Këndi i Ekspertit/ Ku dhe si regjistrohet kontrata e shit-blerjes së pronës

Në emisionin e mirënjohur të Report TV, “Këndi i Ekspertit”, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka sqaruar se ku dhe si regjistrohet kontrata e shit-blerjes së pronës. Eksperti i pronave ka sqaruar se çfarë dokumentesh i duhen një qytetari për të realizuar kontratën e shit-blerjes si dhe se çfarë roli luan Kadastra në lidhje me zyrat noteriale për shit-blerjen e pronës. Më pas Gjergji Begaj u është përgjigjur pyetje që kanë mbërritur nga qytetarët

Sot do të flasim për regjistrimin e kontratës së shit-blerjes së pronës. Kur regjistrohet kjo kontratë? Çfarë roli luan institucioni i Kadastrës në lidhje me zyrat noteriale? Çfarë dokumentesh i duhen një qytetari për të realizuar kontratën e shit-blerjes?
Shit-blerja e pronës që përkthehet në nenin 42 të Ligjit për Kadastrën, ka vlerën e vet dhe përmban disa pika me rëndësi dhe me vlerë për ata qytetarë, të cilët janë të interesuar që të merren me shitjen ose me blerjen e një prone.

Ku regjistrohet kontrata e shit-blerjes?
Kontrata e shit-blerjes regjistrohet në institucionin e Kadastrës ose të ish-Hipotekës. çdo qytetar që blen një pronë, veprimi i parë që duhet të bëjë është regjistrimi i pronës në zyrat e institucionit të Kadastrës, të cilat ndodhen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Kadastra është e vetmja zyrë ku regjistrohet prona.

Çfarë roli luan Kadastra në lidhje me zyrat noteriale për shit-blerjen e pronës?
Kadastra është institucioni që garanton qytetarin, i cili ka një pronë, por njëkohësisht edhe zyrën noteriale, e cila merr përsipër lidhjen e kontratës. Pra, qytetarët duhet të dinë që kontrata e shit-blerjes së pronës lidhet pranë një zyre noteriale. Zyrat noteriale aplikojnë dhe marrin direkt nga sistemi i Kadastrës dokumentet e duhura për të bërë vërtetimin e pronës që shitet apo blihet. Këtë siguri zyrave noteriale ua jep Kadastra.

Çfarë dokumentesh duhet të ketë qytetari në momentin kur paraqitet pranë këtyre zyrave?
Qytetari duhet të ketë patjetër certifikatën e pronësisë dhe nëse ka marrë kartelën e pasurisë të rifreskuar, duhet që të zbatojë afatin ligjor prej 72 orësh. Në të kundërt duhet që të paraqitet me certifikatën e pronësisë dhe me aplikimin e bërë në zyrat noteriale pranë Kadastrës. Tashmë aplikimin pranë Kadastrës e bëjnë zyrat noteriale.

Jam nga Durrësi. Kam 2 vite që i kam dorëzuar dokumentet për legalizimin e shtëpisë dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. E vetmja përgjigje që kam marrë është se toka është e pa azhurnuar. Unë shtëpinë e kam bërë që në vitin 1981.
Zona të pa azhurnuara do të thotë që hartat e asaj zone nuk janë stabilizuar ende. Kjo do të thotë që ose ështe ende duke u punuar për azhurnimin e zonës, ose është mbaruar si proces dhe hartat janë në zyrat qendrore të Kadastrës për t’u futur në sistem. Siç e kemi thënë disa herë, prona përbëhet nga disa elementë, ose më saktë, nga disa dokumente dhe një nga më kryesorët është hartografia. Problemet me hartografinë janë të mbartura nga vitet e kaluara, sidomos në zonat rurale. Problemi i zonjës është vetëm çështje kohe. Asaj i duhet të presë sa të futen në sistem hartat e zonës ku ndodhet prona e saj dhe pastaj do të vazhdohet me procedurën normale të legalizimit.

Jam nga Elbasani. Kam një pronë që është tokë-arë. Dua të di nëse certifikatës sime të pronësisë për këtë tokë-arë i humbet ligjshmëria sepse tokën e përdor ish-pronari? Unë nuk kam bërë asnjë marrëveshje me ish-pronarin dhe nuk e kam denoncuar në polici. Nuk kam marrë asnjë përgjigje se çfarë do të bëhet.
Në këtë rast zotëria ka një certifikatë pronësie dhe njihet si pronar i asaj toke sipas ligjeve shqiptare sepse zotëron një dokument të rregullt ligjor pronësie. Çështja e pronësisë tani është përfshirë edhe në Kodin Penal. Kjo do të thotë që personat të cilët shkelin ligjin e pronës, mund të dënohen edhe me heqje të lirisë së tyre. Më parë, personat që cenonin pronën e tjetrit mund të gjobiteshin ose nuk prekeshin nga asnjë masë, ndërsa tani dënohen sepse kryejnë vepër penale. Zotëria së pari duhet të ndërmjetësojë me ish-pronarin, në mënyrë që të arrihet në një marrëveshje. Në rast se kjo nuk arrihet, atëherë duhet ta denoncojë në organet përkatëse dhe të marrë në përdorim pronën e vet. Ndërsa ish-pronari duhet të ndjekë rrugën për kompensimin e ish-pronës së tij.

Flas nga Durrësi. Kam blerë një banesë në Durrës. Certifikatën e pronësisë e kam marrë vetëm për banesën dhe jo për truallin.
Kjo është thjesht çështje kohe. Zonja duhet që të presë derisa hartat e zonës ku ndodhet banesa e saj të kalojnë në sistem. Pra, duhet që të ketë një azhurnim të saktë të zonave dhe kur kjo të bëhet, personat e interesuar dhe që kanë aplikuar me dokumentet e tyre, do të lajmërohen nga institucionet përkatëse. Kur zona të hyjë në sistem dhe të jenë gati hartat e sakta, atëherë zonja do të aplikojë për të regjistruar truallin e banesës së saj dhe për t’u pajisur pastaj me certifikatën e pronësisë për truallin përkatës.

Kam një pronë nga bashkëshorti, e cila ndodhet në zonën e Ndroqit. Më saktë, është ullishte. Disa herë kam bërë dokumentet për ta marrë, si ish-pronare. Nuk kam asnjë lloj dokumenti nga zona e Ndroqit. Jam interesuar në Hipotekë dhe prona ime është regjistruar si pronë e shtetit. Si duhet të veproj?
Për pronat e vjetra bëhet aplikim pranë Arkivit Qendror të Shtetit dhe te Qarku, ku ka informacion për ish-tokat bujqësore, pyjet, livadhet dhe pemëtoret. Kështu që zonja patjetër duhet të interesohet pranë këtyre dy institucioneve dhe të aplikojë për të marrë informacion nëse ekzistojnë dokumente për pronën e saj, meqenëse është pronë e vjetër. Në qoftë se nuk ka asnjë dokument të tillë, pra prona e zonjës është e regjistruar si pronë shteti, atëherë zonja që para shumë kohësh duhej të kishte bërë një gjyq fakti, pra njohje të pronës me kufitarët. E theksoj që duhej të ishte bërë shumë kohë përpara, tani është shumë e vonuar. Një pjesë e pronarëve që kanë pasur prona të tilla, si ajo që ka zonja, i kanë marrë pronat e tyre. Them që është shumë e vonuar sepse tashmë ato lloje gjyqesh nuk njihen më. Zonja mund të kërkojë një qira të butë nga qendra administrative ose nga bashkia, në qoftë se toka e saj është e mbjellë me pemë frutore apo me ullinj. Kjo është e vetmja rrugë. Në rast se më vonë arrin që ta gjejë dokumentin e pronësisë, i lind e drejta që ta kërkojë si pronë të vjetër, nëpërmjet gjykatës. Por gjithnjë, nëse gjen dokumentin e pronësisë në Arkivin Qendror të Shtetit ose në arkivin e Qarkut.

Kam shtëpinë me certifikatë pronësie. Në certifikatë kam të shënuara 500 m2. Zyra e regjistrimit nuk ma regjistron me 500 m2 por me 300 m2. Si veprohet?
Zyra e regjistrimit, me të drejtë, i ka thënë zotërisë që duhet të regjistrojë 300 m2 sepse sipërfaqja e truallit që lejohet të regjistrohet në fshat është 250-300 m2. Ndërsa pjesën tjetër të truallit që i mbetet zotërisë, pra 200 m2 të tjera, mund t’i regjistrojë me një zë tjetër kadastral, si p.sh. pemëtore etj. Ligji lejon regjistrimin deri në 300 m2 për truallin në fshat. Në rast se zotëria e ka shtëpinë në proces legalizimi, atëherë zyra e legalizimit ka të drejtën që t’ia japë si truall deri në 500 m2, duke marrë me pagesë diferencën, por në qoftë se zotëria do të vazhdojë procesin e regjistrimit të truallit me qendrën administrative, sipas ligjit, regjistrimi është deri në 300 m2. Zotëria duhet të presë pak, sepse sipas ligjit të ri për pronat, çdo pjesë toke do të jepet nga shteti ose me shitje ose me përdorim. Kështu që do të ketë zhvillime të mëtejshme në këtë drejtim.

Jam nga Tirana, por kam një pronë në Berat. Këtë pronë ma dhanë për të plotësuar sasinë që kisha, sepse ishte e mangët, por nuk ma regjistruan në komunë. Mendoja se tokat i kisha të regjistruara, ndërkohë nuk më ishte regjistruar asgjë. I kam pasur në përdorim tokat, por tani pronën ma kanë marrë persona të tjerë, sipas ligjit për dhënien me qira. Nuk kam bërë gjë. Thjesht kam një dokument që ma ka dhënë komuna në atë kohë dhe nuk di sesi të veproj.
Zotëria ka marrë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) sepse ka qenë banor në atë komunë, ku ka marrë edhe tokën. Prona jo vetëm që duhet marrë me dokumente, por edhe duhet zotëruar. Zotëria nuk e ka bërë këtë gjë, pra nuk i ka marrë tokat në kufijtë që i ka caktuar komisioni i atëhershëm. Afati ligjor për të gjithë ata persona që kanë aktet e përdorimit dhe aktet e pronësisë dhe që kanë mangësi në dokumentacion, është deri më 31 dhjetor 2019, për të regjistruar pronat e tyre. Por nëse parcelat e zotërisë janë dhënë me qira, atëherë ai nuk ka se çfarë të kërkojë sepse nuk ekziston më parcela ku zotëria të mbështesë aktin ligjor. Megjithatë, zotëria duhet që të interesohet pranë qendrës administrative përkatëse, nëse ka teprica toke apo ndonjë tokë të lirë dhe atij i lind e drejta që ta kërkojë atë. Por, meqenëse zotëria ka qenë banor në atë zonë, para vitit 1991-1992 kur është bërë edhe ndarja e tokave, atëherë përsëri duhet të interesohet në qendrën administrative dhe të shihen hapësirat e mundshme ligjore, qoftë edhe me procese gjyqësore, nëse ai mund ta marrë sërish tokën.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hasije Mandija: 06/11/2024 09:04

    Ka 2 muaj qe kam bere shitjen dhe paguar taksen nuk nzjerrin certifikatat e pronesis ZRPP dhe nuk kalojne leket.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar