Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Pensionet sociale, kush i përfiton dhe dokumentet që duhen

Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Pensionet sociale, kush i përfiton dhe dokumentet që duhen

Fadil Kepi te Kendi i Ekspertit

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar Prof.dok. Fadil Kepi. Eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka folur këtë javë rreth pensioneve sociale. Profesor Kepi ka sqaruar se çfarë janë pensionet sociale dhe kush i përfiton ato. Gjithashtu ka sqaruar qytetarët për dokumentet që duhen plotësuar për të përfituar pensionin social. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV.

Sot do të flasim për pensionet sociale. Çfarë janë pensionet sociale? Kush i përfiton ato? Cilat janë dokumentet që duhen plotësuar për të përfituar pensionin social? Çfarë janë pensionet sociale?
Pension social në vendin tonë përfiton çdo shtetas shqiptar, pavarësisht nga gjinia, kur mbush moshën 70 vjeç dhe është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri, të paktën zyrtarisht, 5 vitet e fundit. Çdo shtetas shqiptar, i cili nuk plotëson kushtet për të marrë asnjë lloj pensioni dhe nuk ka të ardhura të tjera, përfiton pension social.

Cilat janë dokumentet që duhen plotësuar për të marrë pension social?
Për të përfituar pension social, kërkuesi apo i interesuari, së bashku me kërkesën personale, duhet të paraqesë këto dokumente në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, në qytetin ku ai banon. Në radhë të parë duhet fotokopja e kartës së identitetit; pastaj duhet certifikata e gjendjes familjare; një deklaratë për gjendjen e tij social-ekonomike; një vërtetim nga zyra e gjendjes civile, i cili vërteton se banon në Shqipëri të paktën 5 vitet e fundit; një vërtetim nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, ku vërtetohet se ai nuk merr të ardhura, pra nuk merr pension pleqërie, nuk merr pension familjar, nuk merr pension invaliditeti, dhe nëse merr ndonjë nga këto pensione, duhet shënuar dhe shuma që ai merr; një vërtetim nga organet tatimore ku vërtetohet që personi është i papunë dhe nuk ushtron asnjë veprimtari ekonomike; një certifikatë pronësie nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme sepse ai mund të ketë pasuri të luajtshme ose pasuri të paluajtshme; aktin e marrjes në përdorim ose në pronësi të tokës, sipas Ligjit nr. 7501; ose certifikatën e pronësisë së tokës; një deklaratë nëse është aksioner apo bashkëpronar në aktivitete ekonomike. Pra, këto janë të gjitha dokumentet që duhen plotësuar e dorëzuar për të përfituar pensionin social.

Të sqarojmë edhe disa hollësi të tjera: pensionet sociale, për herë të parë në vendin tonë, kanë filluar të jepen nga data 1 janar e vitit 2015, me anën e një ligji të veçantë. Aktualisht pensioni social është i barabartë me pensionin që mund të merrte një qytetar me pagë minimale dhe, me të paktën, 15 vite punë të siguruar. Aktualisht pensioni social është rreth 7.300 lekë të rinj në muaj. Gjithashtu pensioni social është personal. Sa herë që rriten pensionet e pleqërisë, rritet edhe pensioni social, pra me të njëjtën përqindje. Personat që marrin pension social, kanë të drejtë që të përfitojnë edhe kompensim të energjisë elektrike, duke paraqitur kërkesën e tyre pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore. Kjo kërkesë duhet shoqëruar edhe me librezën e energjisë elektrike, e cila duhet të jetë në emrin e personit që merr pensionin social dhe që duhet t’i ketë paguar që të gjitha detyrimet.

Pensioni social ndryshon, për shembull, marrim një rast dhe ta zëmë se 70 vjeçe është gruaja dhe burri është 74 vjeç. Gruaja nuk ka punuar ose ka punuar para moshës 15 vjeçe. Nuk merr pension pleqërie, por fiton pension social në moshën 70 vjeçe. Ndërsa burri merr pension pleqërie, ta zëmë 30.000 lekë të rinj në muaj. Nëse vdes burri, gruaja ka të drejtë që të marrë gjysmën e pensionit të pleqërisë së burrit, pra 15.000 lekë të rinj në muaj. Në këtë rast, nëse ka përfituar pension social, i hiqet pensioni social sepse vlera e gjysmës së pensionit të bashkëshortit, që i takon sipas ligjit, është më e lartë se sa vlera e pensionit social. Ose, në rast se nuk ka tokë, por e ka fituar me proces gjyqësor, atëherë, në qoftë se të ardhurat nga toka janë më të larta se sa pensioni i saj social, atëherë i hiqet pensioni social. Siç thashë, aktualisht, vlera maksimale e pensionit social është 7.300 lekë të rinj në muaj. Nëse personi ka të ardhura, të cilat janë më të ulëta, atëherë nga vlera e pensionit social zbritet vlera e të ardhurave dhe personi do të përfitojë si pension social diferencën që mbetet.

Sqarime më të hollësishme, personat e interesuar do të marrin në Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore dhe nëse nuk binden nga sqarimet e punonjësve të këtyre agjencive, duhet t’i drejtohen Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Qytetarë duhet të jenë të qartë që në Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore dorëzohen dokumentet e duhura përkatëse, por këto agjenci nuk caktojnë dhe nuk lidhin pensionet. Pensionet i lidhin Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, prandaj edhe sqarimet më të hollësishme ligjore duhet t’i marrin në këto drejtori. Nëse përsëri, personat e interesuar nuk binden dhe nuk sqarohen, atëherë duhet t’i drejtohen Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Jam nga Fieri, por banoj në Tiranë. Gruaja ime ka dalë në pension dhe nuk i janë quajtur si vite pune 3 vite, me arsyetimin se janë shënuar me laps
Kemi një Vendim të Këshillit të Ministrave me nr. 482, i vitit 2016, në pikën 1 të të cilit, thuhet: “Të gjitha periudhat e punuara dhe të shënuara në çdo dokument quhen vite pune”. Edhe me laps po të jenë të shënuara quhen vite pune sepse në kohërat e kaluara shkruhej me laps. Meqenëse banoni në Tiranë dhe nëse gruaja ka dalë në pension në Tiranë, unë mendoj që t’i bëni një ankesë me shkrim Drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

Jam një qytetar që jam shkurtuar nga puna, me një vjetërsi pune prej 38 vitesh. Jam 65 vjeç. Si do të jetë pagesa për mua?
Atëherë, nga dita që juve ju kanë shkurtuar vendin e punës, keni të drejtë që të merrni asistencë sociale apo siç quhet ndryshe pagesë papunësie, e cila vazhdon për 12 muaj. Kjo periudhë quhet vjetërsi pune për pension pleqërie. Në ditën që do të plotësoni moshën 65 vjeç, nëse do të jeni me pagesë papunësie, do t’ju ndërpritet kjo pagesë dhe do të merrnin pensionin e pleqërisë. Në vitin 2019, të gjithë burrat në vendin tonë, dalin në pension në moshën 65 vjeç dhe për të përfituar pension të plotë pleqërie duhet të kenë 36 vite e 8 muaj punë të siguruar. Meqenëse ju zotëri thatë se keni 38 vite punë, atëherë ju do të merrni pension të plotë pleqërie. Ligji thotë që, sa më shumë vite pune të ketë personi, aq më e lartë i del vlera e pensionit të pleqërisë. Kështu që edhe juve zotëri, do t’ju dalë më e lartë vlera e pensionit të pleqërisë se sa ajo që do t’ju dilte nëse do të kishit 36 vite e 8 muaj punë të siguruar. Unë ju këshilloj zotëri që të merrni pagesën e papunësisë dhe në ditën që do të plotësoni moshën 65 vjeç, të paraqiteni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, aty ku banoni.

Përsërisim edhe një herë kushtet që duhen plotësuar nga individët, për të përfituar pensionin social
Pensionin social e përfiton çdo shtetas shqiptar, i cili mbush moshën 70 vjeç; çdo shtetas shqiptar që është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri ose të paktën, gjatë 5 viteve të fundit; çdo shtetas shqiptar i cili nuk plotëson kushtet për të përfituar asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e Sigurimeve Shoqërore. Gjithashtu pensionin social e përfiton çdo shtetas shqiptar që nuk ka të ardhurat ose të ardhurat që ai përfiton nga çdo lloj burimi tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat e pensionit social.

Po emigrantët, a përfitojnë pension social?
Emigrantët jetojnë jashtë vendit tonë, në shtete të ndryshme të botës. Disa prej tyre nuk kanë punuar në Shqipëri ose kanë punuar 15 vite. Atëherë, këta persona nuk marrin pension social kur mbushin moshën 70 vjeç, për arsyen se, mossha është kushti i vetëm që ata plotësojnë për të përfituar këtë pension. Mirëpo duhen plotësuar edhe kushtet që thamë më lart. Pra, 5 vitet e fundit ata nuk kanë jetuar në Shqipëri.

Na shkruajnë dy bashkëshortë, emigrantë në Kanada: “Në janar të këtij viti plotësuam moshën e pensionit. Dokumentet që duhen plotësuar për pension, mendojmë që t’i plotësojmë e t’i dorëzojmë në muajin gusht sepse atëherë mundemi që të vijmë me pushime. A ka ndonjë afat për dorëzimin e dokumenteve të pensionit?”
Pavarësisht se personat e interesuar jetojnë brenda apo jashtë vendit tonë, gjatë vitit 2019, gratë dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, ndërsa burrat dalin kur plotësojnë moshën 65 vjeç. Një kusht tjetër për të marrë pension pleqërie është që të kenë, të paktën, 15 vite deri në 36 vite e 8 muaj punë të siguruar në Shqipëri. Për femrat hyn në vjetër si pune edhe periudha e studimeve të larta të ndjekura me shkëputje nga puna. Për burrat quhet vjetërsi pune edhe periudha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Meqenëse ata kanë plotësuar moshën për daljen në pension në muajin janar dhe nuk mund të vijnë në këtë kohë në Shqipëri, nuk është ndonjë problem. Ata mund të vijnë atëherë kur të munden. Dokumentet e tyre mund t’i dorëzojnë në muajin gusht, por mund t’i dorëzojnë edhe më 31 dhjetor të vitit 2019, ndërsa pensionin do ta marrin që nga dita kur kanë mbushur moshën për pension. Por duhet të dinë që, nëse ata i dorëzojnë dokumentet e tyre në vitin 2020, atëherë do ta marrin pensionin nga dita kur kanë dorëzuar dokumentet, për arsye se ligji thotë që brenda 12 muajve duhen dorëzuar dokumentet. Në rast se kalohen 12 muajt, pensioni do të merret nga dita që dorëzohen dokumentet dhe digjen muajt e mëparshëm. Të gjithë ata që nuk munden të vijnë për të dorëzuar dokumentet e tyre të pensionit brenda 12 muajve, le t’i bëjnë një akt noterial një të afërmit të tyre, me të cilin ta autorizojnë që të dorëzojë dokumentet e tyre.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen