Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Si ndryshojnë pagesat e kontributet për pensionet

Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Si ndryshojnë pagesat e kontributet për pensionet

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në puntatën e kësaj jave Profesor Kepi ka sqaruar qytetarët për çështjen e ndryshimit të pagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguajnë të punësuarit dhe kompanitë private dhe shtetërore. Profesor Kepi sqaron se sa është paga maksimale dhe paga minimale në sektorin shtetëror dhe në sektorin privat? Sa janë rritur kontributet shoqërorore dhe shëndetësore nga viti 2018 në vitin 2019. Më pas eksperti ynë i është përgjigjur live pyetjeve që kanë mbërritur nga qytetarët në Report TV.

Qytetarët janë shumë të interesuar për sa u përket kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kemi pasur disa ndryshime. Cilat janë kontributet e pensioneve? Sa është paga maksimale dhe paga minimale në sektorin shtetëror dhe në sektorin privat? Sa janë rritur kontributet nga viti 2018 në vitin 2019? A kemi ndryshim vlere midis kontributeve që derdhin shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe kontributeve që derdhin shqiptarët që jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë?

Së pari, çfarë janë kontributet e pensionistëve?
Kemi Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 809, datë 26.12.2018, ku thuhet: “Për caktimin e pagës minimale në shkallë vendi, Këshilli i Ministrave ka vendosur: paga minimale mujore për punonjësit, në të gjithë vendin tonë, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person juridik ose fizik, vendës ose i huaj, nga 1 janari i vitit 2019 bëhet 26.000 lekë të rinj në muaj nga 24.000 lekë të rinj që ka qenë në vitin 2018”. Duke bërë llogaritjet del që paga minimale është shtuar 8,3%. Për rrjedhojë të rritjes së pagës minimale janë shtuar edhe kontributet e sigurimeve vullnetare. Në vitin 2018 shuma minimale e kontributeve vullnetare ka qenë 5.184 lekë të rinj në muaj ose 62.000 lekë të rinj në vit. Me rritjen e pagës minimale për vitin 2019, vlera e kontributeve shoqërore do të shumëzohet përsëri me 8,3% dhe nga 5.184 lekë të rinj bëhet 5.616 lekë të rinj në muaj.

Paga maksimale në vitin 2018 ka qenë 105.000 lekë të rinj në muaj. Të gjithë ata që marrin rrogë deri në 105.000 lekë të rinj bruto në muaj, janë të detyruar që të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Meqenëse u rrit paga minimale, paga maksimale për vitin 2019 ka arritur në 67.000 lekë të rinj ose 5.616 lekë në muaj. Vërtet që do të paguajnë më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, por edhe do të marrin më shumë pension. Do të marrin vlerë më të lartë edhe për raportet mjekësore. Do të marrin vlerë më të lartë edhe për lejet e lindjeve.

Sektori privat dhe sektori shtetëror ka ndryshime në vlerën e pagesës?
Jo. Nuk ka ndryshime. E detyrueshme është paga 26.000 lekë të rinj. Por në rastet kur punonjësit paguhen me pagën minimale 26.000 lekë kuptohet që edhe pensioni do t’u dalë në vlerën minimale. Në qoftë se duan që të marrin pension më të lartë mund të sigurohen jo vetëm mbi bazën e pagës minimale prej 26.000 lekësh, por mund të sigurohen edhe në bazën e pagës maksimale. Paga maksimale në shkallë vendi, pavarësisht nga funksioni që kryen, ata që punojnë në firma private, por edhe në sektorin shtetëror, për këtë vit është 114.000 lekë të rinj. Kurse në vitin 2018 ka qenë 105.000 lekë.

A ka ndryshime në vlerë midis kontributeve të sigurimeve shoqërore që derdhin shqiptarët që jetojnë në Shqipëri dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë?
Kontributet e sigurimeve shoqërore gjithsej, ata që punojnë në sektor privat apo në sektor shtetëror, qofshin edhe të huaj që jetojnë në vendin tonë, qofshin persona fizikë apo juridikë, ata që punojnë në fasoneri apo në të tjera qendra pune, e kanë të ndaluar me ligj që të paguajnë më pak se 26.000 lekë të rinj pagën bruto dhe kontributin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore do ta paguajnë mbi bazën e kësaj page. Meqenëse disa, nga ana ekonomike e shohin veten që janë mirë, mund të bëjnë edhe sigurime vullnetare me dëshirë, për t’u siguruar me një pagë më të lartë, por jo më shumë se 114.000 lekë, nga 105.000 lekë që ka qenë vitin e kaluar. Një person që e ka pagën mujore 120.000 lekë apo edhe më shumë, atëherë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore do t’i paguajnë vetëm për 114.000 lekë maksimalen dhe kur do të vijë radha për të llogaritur pensionin, do të llogaritet mbi pagën maksimale që ka paguar kontributet

Flas nga Berati. Nëna ime ka dy vite që ka dalë në pension. Ka qenë mësuese. I është llogaritur pensioni. Ka në zotërim të gjitha dokumentet e duhura. Nuk jam i bindur për vlerën
Zonja ka dalë në pension para dy viteve, pra në vitin 2017 ose në vitin 2016. Për të marrë pension të plotë në vitin 2017 duheshin 36 vite e 4 muaj punë e siguruar. Pensioni llogaritet mbi bazën e pagës mesatare bruto, për të gjitha periudhat që ka punuar zonja. Të gjitha pagat shumëzohen me disa koeficientë dhe këto koeficientë janë përcaktuar me vendim qeverie. Zonja nuk është e kënaqur me masën e pensionit apo me njohjen e viteve të punës. Atëherë ajo ka të drejtë që t’i bëjë një ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Berat, ku të parashtrojë pretendimet që ajo ka, por duhet që të jetë e saktë në të dhënat e saj. Sigurisht që do të marrë një përgjigje zyrtare. Nëse përsëri do të ketë dyshime apo nuk do jetë dakord me përgjigjen që do të marrë, atëherë ajo duhet t’i bëjë një ankesë tjetër me shkrim Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Dhe nëse edhe me këtë përgjigje nuk do të jetë dakord, atëherë i mbetet që t’i drejtohet Gjykatës Administrative dhe kjo është e vetmja zgjidhje përfundimtare.

Na shkruan zonja Natasha: “Po ata persona që kanë më pak vite pune, 5-6 vite, dhe nuk kanë mundësi që të paguajnë kontribute vullnetare, a përfitojnë pension?”
Minimumi për të marrë pension në Shqipëri, burra dhe gra, është të paktën 15 vite pune të siguruara ose i vetësiguruar. Si vjetërsi pune quhet edhe periudha e kryerjes së shërbimit ushtarak, periudha e trajtimit me raporte mjekësore, periudha e trajtimit me leje lindjeje të pagueshme, periudha e trajtimit me asistencë, periudha e vazhdimit të studimeve të larta me shkëputje nga puna për femrat, periudha e trajtimit me pension të plotë apo të pjesshëm invaliditeti, por gjithnjë që nga mosha 16 vjeç. Në qoftë se personi plotëson moshën për daljen në pension dhe nuk i ka minimumi 15 vite, nuk merr fare pension. Kështu që, përpara se të plotësojë moshën e daljes në pension, duhet që të paguajë kontributet vullnetare të sigurimeve shoqërore që i duhen për të plotësuar 15 vitet. Për këtë vit, kontributi vullnetar i sigurimeve shoqërore e shëndetësore është 5.616 lekë të rinj në muaj ose 67.000 lekë të rinj në vit. Nëse personi zotëron tokë atëherë mund të paguajë kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore i cili në këtë rast është më i leverdisshëm. Në qoftë se nuk ka punuar fare, në moshën 65 vjeç po të jetë burrë ose 60 vjeçe e 10 muaj nëse është grua, derisa të mbushin moshën 70 vjeç nuk merr asnjë lek si pension. Në moshën 70 vjeç, pavarësisht se nuk i ka 15 vite punë, atëherë do të marrë një pension social, i cili aktualisht është 7.262 lekë të rinj në muaj. Por duhet patjetër që 5 vitet e fundit të ketë banuar në vendin tonë. Sqarime më të hollësishme personat e interesuar mund të marrin në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në rrethin ku ata banojnë.

Flas nga Elbasani. Kam qenë ushtarak dhe kam punuar 10 vite në ushtri. Jam 55 vjeç. Tani oficerët nuk kanë se ku të punojnë sepse nuk ka më reparte ushtarake. Sipas ligjit të sigurimeve shoqërore që të dal në pension duhet të jem 65 vjeç dhe jam i detyruar që të paguaj kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore, por mundësitë nuk i kam.
Zotëria tha se është 55 vjeç dhe do të dalë në pension në moshën 65 vjeç. Nuk ka marrë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sepse nuk ka 15 vite punë si ushtarak, por ka 10 vite. Atëherë në moshën 65 vjeç, në vitin 2029, zotëria do të marrë pension dhe do t’i kërkohen 40 vite punë për të marrë pensionin e plotë. Dhe do t’i kërkohen 15 vite punë të siguruar për marrë pensionin minimal. Sa më shumë vite pune që të ketë aq më shumë pension do të marrë. Zotëria do të marrë dokumentet e duhura që vërtetojnë se sa dhe ku ka punuar dhe do të shkojë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Elbasanit. Atje do të marrë përgjigjet e sakta.

Flas nga Tirana. Jam ish-ushtarak. Kam punuar 23 vite e 6 muaj ushtarak aktiv, përveç 2 viteve që kam kryer shërbimin ushtarak. Kam dalë në reformë më 1 shtator të vitit 2012 dhe më 13 mars të vitit 2019 mbush 54 vjeç. Tani punoj si roje në një firmë private dhe kam 5 vite që punoj i siguruar. A më vlejnë këto 5 vite sigurime kur të dal në pension?
Zotëria do të dalë në pension në moshën 65 vjeç, pra në vitin 2030. Për pension të plotë do t’i kërkohen 40 vite punë, përfshirë këtu edhe periudhën kur ka qenë ushtar, por edhe periudhën kur mund të ketë marrë pension të parakoshëm për vjetërsi shërbimi ose edhe periudha kur mund të ketë marrë për 2 vite pagesë kalimtare. Zotëria kur të plotësojë moshën e daljes në pension, do të marrë dy lloje pensionesh. Së pari, do të marrë pension pleqërie dhe do të marrë edhe pension suplementar. Pensioni suplementar llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese për çdo vit të plotë që ka punuar si ushtarak efektiv, por deri në masën 50% të pensionit të pleqërisë. Ai ka punuar 23 vite e 6 muaj si ushtarak aktiv dhe për pension të plotë pleqërie do t’i njihen por 23 vite e 6 muaj punë, ndërsa për pensionin suplementar do t’i njihen 23 vite të plota dhe ky pension do të llogaritet mbi bazën e pagës mesatare referuese që ka marrë si ushtarak efektiv. I këshilloj që kur t’i afrohet moshës së pensionit, duhet të shkojë në Ministrinë e Mbrojtjes. Atje ka një sektor të veçantë ku bëhen llogaritjet e duhura për të nxjerrë vitet e plota që zotëria ka punuar si ushtarak efektiv. Zotëria ka dalë në reformë në vitin 2012 dhe është ripunësuar. Ligji nr. 10142, datë 15 maj 2009, thotë: “Nga 1 korriku i vitit 2009 e në vazhdim, ushtarakët kanë të drejtë që të ripunësohen në sektorin privat. Mund të punësohen edhe në sektorin shtetëror, por nëse punësohen si ushtarakë atje ku kanë qenë ose punësohen në Policinë e Shtetit, atëherë pensioni i parakohshëm do t’u ndërpritet”. Zotërisë nuk i ndërpritet se punon në sektorin privat, ku do të marrë rrogën por do të paguajë edhe kontributin e sigurimeve shoqërore. Për periudhën e daljes në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kontributet ia paguan shteti, por jo për të gjithë rrogën por vetëm për pensionin bazë që është rreth 13.000 lekë. Për pension do t’i mblidhen të dy kontributet, ai që i paguan shteti se e ka nxjerrë në reformë apo në lirim dhe ai që paguan te firma private ku punon aktualisht. Kështu që edhe pensioni do t’i dalë më i lartë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen