Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim 8 persona, të akuzuar se trafikonin armë nga Kosova në Shqipëri. Tre prej tyre, shqiptarë të Kosovës, u shpallën fajtorë për trafik armësh dhe u dënuan me 21 vite e 8 muaj burg. Më konkretisht, për B.K u dha dënimi me 8 vite burg, për M.K 6 vite e 8 muaj burg, ndërsa për E.TH 7 vite.

Për 5 të tjerët vijon gjykimi. 4 prej tyre janë dërguar në gjyq për veprën penale  “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, ndërsa tjetri për “ Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

Prokuroria thotë se hetimet nisën pasi dy prej personave, tashmë të dënuar, kishin blerë një sasi të konsiderueshme armësh zjarri të tipit “Zoraki” që do ta trafikonin në Shqipëri. Në kuadër të hetimit, u krye një operacon ndërkombëtar që çoi në arrestimin e 16 personave dhe sekuestrimin e 64 armëve e municione në të dy shtetet.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës: 

Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.1167/2024, 1167/1 dhe 1167/2 në ngarkim të të pandehurve T. Sh., G Ll., E.M. dhe A. M., të akuzuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuar nga neni 278/6 të Kodit Penal dhe shtetasve E.Th. M.K. B.K. dhe V.O., për veprën penale të “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/a/2 i K.Penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë dërgoi në gjyq 8 persona. Tre prej të cilëve, shtetas kosovarë E.Th., B.K., dhe M.K. të cilët me kërkesën e prokurorisë u shpallën fajtorë dhe u dënuan përkatësisht:

- 8 vite burg të shtetasit B.K. për veprën penale ‘Trafikimi i armëve dhe municionit’, parashikuar nga neni 278/a/2 i Kodit Penal;

- 6 vite e 8 muaj burg të shtetasit M.K. për kryerjen e veprës penale ‘Trafikimi i armëve dhe municionit’ parashikuar nga neni 278/a/2 i Kodit Penal;

- 7 vite burg të shtetasit E.Th. për kryerjen e veprës penale ‘Trafikimi i armëve dhe municionit’ parashikuar nga neni 278/a/2 i Kodit Penal.

Ndërkohë për pesë shtetasit e tjerë, çështja u dërgua në gjyq për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/6 të Kodit Penal, ndërsa për shtetasin V.O. për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/a/2 të K.Penal  parashikuar nga neni 278/a/2 te K.Penal

Hetimet mbi procedimin penal nr.1167/1 të vitit 2024, nisën pas sinjalizimeve se shtetasit B.K. dhe M.K. kanë blerë një sasi të konsiderueshme armë zjarri të llojit pistoletë ‘Zoraki’ me qëllim trafikimin e tyre drejt territorit të Shqipërisë. Hetimet e zhvilluara nga skuadra e përbashkët hetimore midis Shqipërisë dhe Kosovës, me mbështetjen e Eurojust, çuan në një operacion ndërkombëtar ku u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan 64 armë zjarri dhe municione në të dy shtetet.

Veprimet hetimore, të shoqëruara edhe me përgjimet ambientale për blerjen e simuluar vërtetuan se këta shtetas kanë konsumuar veprën penale për të cilën akuzohen.