfishtë, ministri i Energjitikës dhe ministri i Financave, të cilët e kanë votuar këtë ligj në Kuvendin e Shqipërisë si deputetë dhe në Këshillin e Ministrave si anëtarë të qeverisë. Cilat janë kushtet për të fituar statusin e naftëtarit? Gratë e përfitojnë statusin e naftëtarit në moshën 60 vjeçe, kur kanë 30 vite punë dhe nga këto, 15 vite në naftë. Zonja ka 27 vite punë në naftë dhe e ka përfituar statusin e naftëtarit. Për këto probleme është ngritur Komisioni Qendror në Ministrinë e Energjitikës. Unë di që statusi i naftëtarit do të shikohet me përparësi.

Kam mbushur moshën 60 vjeçe në muajin maj. Kam punuar 16 vite në sektorin shtetëror. Kam punuar edhe 5 vite në sektorin privat. Dua të di se kur do të dal në pension?

Zonja do të dalë në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, pra në muajin mars të vitit 2019. Për pension të plotë zonjës do t’i duhen 36 vite e 8 muaj punë të siguruar. Zonja ka gjithsej deri tani 21 vite punë të siguruar. Nëse ajo i ka mundësitë financiare, është mirë për të që t’i plotësojë vitet e punës që i mungojnë duke paguar kontribut vullnetar të sigurimeve shoqërore. Sa më shumë vite pune të ketë, aq më i lartë do t’i dalë pagesa e pensionit. Unë i sugjeroj zonjës, që një muaj më përpara se të mbushë moshën e plotë të daljes në pension, të shkojë tek Agjencia e Sigurimeve Shoqërore atje ku ajo banon dhe të interesohet e të sqarohet më hollësis

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen