Këndi i Ekspertit/ Ja teknikat e rehabilitimi i protezave të kockave dhe të gjurit

 

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të premte ka qenë i ftuar Glendi Kuka, mjek fizioterapist pranë Spitalit SALUS. Eksperti ynë ka sqaruar qytetarët për sëmundjen retinopatia diabetike. Mjeku ka sqaruar procedurat dhe trajtimin mjekësor që duhet të ndjekin pacientët si dhe u është përgjigjur pyetje live në Report TV të qytetarëve të ndryshëm.

Do të flasim sot për rehabilitimin e protezave kocko-femurale dhe të protezave të gjurit. Cilat janë teknikat e rehabilitimit post-operator te pacientët që kanë vendosur proteza në gju?

Si çdo operacion kirurgjikal në ortopedi, duhet edhe rehabilitimi post-operator dhe është shumë i rëndësishëm që të kryhet sipas udhëzimeve të mjekut, bashkë me planin që kryen fizioterapisti. Duhet të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur, pas operacionit. Teknikat që ne përdorim në Spitalin SALUS janë protokolle të marra dhe të përditësuara nga Italia ose nga vendet e ndryshme evropiane.

Gjuri është shumë i rëndësishëm. Ndodh shpeshherë që në momentin që bën një ekzaminim, për të kuptuar se në ç’fazë është gjuri, kjo është faza e parë që duhet të drejtohet pacienti te mjeku dhe më pas merret vendimi nëse duhet protezë për gjurin apo jo?

E para është që personi ndjen një shqetësim, një dhembje apo një enjtje në gju. Në këtë moment, ai duhet t’i drejtohet mjekut, fillimisht. Mjeku shikon shenjat klinike si, dhembja, enjtja, skuqja, inflamacionin, të gjitha këto janë pjesë të inflamacionit. Pastaj, pasi mjeku kryen vizitën dhe testet e ndryshme, këshillon edhe kryerjen e një ekzaminimi, siç është radiografia, rezonanca, skaneri etj. Pastaj, pas kryerjes së këtyre ekzaminimeve, duhet që pacienti të drejtohet përsëri te mjeku specialist. Mjeku specialist pas diagnostikimit, jep edhe udhëzimet e duhura, nëse pacienti duhet të bëjë fizioterapi, nëse duhet të trajtohet me mjekime, apo nëse duhet të bëjë operacion.

Tema e bisedës sot janë protezat post-operatore, që kanë lidhje me operacionin dhe me rehabilitimin post-operator. Pra, pacienti kryen operacionin dhe sipas studimeve dhe protokolleve të marra nga vendet perëndimore, fizioterapia fillon direkt që në ditën e parë pas operacionit.

Po kur bëhet fizioterapi më parë, për të parë nëse pacienti do të ketë rezultate përmirësimi në gju, e shoqëruar kjo edhe me disa trajtime mjekësore, për të mos përfunduar në operacion?

Siç thashë edhe më parë, është detyra e mjekut specialist që të vendosë nëse fillimisht pacienti do të trajtohet me fizioterapi dhe të shihet ecuria në vazhdimësi. Praktika e mjekut në këto raste, është që operacioni të këshillohet si zgjedhja përfundimtare, pasi pacienti ka provuar trajtimet e tjera.

A është e rrezikshme kjo ndërhyrje?

Si çdo ndërhyrje tjetër kirurgjikale, edhe kjo mbart rrezikshmëritë e veta, megjithatë kjo është një pjesë për të cilën unë mund të flas me siguri. Për sa i përket zgjidhjes së problemit, rehabilitimit dhe kthimit në jetën e përditshme, nuk është absolutisht e rrezikshme.

Kur pacienti vendos protezë në gju, a ndikon kjo në jetën e tij të përditshme? Pra a paraqet vështirësi gjatë ecjes? Çfarë ndodh kur një person ka një protezë në gju?

Kthehet në normalitet të plotë. Nga praktika ime dhe nga praktikat në spitalin tonë, mund të them atë që u them edhe pacientëve të mia, pra që pas një viti ata nuk do të ndiejnë absolutisht asnjë gjë ndryshe edhe pse kanë protezë në gjurin e tyre. Gradualisht, pas një muaji të vënies së protezës, rritet lëvizshmëria. Ditët e para pacienti do të ecë duke pasur ndihmë nga pajisja që quhet ëoker. Pastaj do të përdorë patericat kanadeze, të cilat mbështeten te bërryli. Në këto momente, ecja është e rëndësishme sepse fillon t’i krijojë lëvizshmërinë gjurit. Kjo është e vlefshme edhe në rastet e kocko-femoralit. Pra është shumë e rëndësishme vënia sa më shpejt në lëvizje e artikulacionit që është i interesuar, qoftë ky gjuri apo kocko-femorali.

Proteza e gjurit është një protezë artikulare riveshjeje, e cila rivesh pjesët artikulare, pjesët e kërcit që janë të konsumuara nga artroza. Proteza ka tre komponentë, të cilët janë: komponenti i kërcirit, komponenti i kockës së kofshës dhe ndërmjet ka një kauçuk special që quhet polietilen. Ky është komponenti ku këto dy metale vendosen dhe rrëshqasin me njëri-tjetrin.

Gjuri dhe kocko-femorali janë të rëndësishëm dhe duhen trajtuar sepse prishin cilësinë e jetës së individit. Sëmundja e artrozës i konsumon artikulacionet. Artroza vepron mbi kockat e njeriut njësoj siç vepron ndryshku mbi një ingranazh, të cilin e gërryen dhe si pasojë i gjithë mekanizmi ku bën pjesë ky ingranazh, nuk funksionon mirë.

Flas nga Pogradeci. Kam një problem me gjymtyrët. Kam kaluar një parainfarkt para shtatë muajve dhe problemi është se gjysmën e dorës së majtë dhe gjysmën e këmbës së majtë i kam të mpira. Gjithashtu kam edhe humbje ekuilibri. Si pasojë edhe fuqinë fizike nuk e kam njëlloj si më parë.

Ky është një problem neurologjik. Simptomat që ka zotëria, si mpirja e dorës dhe e këmbës, edhe humbja e ekuilibrit janë probleme të shkaktuara nga nervat. Rehabilitimi i këtyre problemeve bëhet gjithmonë me anën e fizioterapisë, por duhet të kemi parasysh një gjë, që fizioterapia në këto raste vazhdon pak gjatë, ka nevojë për kohë sepse edhe nervat duan kohë për t’u rehabilituar dhe për t’u rigjeneruar. Gjithashtu zotëria duhet të jetë gjithnjë në kontakt të vazhdueshëm me fizioterapistin por edhe me mjekët specialistë për të kontrolluar ecurinë e rehabilitimit të tij. Vetëm fizioterapia është ajo që do t’i kthejë zotërisë forcën fizike, lëvizshmërinë e artikulacioneve të ndryshme dhe, gradualisht, edhe ndjeshmërinë.

Flas nga Bulqiza. Kam një djalë 20 vjeç, i cili vuan nga gjuri. Ai vuan nga reumatizma. Mjekët thonë që diagnoza e tij është artrit reumatizmal. Dua të di nëse ka nevojë për fizioterapi apo duhet të trajtohet vetëm me medikamente?

Në rastet reumatizmale është një ndërthurje e fizioterapisë me terapinë e medikamenteve. Së pari, kryhen mjekimet me ciklet e tyre, d.m.th. pacienti merr mjekimin, ulet inflamacioni i gjurit dhe fizioterapisti është aty për t’i shtuar funksionalitetin artikulacionit, qoftë gjurit, kocko-femoralit, kaviljes, pulsit, bërrylit, shpatullës etj., sepse nga sëmundjet reumatologjike nuk preket vetëm gjuri, por preken të gjitha artikulacionet. Dhe në këto raste fizioterapisti është aty për t’i rikthyer funksionalitetin gjithmonë.

Flas nga Durrësi. Kam bërë një operacion në Greqi. Kam vendosur një protezë në këmbën e djathtë. E kisha të thyer dhe kisha edhe dy vida në gju. I kam hequr dy vidat, por kam edhe një tjetër dhe kam dhembje. Kam një tub të gjatë nga sipër deri te gjuri poshtë. Mjeku ortoped më ka thënë që mund ta heq pas dy vitesh, por unë kam dhembje sipër.

Në fakt, gjithmonë është mjeku ortoped ai që vendos nëse duhet hequr proteza që ka pacienti dhe koha se kur duhet të hiqet.

Vuaj nga Parkinsoni. Krahas mjekimeve, mjekët më këshillojnë që të lëviz, të eci.

Po, edhe lëvizja është në pjesë e kurimit ose e rehabilitimit të të sëmurëve me Parkinson, ecja ose mbajtja në lëvizje sa më shumë që të jetë e mundur e artikulacioneve sepse në të kundërt ato ngurtësohen. Edhe fizioterapisti mund ta ndihmojë në këtë pjesë një të sëmurë me Parkinson. Zotëria mund të shkojë dy-tri herë në javë te fizioterapisti dhe ai do ta ndihmojë në lirimin e artikulacioneve.

Si reagojnë pacientët në momentin kur mjeku u thotë që do të kryejnë një ndërhyrje kirurgjikale? A frikësohen?

Unë si mjek fizioterapist nuk e kam atë detyrë që t’i them pacientit se duhet të kryejë një operacion. Natyrisht që të gjithë e kanë pak problem për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale. Por, më tepër ata duhet të mendojnë që pas asaj ndërhyrjeje, të paktën ortopedike apo për vendosjen e një proteze në rastin tonë, sepse për këtë po flasim sot, pas pak kohësh do të kenë një funksionim më të mirë sesa ai që kanë para operacionit. Në fakt këto lloje operacionesh janë të mëdha në ortopedi. Ato përmbajnë rrezikshmërinë e tyre, por gjithmonë në përqindje të ulëta. Në spitalin tonë përdoren teknika të përparuara të kohëve të fundit, dhe si rrjedhim përqindja e rrezikshmërisë është shumë e ulët. Prandaj, unë mendoj që pacientët nuk duhet të kenë frikë nga një ndërhyrje e tillë kirurgjikale. Vetëm duhet të mendojnë që pas operacionit cilësia e jetës së tyre do të jetë shumë më e mirë.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen