Flet specialisti/ Fadil Kepi: Si ankimohen gabimet në llogaritjen e pensioneve

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë këtë javë nuk është ndalur në një temë të veçantë por u është përgjigjur pyetje live të qytetarëve. Disa nga temat më interesante të prekura kanë qenë ajo e mënyrës së ankimimit për një gabim të mundshëm që mund të jetë bërë në llogaritjen e pensionit apo për çfarëdo arsye si dhe se çfarë përfitoni kur paguani dy kontribute sigurimesh shoqërore.

Jam një mësuese nga Tirana. Punoj në shkollë publike. Dal në pension në vitin 2020. Plotësoj 36 vite pune dhe më duhen edhe 8 muaj. A mund të vazhdoj të punoj që t’i plotësoj edhe 8 muajt?
Ka një Vendim të Këshillit të Ministrave me nr. 478, datë 16 qershor 2010, i cili thotë: “Punonjësit që punojnë në institucione buxhetore, i ndërpresin menjëherë marrëdhëniet e punës, ditën kur potësojnë moshën e daljes në pension”. Për diferencën e viteve të punës, zonja ka të drejtë që të paguajë kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore. Sqaroj edhe një herë se të gjitha mësueset femra, këtë vit deri në fund të muajit dhjetor, dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj dhe për vjetërsi pune u duhen 15 vite deri në 36 vite e 8 muaj punë të siguruar. Meqenëse zonja del në pension vitin tjetër, pra në moshën 61 vjeçe sepse shtohen edhe 2 muaj, atëherë në vitin 2020 për pension të plotë, duhen si vjetërsi e plotë pune 37 vite punë të siguruara në vendin tonë, që nga mosha 16 vjeç dhe përfshihet këtu periudha e trajtimit me raporte mjekësore të paguara, periudha e studimeve të larta me shkëputje nga puna e vërtetuar kjo me fotokopjen e noterizuar të diplomës. Qendra e punës është e detyruar me ligj, që ta njoftojë zonjën 3 muaj përpara, sipas Kodit të Punës, për daljen e saj në pension. Zonja nuk duhet të mbajë shpresa se mund të punojë qoftë edhe një ditë më shumë.

Flas nga Tirana. Unë kam dalë në pension para kohe, para 3 vitesh, 62 vjeç. Kaluan 3 vite dhe sot Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore më thotë se është bërë një gabim njerëzor. Pensioni më doli 20.000 lekë të rinj në muaj dhe tani më mbahen 3.500 lekë të rinj në muaj. Faji nuk është i imi, por është i tyre. Përse duhet që të mbahen lekët mua? Çfarë duhet të bëj?
Në këtë rast gabimi është i punonjësve të Sigurimeve Shoqërore. Por, nga kontrolli që bën Instituti i Sigurimeve Shoqërore në drejtoritë vartëse, është kapur ky gabim dhe i është ngarkuar zotërisë. Zotëria ka këtë të drejtë: t’i kërkojë me shkrim Drejtorit të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, arsyen e ndalimit të pensionit. Përgjigjja që do të marrë duhet të jetë zyrtare, me firmë dhe me vulë. Zotëria nuk duhet të mjaftohet me përgjigjet verbale. Ashtu siç ai ka dorëzuar dokumente zyrtare, mbi bazën e të cilave i është caktuar pensioni, po ashtu duhet të kërkojë shpjegim me dokument zyrtar për mbajtjen e pensionit. Përgjigjja duhet të ketë firmën dhe vulën e drejtorit, si edhe numrin e protokollit. Në qoftë se nuk do të bindet nga përgjigjja, atëherë zotëria duhet që t’i bëjë një ankesë me shkrim Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, ose direkt Drejtorit të këtij instituti, zotit Astrit Hado. Ai që gabon duhet që të zhdëmtojë. Nëse zotëria përsëri nuk do të gjejë zgjidhje për problemin e tij, atëherë mendoj që t’i shkruajë kryeministrit, zotit Edi Rama, në portalin ku adresohen ankesat e qytetarëve. Nuk jam i mendimit që zotëria ta zgjidhë këtë çështje nëpërmjet gjykatës sepse procedura zgjat shumë.

Jam një pensionist nga Lushnja. Kam dalë në pension më 20 prill 2019. Më kanë njohur si vjetërsi 36 vite e 10 muaj. 6 vite kam punuar nën tokë, armator nën tokë me gërmimet ushtarake, me kategori të lartë. A më takon ndonjë shtesë për këto 6 vite që kam punuar nën tokë?
Ligji që thotë zotëria është botuar në “Fletoren Zyrtare” nr. 88, të datës 20 qershor dhe thotë: “Për trajtimin suplementar financiar të punonjësve që kanë punuar në miniera, nën tokë, të punonjësve që kanë punuar në industrinë e naftës dhe të gazit, dhe ata që kanë punuar në metalurgji”. Pra, puna që zotëria ka punuar në tunelet e ushtrisë, por qoftë edhe në tunele të tjera, si ato të Rrugës së Kombit, apo të hekurudhave, nuk njihet si punë në nëntokë dhe nuk barazohet me punën e minatorëve të nëntokës. Prandaj, zotëria nuk përfiton pension suplementar. I këshilloj që të mos lodhet kot, duke trokitur dyerve të institucioneve.

Flas nga Tirana. Jam 63 vjeç. Për momentin punoj në një firmë private, 8 orë në ditë, dhe disa orë të tjera, pra part-time punoj në një firmë tjetër, më shumë ditën e shtunë dhe të diel. Marr dy paga dhe paguaj dy kontribute sigurimesh shoqërore. I kam plotësuar 33 vite pune. Çfarë përfitoj meqë paguaj dy kontribute sigurimesh shoqërore?
Zotëria është 63 vjeç dhe do të dalë në pension në moshën 65 vjeç, pra në vitin 2021. Për të përfituar pension të plotë pleqërie, në vitin 2021, zotërisë do t’i kërkohen si vjetërsi pune 37 vite e 4 muaj punë të siguruar në vendin tonë, që nga mosha 16 vjeç, duke përfshirë këtu edhe periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 77, datë 28.01.2015, thuhet shprehimisht: “Lejohet dypunësimi, por duhet paguar kontributi i sigurimeve shoqërore në të dyja qendrat e punës”. Zotëria i ka paguar dhe ka bërë shumë mirë. Për periudhën që ai ka punuar në dy qendra pune, i mblidhen shumat e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ligji “Për Sigurimet Shoqërore” thotë: “Përveç vjetërsisë së plotë që duhet të ketë personi për të përfituar pensionin e plotë të pleqërisë, sa më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore që të ketë paguar ai, aq më e lartë do t’i dalë vlera financiare e pensionit të pleqërisë”. Përveç kësaj, të gjithë koeficentët e pagave bruto, mbi të cilat llogaritet vlera e pensionit, nga data 1 janar 2015 e në vijim, kanë ardhur duke u rritur. Pra, kush ka punuar më shumë dhe ka paguar më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore, rrjedhimisht që do të marrë edhe pension më të lartë.

Flas nga Durrësi. Jam invalid. Kam punuar 5 vite në metalurgji, në uzinën e koksit. Kam edhe 10 vite që trajtohem me pension invaliditeti. A përfitoj ndonjë shtesë?
Ligji që unë sapo citova, të cilin mund ta kërkosh dhe ta gjesh në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës, thotë: “Përfitojnë të gjithë ata që kanë punuar në metalurgji, në industrinë e naftës dhe të gazit edhe në minierë, nën tokë, nga 6 vite e lart”. Sikur zotëria të kishte punuar edhe një vit më shumë, do ta përfitonte. Pra në këtë rast nuk e përfiton, por meqenëse zotëria është imvalid, ai përveç pensionit të invaliditetit merr edhe një ndihmë ekonomike nga bashkia prej 3.300 lekësh të rinj në muaj, barnat mjekësore falas, dhe, në qoftë se është invalid i grupit të dytë, merr edhe një kompensim për energjinë elektrike.

Flas nga Korça. Shoqëruesit të një invalidi të grupit të parë, a i njihet kontributi i punës?
Në qoftë se personi që trajtohet si invalid ka lindur me paaftësi, atëherë shoqëruesit të tij nuk i njihet si vjetërsi pune, periudha gjatë së cilës i shërben personit të paaftë. Pagesa financiare që ata marrin nuk paguhet nga fondi i Sigurimeve Shoqërore, por nga fondi i Shërbimit Social, nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale. Njihet si vjetërsi pune në ato raste kur personi i paaftë është invalid pune, tetraplegjik apo paraplegjik.

Në adresën e emisionit tonë na ka shkruar një pedagog, zoti Roland Gjika, nga Tirana, i cili pyet: “Cilat janë kushte që duhen plotësuar për të dalë në pension, për ata persona që kanë tituj shkencorë dhe titullin profesor i asocuar?”.
Pedagogët, të cilët kanë titullin shkencor “profesor i asocuar”, femra dhe meshkuj, dalin në pension në moshën 65 vjeç. Ata që kanë titullin “profesor”, femra dhe meshkuj, dalin në pension në moshën 68 vjeç. Pedagogët që kanë titullin shkencor “akademik” dalin në pesion në moshën 75 vjeç. Profesorët e asocuar, për çdo vit pune që kanë punuar duke pasur këtë titull shkencor, marrin edhe pension suplementar. Pensioni suplementar llogaritet si shtesë page mbi pensionin e zakonshëm, në masën 1,1% për çdo vit pune. P.sh. nëse një pedagog ka punuar për 5 vite duke pasur titullin shkencor “profesor i asocuar”, atëherë ai do të marrë një shtesë të pagës mbi pensionin e zakonshëm, si pension suplementar në masën 5,5%. Ndërsa një pedagog tjetër që ka titullin shkencor “profesor”, për çdo vit pune që ka punuar duke pasur këtë titull shkencor, do të marrë gjithashtu pension suplementar, në masën e 1,3% të pagës. Pavarësisht nga gjinia, pra si femrat ashtu edhe meshkujt, si rregull dalin në pension: profesorët e asocuar në moshën 65 vjeç, ndërsa profesorët në moshën 68 vjeç. Por në rast se fakulteti apo universiteti ku ata ushtrojnë profesionin e tyre ka nevojë ende për kontributin e tyre, atëherë ata mund të punojnë edhe pasi plotësojnë moshën e daljes në pension, gjithnjë mbi bazën e një kontrate të firmosur nga të dyja palët.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës