Këndi i Ekspertit/ Infeksionet e lëkurës, simptomat dhe si parandalohen

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Erinda Kollçaku, mjeke dermatologe pranë QSUT-së. Doktoresha ka folur për infeksionet e lëkurës gjatë stinës së verës. Ajo ka sqaruar se cilat janë infeksionet më të zakonshme gjatë kësaj stine dhe cilat janë simptomat kryesore. Ekspertja jonë ka sqaruar se si parandalohen dhe si trajtohen këto infeksione në përgjithësi, por është ndalur edhe në veçanti duke shpjeguar se çfarë duhet të kenë kujdes ata që kanë nishane e njolla në lëkurë. Më pas mjekia dermatologe Erinda Kollçaku u është përgjigjur pyetje live të qytetarëve.

Cilat janë infeksionet që mund të na prekin gjatë stinës së verës?
Lëkura është organi i ekspozuar ndaj agresorëve të jashtëm natyrorë, siç janë dielli dhe i ftohti, dhe është shumë e ndryshueshme në varësi të temperaturave në të cilat ekspozohet. Kështu, duke u ekspozuar, kemi një rrezikshmëri të lartë për të krijuar infeksionet e lëkurës gjatë verës, po ashtu edhe problemet që i përkasin stinës së dimrit. Gjatë stinës së verës kemi infeksionet e strukturave të lëkurës, e cila përbëhet nga tri shtresa: shtresa sipërfaqësore epiderma, derma dhe subderma. Kështu, në varësi të shtresës që preket dhe në varësi të shkaktarit që e prek atë, lëkura krijon inflamacionin e saj duke krijuar infeksione të ndryshme. Inflamacioni i lëkurës ndryshon në varësi të agjentit patogjen.

Në rastet se një individ ka shumë nishane apo shenja në lëkurë, a është ai më i predispozuar për t’u prekur nga inflamacionet e lëkurës?
Jo, këto nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ato lidhen me dëmtime të tjera nga dielli dhe kanë të bëjnë me ndryshimin e strukturave të ngjyrosura të lëkurës, por nuk lidhen me infeksionin. Infeksioni i lëkurës në thelb mund të jetë bakterial, mykotik, viral, mund të vijë nga fotodermatoza dhe nga kontakti me diellin.

Cilat janë infeksionet më të zakonshme në stinën e verës?
Infeksionet më të zakonshme në stinën e verës janë më tepër ato bakteriale, të cilat shkaktohen në dy lloje bakteresh, siç janë stafilokoku aureus dhe streptokoku betamolitik. Stafilokoku është infeksion i rrënjës së qimes, ndërsa streptokoku shkakton infeksione përgjithësisht te fëmijët e vegjël, të cilët e marrin këtë bakter në çerdhe. Duhet të theksoj që streptokoku dhe stafilokoku janë banorë të zakonshëm të lëkurës sonë. Lëkura duhet të jetë e ekspozuar ndaj faktorëve favorizues, të cilët ndikojnë për të prishur barrierën e saj.

Çfarë kujdesi duhet të tregojmë gjatë ekspozimit në diell në stinën e verës?
Gjatë ekspozimit në diell kur temperaturat janë të larta, kryesisht në stinën e verës, duhet të tregojmë kujdes sepse janë shumë të larta shanset për të krijuar hiperhidrozë, djersitje të shtuar të lëkurës, gjë e cila shton zgjerimin e kapilarëve në lëkurë, duke bërë të mundur që të krijohen porta hyrëse. Kjo lloj situate krijon një lloj kruarje dhe duke e kruar lëkurën krijohen vatra të reja të hapura. Pra stina e verës duke pasur temperatura të larta ndihmon në krijimin e këtyre infeksioneve.

Jam nga një fshat i Tiranës. Lëkurën e kam me njolla në ngjyrë kafe dhe në ngjyrë të bardhë. Jam mjekuar për 4-5 ditë me tableta nga goja dhe me një krem për lyerje, por nuk më janë larguar. Çfarë më këshilloni?
Trajtimi i mykozave të lëkurës vazhdon minimalisht për dy javë, por edhe në varësi të përhapjes. Zotëria duhet gjithashtu që të evitojë në çdo rast lagështinë. Gjithashtu ai nuk duhet të frekuentojë pishinat, të paktën gjatë kohës që trajtohet problemi i tij i lëkurës sepse mund të bëhet burim transmetimi i infeksionit te të tjerët. Duhet që të përdorë peshqirë personalë. Gjithashtu pas bërjes së dushit apo të një aktiviteti fizik, duhet që ta thajë menjëherë nga lagështia atë zonë të lëkurës që është e prekur nga infeksioni. Këtë e theksoj sepse lagështia e favorizon shumë këtë lloj infeksioni.

Gjatë stinës së verës të gjithë njerëzit u drejtohen pishinave apo plazheve. Çfarë kujdesi duhet të tregojnë për parandalimin e këtyre infeksioneve të lëkurës?
Në plazh, duke qenë se frekuentohet në mënyrë masive e kolektive, shpesh ndodhemi përpara situatave të cilat nuk mund t’i kontrollojmë. Por, për aq kohë sa ne mundemi, të paktën të zgjedhim ato pishina, të cilat kanë një kontroll të rreptë të kushteve higjienike të ujit, për sasinë e klorit që përmban ai, në mënyrë që të kemi një kontroll mbi përhapjen e sëmundjeve infektive sidomos të atyre mykotike, te cilat janë ato që përhapen më shumë në pishina. Gjithashtu duhet të mundohemi që të mos përdorim veshje sintetike sepse ato nxisin dhe favorizojnë lagështinë, e cila ndikon në infeksionin mykotik. I rëndësishëm është gjithashtu përdorimi i sendeve personale për çdo njeri, sepse shkëmbimi i tyre me njerëzit e tjerë apo përdorimi i tyre në mënyrë kolektive, bën që infeksioni të kalojë nga një person te një tjetër.

Gjithashtu dua të theksoj se gjatë stinës së verës kemi një sasi të shtuar insektesh, të cilat mund të na pickojnë. Shumë prej tyre janë përhapës të shumë infeksioneve jo pak të rëndësishme. Temperaturat e larta i favorizojnë shumë infeksionet, por gjithashtu pickimet e insekteve mund të krijojnë edhe zona alergjie sidomos te fëmijët.

Thatë që infeksionet mykotike transmetohen nga kafshët te njerëzit, po e kundërta ndodh, d.m.th. që të transmetohen nga njerëzit te kafshët?
Po, mund të kalojnë, sepse janë infeksione që marrin pjesë në të dyja llojet e lëkurës, qoftë te kafshët, qoftë te njerëzit.

Flas nga Dibra. Më dalin në trup disa puçrra në ngjyrë të kuqe që më shkaktojnë shumë kruarje. Jam në një situatë të rënduar. Gjithashtu jam operuar edhe nga zemra. Çfarë duhet të bëj?
Fakti që zotëria është një i operuar kardiak, kjo mund të jetë edhe një shfaqje sistemike ose edhe diçka më shumë. Prandaj duhet patjetër që zotëria të bëjë një konsultë me mjekun specialist dermatolog të zonës ku banon ose mund të vijë në çdo moment që të mundet në QSUT për t’u konsultuar. Fakti që zotëria ka një sëmundje sistemike bashkëshoqëruese, mendimi im është që zona që shfaq probleme duhet parë patjetër konkretisht nga mjekët specialistë sepse nuk është kaq e thjeshtë që të shpjegohet nëpërmjet një telefonate.

Flas nga Elbasani. Më kruhet shumë lëkura në zonën e barkut dhe të qafës. Tani ka filluar edhe te këmbët. Zakonisht kjo gjendje për përsëritet gjatë stinës së verës. Kjo më ka filluar që para 7-8 vitesh. Jam vizituar te mjeku dermatolog këtu në Elbasan dhe kam marrë mjekime, të cilat më qetësojnë për pak kohë, por pas disa muajsh përsëritet e njëjta situatë.
Kjo mund të shkaktohet nga shumë arsye. Por ekziston një fakt që në momentin që secili prej nesh ka një zonë të lëkurës e cila shkakton kruarje, kjo zonë fillon edhe thahet. Vetë tharja e lëkurës bëhet shkak për kruarje nga fillimi. Gjithsesi, mund të jenë të shumta shkaqet e këtij problemi që ka zotëria, mund të jenë shkaqe të alergjisë, mund të jenë shkaqe të vetë lëkurës, por nuk mund të arrij në një përfundim të saktë pa e parë me sy të lirë zonën e prekur të lëkurës. Unë do t’i rekomandoj zotërisë që në darkë të pijë një tabletë antistaminik, për të ulur intensitetin e kruarjes, nëse zotëria në këto momente nuk po merr mjekim. Gjithashtu edhe një krem që të bëjë zbutjen e lëkurës. Nëse zotëria dëshiron dhe mundet që të vijë, është i mirëpritur në QSUT.

A mundemi ne që t’i parandalojmë këto infeksione të lëkurës?
Sigurisht që po. Parandalimi fillon së pari duke kontrolluar veten tonë, meqenëse lëkura është një organ, të cilin mund ta shohim. Gjithashtu një masë tjetër parandaluese është përdorimi gjithnjë me shumë kujdes i sendeve tona personale, duke mos përdorur në asnjë rast sendet e dikujt tjetër apo t’i shkëmbejmë ato me njëri-tjetrin. Për sa u përket pishinave, ato nuk mundemi që t’i kontrollojmë ne vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por të përpiqemi që të marrim informacione të sakta për higjienën e tyre përpara se t’i frekuentojmë këto ambiente. Ky është një nga treguesit e parë që ne duhet ta vlerësojmë përpara se të nisemi për të pushuar në një vend të caktuar. Gjithashtu këshilloj që të gjithë njerëzit të evitojnë ekspozimin e lëkurës së tyre në orët më të nxehta të ditës, sepse rrezet e diellit janë shkaktare ose favorizuese për infeksionet të ndryshme të lëkurës.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës